E diel, 1.08.2010
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Më datë 6 shtator të vitit 1909, kryesia e Kongresit të Elbasanit i dërgon një letër klubeve "Vllaznia", "Bashkimi", shoqërisë "Afërdita" për të zgjedhur "Kryesinë e Pleqërisë së Normales". Më datë 7 shtator u zgjodh "Pleqësia kujdestare për shkollën e mësojve", ku bënin pjesë tetë veta: Dervish Beu (kryetar) Hasan Ceka, Lef Nosi, Emin Haxhiademi, Dhimitër Buda, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto e Ahmet Dakli.
100  vjet




Miranda Sadiku

Me vendim të Kongresit të Elbasanit (aktivitet i rëndësishëm mbarëkombëtar, ngjarje e shënuar në historinë e arsimit), çeli dyert shkolla e parë e mesme shqipe "Normale". Më datë 6 shtator të vitit 1909, kryesia e Kongresit të Elbasanit i dërgon një letër klubeve "Vllaznia", "Bashkimi", shoqërisë "Afërdita" për të zgjedhur "Kryesinë e Pleqërisë së Normales". Më datë 7 shtator u zgjodh "Pleqësia kujdestare për shkollën e mësojve", ku bënin pjesë tetë veta: Dervish Beu (kryetar) Hasan Ceka, Lef Nosi, Emin Haxhiademi, Dhimitër Buda, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto e Ahmet Dakli.

Mësuesi i Merituar, Shpëtim Haxhihyseni, thotë për ATSH se "këshilli mbikqyrës punoi pa reshtur për zgjedhjen e kuadrit mësonjës. Ai ftoi ajkën e inteligjencës përparimtare shqiptare, personalitete të shquara të kulturës dhe të atdhetarizmës, mësues të njohur si, Qamil Balën nga Gjilani, Bajo Topullin nga Gjirokastra, Aleksandër Xhuvanin nga Elbasani, si dhe Sotir Peçin nga Korça". Në Enciklopedinë e Elbasanit thuhet se "më 21 tetor të vitit 1909 Këshilli Mbikqyrës jep një zëdhënije ku njoftohej se më 6 nëntor fillojnë regjistrimet. Sipas kësaj zëdhënije, regjistrimet do të zgjasin 10 ditë dhe në 16 nëntor do të fillojnë mësimet".

Historiani Kujtim Bevapi shprehet se "për arsye se personeli i shkollës erdhi më vonë se parashikimi, mësimi filloi dy javë pas datës së caktuar. Pas shumë përgatitjesh, të mbështetura nga i gjithë kombi, veçanërisht nga populli i Elbasanit, më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan e para shkollë e mesme shqipe kombëtare në vendin tonë".

"Në vitin e parë shkollor 1909 -1910, vijon mësuesi Shpëtim Haxhihyseni, shkolla "Normale" kishte 70 nxënës të brendshëm, (konviktorë) dhe më shumë se 70 të jashtëm. Që në fillim të regjistrimeve 25 djem dolën nga shkolla turke "Idadije" e Elbasanit dhe shkuan në "Normale". Babai i Abedin Çaushi, atdhetar, elbasanasi Ali Çaushi, e quajti detyrë dhe vrapoi duke e regjistruar të parin djalin e tij në "Normale" me numër 1(një) amza e asaj shkolle, duke e hequr kështu djalin nga shkolla turke, ku ishte dhe në vitin e fundit të gjimnazit".
Elbasani

Normalja në vite...

Në vitin e parë shkollor nxënësit ishin ndarë në katër klasa, një klasë e nivelit të shkollës fillore, për ato që do të mësonin shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe dhe tri klasa "premtore" që kishin mësime thuajse të një shkolle qytetëse.

Në këto vite dhanë mësim Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi, Petër Dodbiba, Hasan Mezja, Simon Shuteriqi, Dhimitër Paparisto etj. Pranë "Normales" u ngrit konvikti me 71 nxënës, të cilët ishin dhe me pagesë. Më 8 korrrik 1910 u organizua ceremonia e mbylljes së vitit të parë të "Normales". Në këtë kremtim nxënësve që u dalluan në mësime iu dhanë gjithsej 24 çmime të para, e kështu me rradhë.

Për vitin 1910-1911 "Normalja" nuk funksionoi sepse u mbyll nga xhonturqit. Ajo riçelet dhe fillon punë më 6 shtator 1913 deri në maj 1914. Gjatë Luftës së Parë Botërore "Normalja" përjetoi tre herë mbyllje dhe hapje të saj.

Ish Normalistë e atdhetarë të Elbasanit

Normalja e Elbasanit është shkolla e parë e këtij lloji dhe universiteti i parë shqiptar, që i dha kombit emër dhe dritë. I dha liri dhe dituri. Nga kjo shkollë kanë dalë figura të njohura jo vetëm nga Elbasani, por edhe nga Shqipëria e Kosova. Një prej tyre ishte Emin Matraxhiu, gazetar, atdhetar, përparimtar dhe mësues. Mësimet e para i mori në shkollën fillore turke në Elbasan, e më pas "Idadije" (gjimnaz i ulët turk). Nga Hysen Ceka, atdhetar, mësoi fshehurazi gjuhën shqipe dhe pa mbushur ende 17-të vjeç ishte në rradhët e protestuesve elbasanas për dëbimin e drejtuesit turk të qytetit.

Me hapjen e shkollës "Normale" ai, tok me shokë bojkotoi shkollën turke dhe regjistrohet në shkollën e sapohapur, ku ishte ndër normalistët e parë. Operacioni i Turkut Pashës e detyroi atë të shkojë në Manastir, e prej andej në Stamboll. Shpallja e Pavarësisë e gjeti në vendlindje, dhe Luigj Gurakuqi e thirri në Vlorë dhe i ngarkoi çeljen e kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për nëpunësit e asdministratës shqiptare, fillimisht në Vlorë e më pas në Lushnjë. Ai bashkëpunoi mjaft ngushtë me Aqif Pashë Biçakçiun kundër ekspansionit shovinist. Në një mision të posaçëm ai kapet dhe dënohet me vdekje. Por, me ndërhyrjen e Simon Shuteriqit e Filip Papajanit ai mundi të dalë nga burgu.

Ndonëse i sëmurë nga turbekulozi ai punoi e nuk u lodh për çështjen kombëtare. Në vitin 1921 kur ishte drejtor i gazetës "Shkumini" atë e dënojnë për 23 ditë, ku nën presionin e intelektualëve, sidomos mikut të tij Avni Rustemit, e liruan duke i hequr të drejtën e drejtimit të gazetës. Ky burgim i shkurtër i dha edhe goditjen përfundimtare të fizikut të tij, dhe ndonese miqtë e tij e dërguan për kurim në Napoli të Italisë, Emin Matraxhiu, nuk mundi të rrojë. Ai vdiq në fund të muajit mars të vitit 1922 në Bari të Italisë në moshën 31 vjeçare.

Historiani Kujtim Bevapi shton se,"ka edhe figura të tjera të njohura në Elbasan, si Sotir Paparisto, i cili për 20 vite dha lëndët pedagogji e psikologji, ndërsa veprimtaria e tij pedagogjike spikat në hartimin e teksteve shkollore në Ministrinë e Arsimit, Mehmet Daiu, një tjetër ish normalist, i cili i përfundon studimet e larta në Institutin "ZH.ZH. Ruso" në Zvicër, që këthehet në Elbasan dhe jep mësim në shkollën "Normale" dhe "Ushtrimore", Skënder Sejdini, përfundon "Normalen" në vitin 1928 dhe mbas 10 viteve punë si mësues fillon studimet e larta në Institutin "ZH.ZH.Ruso", kthehet dhe drejton shkollën "Ushtrimore" në vitet 1942-1943.

Elbasani nuk do të ishte djep arsimi pa "Normalen" dhe kjo shkollë nuk do të ekzistonte pa Elbasanasit e nderuar. "Normalja" pati jehonë brenda dhe jashtë vendit dhe shtypi i kohës e cilëson si shkollë të lartë (universitet). "Normalja" mbetet institucioni i parë për shumë dekada, për përgatitjen e mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë /atsh/

Publikuar: 01.12.2009 | 18:44
Lexuar: 799 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Luljeta Murat Isaku (09/12/2009 17:54:51) Ne Normalen e Elbasanit ka qene nxenes edhe babai im Murat Isaku nga Tetova, Maqedoni.
Ne albumin tone familjar kemi shume fotografi nga kjo periudhe e shkollimit te babait, i cili edhe ne veprat e tij me nostalgji flet per kete kohe. Fotografite mund tu sherbejne ne dokumentacionin e Normales se Elbasanit.
Me respekt bija e shkrimtarit te ndjere Murat Isaku, Prof.dr.Luljeta Isaku,Universiteti Shteteror i Tetoves

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime