"Ricosi përmes figurës" vjen sot në Akademinë e Arteve, ku veç ndikimit të tij në artet pamore, studentët do të çelin edhe një ekspozitë me punime në galerinë "FAP", nën kujdesin e profesorit Vladimir Myrtezait.
Poeti i njohur grek kujtohet në 100-vjetorin e lindjes
Në 100-vjetorin e lindjes, poeti i njohur grek, Janis Ricos, përkujtohet me tri ditë artistike në Tiranë. Përmes poezisë, figurës dhe muzikës, portretizohet Ricos si një frymëzues i artit. Një mbrëmje poetike është organizuar dje në sallën e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura, ku referate të mbajtura nga studiues të poetit kanë kujtuar edhe njëherë dimensionin e tij krijues.
"Ricosi përmes figurës" vjen sot në Akademinë e Arteve, ku veç ndikimit të tij në artet pamore, studentët do të çelin edhe një ekspozitë me punime në galerinë "FAP", nën kujdesin e profesorit Vladimir Myrtezait.
"Sjellja në Shqipëri e poetit të madh grek, Janis Ricos, për Akademinë e Arteve të Bukura, dhe në veçanti për artet pamore, është një sfidë krijuese me mjaft interes. Një figurë e madhe e poezisë greke dhe asaj botërore si Ricos, i jep një dimension të gjerë marrëdhënies kulturore mes popujve, sikurse jemi ne dhe populli grek.
Një nga komponentët kryesorë që ndihmon drejtpërdrejt në formimin e artistëve të rinj, duke mbështetur procesin mësimor, edukativ dhe artistik, është edhe krijimtaria artistike e studentëve të Akademisë së Arteve", u shpreh Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve.
Manifestimi do të mbyllet nesër me një cikël këngësh greke të titulluara "Epitaf". Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, vargjet e Ricos do të dëgjohen nën interpretimin e sopranos Vasiliki Mapia Zaharopulu, me muzikë të Mikis Theodhoraqis, shoqëruar nga kori dhe orkestra simfonike e TOB-it, nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko.