E premte, 10.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ish-kryetari i shtetit do të organizojë një koktej në periferi të kryeqytetit, ku do të marrin pjesë të gjithë bashkëpunëtorët e tij, por edhe personalitetet e politikës, ushtrisë dhe drejtësisë shqiptare
Ish-presidenti Alfred Moisiu mbush 80 vjeē











Festë me bashkëpunëtorët e krerët e shtetit


Si sot, 40 vite më parë Alfred Moisiu do të gjendej për herë të parë në jetën e tij duke festuar ditëlindjen në një lokal. Në atë kohë ishte në Kavajë dhe mbushte 40 vjeç. Një koincidencë e fatit, sot President Alfred Moisiu do të gjendet sërish në lokal për të festuar 80-vjetorin e lindjes mes familjes, miqve, por edhe shumë bashkëpunëtorëve të tij.

"Kam festuar 40-vjetorin në lokal. Në atë kohë isha në Kavajë, komandant i brigadës xheniere. Ishte hera e parë që festoja një ditëlindje në një lokal ku merrnin pjesë shumë njerëz. Pak a shumë mund të quhej një ditëlindje publike. Si për koincidencë u deshën 40 vite të tjera për të festuar sërish në lokal mes miqve dhe shokëve. Gjithmonë i kemi festuar ditëlindjet në familje, por këtë herë po e bëjmë më të madhe", - thotë President Alfred Moisiu.

Gjithçka ka nisur si një festë e vogël private, por pak nga pak rrethi i të ftuarve është zgjeruar, duke e shndërruar evenimentin në një mbrëmje gala që do të mbahet mbrëmjen e sotme në një nga lokalet në periferi të kryeqytetit. Presidenti ka shumë për të rrëfyer për këto 80 vite të një jete të mbushur me arritje të gjithanshme, por dje ai gjendej duke u marrë me përgatitjen e fundit.
Në krah kishte vajzat që po e ndihmonin për t'i dhënë dorën e fundit ceremonisë.

"Do të nisë në orën 19:00 në një lokal në periferi të Tiranës dhe kemi planifikuar të zgjasë dy deri në tre orë", - thotë president Moisiu, i kontaktuar nga "Shekulli". Ceremonia pritet të shndërrohet në një aktivitet mondan, ku do të marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit. Aty janë ftuar ish-presidenti Meidani, presidenti Topi, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, kreu i opozitës, Edi Rama, e shumë personalitete të tjerë.
Presidenti Moisiu me presidentin Bush

"Në ceremoni do të jenë miq e shokë, por edhe të gjitha personalitetet shtetërore. Janë ftuar të gjithë njerëzit, me të cilët kam punuar gjatë kohës së presidencës. Përveç tyre, do të jenë të pranishëm edhe shumë miq e kolegë të mi të kohës së ushtrisë, por edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë", - thotë Presidenti.
Këta dy të fundit nuk mund të mungonin në asnjë rast. Gjatë pesë viteve të presidencës, Alfred Moisiu është angazhuar me të gjitha energjitë për reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe përmirësimit të ushtrisë shqiptare. Dy reformat e kërkuara me forcë nga Presidenti nisën vite më parë, por vetëm ajo e ushtrisë dha fryte dhe sot Shqipëria është pjesë e NATO-s.

Festa e sotme do të ketë edhe një domethënie të veçantë. Aty janë ftuar të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me presidentin, por edhe ata me të cilët ka pasur përplasje dhe kontradikta. Duke lënë pas çdo gjë të së shkuarës, e gjithë politika shqiptare do të mblidhet për t'i thënë Gëzuar një prej burrave të shtetit shqiptar.
Në pesë vite presidencë, Alfred Moisiu është detyruar që të kalojë edhe momente të vështira dhe kriza politike, por të gjitha janë kaluar me sukses, duke treguar se mund të qëndrojë mbi të gjitha palët dhe të japë mendime duke u bazuar vetëm te ligji.

Karriera

Karriera ushtarake e Alfred Moisiut është gati 42 vjet e gjatë. Ajo ka filluar që në kohën e luftës dhe ka vazhduar deri në Janar të vitit 1985, kur ai ka dalë në pension. Vetë presidenti ka treguar se një nga momentet më të mira ishte mbarimi i shkollës dhe emërimi si komandant toge në shkollën ushtarake në Tiranë. Edhe pse ende nuk kishte mbushur 18 vjeç, Alfred Moisiut iu dhanë nën komandë 24 vetë që ishin shumë më të mëdhenj nga ai. Përveç kësaj, ai ishte i detyruar që t'i përgatiste ata si oficerë të ardhshëm.
Presidenti Moisiu me presidentin Putin

Shkollimi

Një moment tepër interesant në jetën e President Alfred Moisiut është Akademia e Inxhinierisë Ushtarake në Rusi. Pas pesë vitesh e gjysmë studimesh, ai arriti që të mbarojë me medalje të artë. Si një nga studentët më të mirë të shkollës, Alfred Moisiu u caktua që të flasë para gjithë studentëve që mbaruan atë vit, të cilët u përkisnin shumë kombësive të ndryshme. Vetë presidenti e ka komentuar këtë moment shumë vite më pas duke thënë: "Ishte krenaria ime si shqiptar në këtë rast ajo që unë nuk mund ta harroj".

Ushtria

Në vitin 1966, Alfred Moisiu emërohet Komandant Brigade në Kavajë. Ai e ka mbajtur këtë post për pesë vite me radhë. Karriera e tij ushtarake ka njohur vetëm rritje deri sa në vitin 1981 u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes. Moisiu mbajti këtë detyrë për rreth një vit e gjysmë dhe në vitin 1982 u shkarkua për arsye politike dhe u dërgua në Burrel. Ka qenë një shkarkim që nga pikëpamja e rangjeve ushtarake ishte një ulje nga Gjeneral në Kapiten, por vetë Presidenti e ka komentuar këtë me një fjali të thjeshtë: "Ashtu ka qenë koha".

Rikthimi

Dhjetori i vitit 1991 e gjen Alfred Moisiun përsëri në qeveri. Ai emërohet Ministër i Mbrojtjes në qeverinë teknike të asaj kohe. Edhe pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 1992 ai mbeti për ca kohë këshilltar dhe pastaj u emërua sërish zëvendësministër i Mbrojtjes deri në gusht të vitit 1997. Për pesë vite karriera politike e Alfred Moisiut mbeti pezull për tu ringritur deri në majën e shtetit. Alfred Moisiu zgjidhet në vitin 2002 President i Republikës, post të cilin e ka mbajtur për pesë vite, duke treguar një sens të lartë të detyrës.
Presidenti Moisiu me Lordin Robertson dhe bashkpuntoret

Moisiu: Politika të heqë dorë nga 'show'. Berisha është bërë si Enveri

TIRANË- Dy vjet pas mbarimit të mandatit, për ish-Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, kishte ardhur koha të publikonte kujtimet dhe përvojën e tij personale në krye të shtetit. Në librin që u promovua dje në Tiranë nga Moisiu, "Midis Nanos dhe Berishës", politikanët shfaqen ashtu siç janë.

Për Moisiun, të vërtetat duhen thënë, ndryshe, nuk mund të korrigjohen. Në një promovim libri për politikën, por që pak prej tyre e pranuan ftesën, Moisiu shprehet se politika duhet të heqë dorë nga show i ditës.

Në libër, Moisiu paraqet një analizë të hollësishme të situatave politike para zgjedhjes së tij si president, vijon me fillimin e detyrës, e më pas me vitin e ndërrimit të pushteteve.

Pas hedhjes së kujtimeve dhe risjelljes së memories institucionale, Moisiu dallon qartë punën e dy kryeministrave më të cilët, ai ka punuar si President, Fatos Nano dhe Sali Berisha. "Unë kam pasur përplasje me Nanon edhe Berishën.

Nano ishte i sofistikuar në përplasje, por Berisha ka abuzuar në mënyrë progresive",- u shpreh dje Moisiu gjatë promovimit të librit. Ish-Presidenti i vendit nuk nguron aspak që Berishën ta krahasojë me diktatorin Enver Hoxha, teksa shprehet gjatë fjalës së shkurtër se, "kishim një dhe po na bëhen dy Envera".

Ndaj dhe Moisiu në librin e tij veçon se, "19 vjet pas rënies së komunizmit, ende nuk janë rrëzuar mentalitetet dhe format e mendimit, apo luftës politike të asaj kohe. Po të mos kishin ndodhur gjithë ato ngjarje në vite, që erdhën si pasojë e punës së gabuar drejtuese të kësaj pjese të politikës, Shqipëria, me siguri, me kohë do të ishte bërë pjesëtare e NATO-s si dhe do të ishte integruar edhe në BE".
Presidenti Moisiu - Bush-Mesic dhe Trajkovski

Ish-Kreu i Shtetit shprehet qartazi se qëllimi i paraqitjes së ngjarjeve gjatë pesë viteve, është që populli të gjykojë jo vetëm për të si ish-president, por edhe për kontributin e secilit drejtues kryesor, në mënyrë që në të ardhmen të mos bëhen gabime për zgjedhjen e tyre.

"Të mos harrojmë për asnjë çast se Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët. Të tjerët, miqtë dhe aleatët na kanë ndihmuar dhe do të na ndihmojnë, por kryesorët jemi ne vetë", - shkruan Moisiu, i mbështetur edhe nga paraardhësi i tij në krye të shtetit, Rexhep Meidani.

Ky i fundit shkruan në parathënien e librit se, "Gjatë kësaj periudhe, Presidenti Moisiu me gjithë përpjekjet e përditshme për t'i mënjanuar, ai ka ndjerë në vazhdimësi "kërrabat" dhe pengesat e pakuptimta të politikës së ditës, pse jo dhe paturpësinë dhe primitivizmin, arrogancën dhe egërsinë e saj, pse jo edhe pak fyerje publike dhe marifete "lojtarësh", hileqarë, apo ndihmës të tyre krejt "të budallallepsur" në servilizmin e tyre të paskrupullt ndaj liderit".

Ndaj dhe ish-presidenti Moisiu, gjatë promovimit të librit shprehet se, thellë ai ndihet i zhgënjyer: "Ndihem i zhgënjyer sepse nuk e kam kuptuar se pse kryeministrat nuk më kuptuan seriozisht se çfarë kërkoja dhe pse ngulja këmbë për të mirën e vendit".

Libri i Moisiut, asnjë politikan i djathtë

Edhe pse një libër për politikën, ku pasqyrohet jo vetëm përvoja personale, por edhe kontributi i secilit drejtues kryesor të shtetit, në promovimin e djeshëm, shumë pak kanë asistuar politikanët. Një libër që flet për politikanët e majtë e të djathtë, por që këta të fundit, nuk e kanë parë të arsyeshme të ishin pjesë.

Duke filluar nga protagonistët e këtij libri, Nano dhe Berisha, në promovimin e djeshëm dallonte mungesa në bllok e politikanëve të djathtë, ndërsa kishin pranuar ftesën disa prej figurave të majta të vendit si Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, Namik Dokle, Paskal Milo, Servet Pëllumbi e Petro Koçi.

Mungon Topi, asistojnë këshilltarët e Moisiut

Në librin e tij "Midis Nanos dhe Berishës", ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, jep një falënderim të veçantë edhe për stafin e tij gjatë mandatit të tij në krye të shtetit. Kanë qenë pikërisht ish-këshilltarët e tij, që kanë respektuar ftesën e Moisiut për të qenë pjesë e aktivitetit modest.

Në promovimin e djeshëm të librit, Moisiu ka marrë urimet e tre prej këshilltarëve të tij të pranishëm, Muhamed Kapllani, Afrim Krasniqi dhe Arjan Konomi. Gjatë aktivitetit të djeshëm ishin të pranishëm edhe punonjës të tjerë të Presidencës, që kanë punuar me Moisiun, ndërkohë që u vu re mungesa e stafit të Presidentit aktual të Republikës, Bamir Topi.

Publikuar: 01.12.2009 | 05:18
Lexuar: 964 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime