Bejazja thotë se punon jo vetëm sixhade, por edhe gjëra të tjera, siç janë çorapet, trikot, kapuçët e dorashkat prej leshi. Por, për të, pasioni i vërtetë është sixhadja. Prodhime të saj tani i kanë mjaft familje në Vlorë, në Tiranë, por edhe në Itali.
- Reportazh -
H.Koçi
49 vjeçarja, Bejaze Qejvani, është banore e fshatit Kallarat, 50 km larg qytetit të Vlorës. Ajo e ka banesën në anë të rrugës, që përshkon mespërmes zonën e Lumit të Vlorës dhe shkon tutje në Kuç e mandej, në Borsh e Sarandë.
Bejazja punon si infermiere në qendrën shëndetësore të fshatit, duke u shërbyer çdo ditë bashkëfshatarëve dhe bashkëfshatareve të saj, por pasioni i saj është prodhimi i sixhadeve në tezgjah. Shtëpia e saj, në të cilën na fton me mikëpritjen karakteristike të zonës, është e këndshme.
Në të gjen elemente të traditës, të gërshetuara me ato të kohës. Na tërheq vëmendjen një sixhade e vendosur diku, në një kënd të dhomës. Është një punim me shije, ku spikasin ngjyrat e ndezura. Në fakt, ajo sixhade dhe punime të tjera të këtij lloji, të realizuara në formë artizanale, përbëjnë edhe qëllimin e vizitës sonë, në këtë banesë mikpritëse.
Krahas punës së zakonshme si infermiere, 49 vjeçarja i kushton një kohë të konsiderueshme edhe punës me tezgjah. Është një zanat, që ajo e ushtron me mjaft pasion. Çdo ditë në orët e pasdites, apo në mbrëmje, ulet pranë tezgjahut, që e ka montuar në një nga kthinat e banesës së saj dhe punon. Punon me orë të tëra. Harrohet pas thurrjes dhe kur kujtohet se duhet të bëjë edhe punë të tjera të shtëpisë, ka mbërritur mbrëmja, apo ka kaluar mesnata.
Është një pasion, që ajo e ka ushtruar qysh kur ka qenë vajzë e re. Nuk e ka harruar, as e ka lënë pasdore. Në "telajon" e montuar në tezgjah, ajo hedh jetën e përditshme, të perceptuar nën një këndvështim të sajin.
U kushton mjaft rëndësi ngjyrave, sepse, ato janë, siç thotë ajo, vetë jeta. I ndodh shpesh që të rikthejë punën e një dite, apo më tepër, sepse diçka nuk shkon në ato që ajo ka konkretizuar. Por, nuk lodhet. Kryesorja është që të dalë diçka e bukur, që t'i vlejë asaj dhe njerëzve, që do të marrin punët e prodhuara këtu, në këtë kënd të fshatit Kallarat.
Bejazja thotë se punon jo vetëm sixhade, por edhe gjëra të tjera, siç janë çorapet, trikot, kapuçët e dorashkat prej leshi. Por, për të, pasioni i vërtetë është sixhadja. Prodhime të saj tani i kanë mjaft familje në Vlorë, në Tiranë, por edhe në Itali.
Ajo ka gjetur një mënyrë për të tregtuar ato që ka realizuar në tezgjah. Por, në këtë drejtim, ka shfrytëzuar njohjet, të afërmit e saj, të cilët kanë gjetur edhe tregun. Në Itali, ka një mbesën e vet, përmes së cilës ka tregtuar një numër sixhadesh, që janë pëlqyer mjaft nga qytetarë italianë.
49 vjecarja thotë se lëndën e parë, fijen e leshit, e blen tek punishtja e fshatit Kuç, ku ajo prodhohet me të gjitha ngjyrat. Por, një pjesë e siguron edhe në rrugë të tjera, tek bashkëfshatarët. Sipas saj, cilësia e lartë e leshit të kësaj zone, është edhe një nga faktorët që ndikojnë në cilësinë e sixhadeve, të qylymave e prodhimeve të tjera.
Sa për motivet, ato janë produkt i fantazisë së saj, ose i traditës. Ajo tregon se puna në tezgjah është një traditë e lashtë e vajzave të këtij fshati. Çdokush prej tyre, bashkë me pajën merrte me vete edhe tezgjahun, me të cilin do të endte prodhime për nevojat e familjes, të të afërmve etj.
Kjo traditë, që ka ardhur nga historia, u zbeh disi gjatë viteve të diktaturës. Por, gjithsesi, vajzat nga Kallarati nuk i hoqën tezgjahet nga banesat e tyre, as i harruan. Ku me të keq, ku fshehurazi e ku më hapur, punonin herë herë me to. Pas viteve 1990-të, kjo traditë u rikthye natyrshëm në dimensionet e saj. Janë dhjetra gra e vajza të këtij fshati që, këtu gjejnë një burim të ardhurash.
Ato e konsiderojnë këtë si një drejtim mjaft të rëndësishëm, krahas mbledhjes së bimëve medicinale etj. Por, këtu ka lindur natyrshëm një problem: tregu. Për momentin, ai është i vështirë të gjendet. Mungon një organizim efikas, mungon një strukturë, mungon informacioni. Bejazja thotë se bashkëfshataret e saj mund të realizojnë prodhime të konsiderueshme në se do të kishin një treg të sigurtë.
Sipas saj, edhe në këtë fushe mund të aplikohen projekte të ngjashme me ato në pemëtari, ku shteti financon fermerë të caktuar, në bazë të seriozitetit dhe efiçencës që paraqesin ata në këtë drejtim të ekonomisë.
49 vjecarja nënvizon se tradita e krijuar në shekuj në këtë fshat, tashmë është rizgjuar. Por, duke u çuar më tej, ajo mund të shndërrohet në një resurs të vërtetë për zonën./atsh/