E premte, 10.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gül u lind në Kayseri, qytet i Turqisë Qendrore, më 29 tetor 1950. U diplomua në Universitetin e Stambollit në degën e Shkencave Ekonomike në vitin 1971, ndërsa në vitin 1983 mori gradën Doktor në të njëjtin Universitet.
Abdullah Gül, ekonomist dhe politikan karriere










Edmond Prifti

Me ftesë të homologut shqiptar z. Bamir Topi, Presidenti turk Abdullah Gül nis sot një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, gjatë së cilës do të zhvillojë takime me autoritetet më të larta të shtetit.

Gül u lind në Kayseri, qytet i Turqisë Qendrore, më 29 tetor 1950. U diplomua në Universitetin e Stambollit në degën e Shkencave Ekonomike në vitin 1971, ndërsa në vitin 1983 mori gradën Doktor në të njëjtin Universitet. Punoi si profesor i lëndës ekonomike në Departamentin e Industrisë së Inxhinierisë në Universitetin e Sakarya-s, i cili u krijua me ndihmën e tij.

Në vitin 1983, Abdullah Gül punoi si ekonomist për "Bankën e Zhvillimit Islamik" me qendër në Jedda. U largua nga ai pozicion tetë vite më vonë, ndërsa bëhet lektor i lëndës së ekonomisë ndërkombëtare. Në vitin 1991, ai zgjidhet anëtar i Parlamentit për herë të parë si kandidat i "Partisë së Mirëqenies" të udhëhequr nga Necmettin Erbakan. Abdullah Gül u emëruar zv/kryetar i partisë dhe përgjegjës për Punët e Jashtme në vitin 1993.

Pas rizgjedhjes së tij si anëtar i Parlamentit në vitin 1995, ai hyri në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, deri sa emërohet Ministër i Shtetit dhe Zëdhënës i Qeverisë së Erbakan-it, në vitin 1996.
Presidenti i Turqisë Abdullah Gül me bashkshortën


Ai shërbeu në këto poste deri në vitin 1997, kur koalicioni i drejtuar nga "Partia e Mirëqenies" u detyrua të largohej për shkak të presionit së influencës nga ushtria. Partia u nxor përfundimisht jashtë ligjit në fillim të vitit 1998 për arsye të cënimit të Kushtetutës laike të Turqisë.

Abdullah Gül hyn në "Partinë e Virtyteve", që u shfaq nga "hiri i paraardhëses së saj" të nxjerrë jashtë ligjit dhe u rizgjodh në Parlament në vitin 1999, si kandidat i saj.

Partisë së Virtyteve iu hoq statusi ligjor në vitin 2001, ndërsa Abdullah Gül dhe ish-anëtarë të tjerë themelojnë "Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim" (AKP), duke u distancuar nga prirjet e kaluara pro-islamike. Ky vit shënoi dhe fundin e shërbimit 9-vjeçar të tij si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët i dhanë atij Medaljen "Pro-merito".
Presidenti i Turqisë Abdullah Gül me presidentin e SHBA-së Barak Obama

Pas fitores të theksuar të AKP-së në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2002, ai caktohet Kryeministër i Turqisë, post në të cilin do të qëndronte një vit. Gül fiton respektin për rolin e tij në fillimin e bisedimeve të aderimit të Turqisë në BE dhe për promovimin e reformave demokratike në Turqi. Në prillin e vitit 2007, AKP propozon Abdullah Gül, kandidatin e tyre presidencial.

Kandidatura e parë e Gul për President të Republikës Turke u bllokua nga presioni publik i laikëve dhe ushtrisë. Por mbas fitores së gjerë të AKP-së me 47 % në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 22 korrikut, ai ripropozohet për të njëjtin post.

Paraqet aplikimin e kandidaturës së tij në Parlamentin Turk më 14 gusht, gjashtë ditë para fillimit të procesit zgjedhor presidencial, duke premtuar të pajtohet me Kushtetutën dhe principet e laicizmit nëse kandidatura e tij do të zgjidhej.
Abdullah Gül

Në dy raundet e para të votimit më 20 dhe 24 gusht, ai renditet shumë pikë përpara dy kandidatëve të tjerë, Sabahattin Çakmakogl i Partisë Nacionaliste për Veprim dhe Hüseyin Içli i Partisë Demokratike së Majtë, por nuk arriti të fitonte shumicën e kërkuar prej dy të tretave për të marrë postin.

Ai përzgjidhet President në raundin e tretë më 28 gusht me mbështetjen e 339 parlamentarëve nga 550 që ka Asambleja Turke.

Gjatë fjalimit të tij po atë ditë, Abdullah Gül largoi frikën e kundërshtarëve lidhur me laicizmin, se ai dhe AKP kishin një program sekret islamik, duke deklaruar para Asamblesë se "Republika turke është një shtet demokratik, laik dhe social i qeverisur nga shteti i së drejtës".

"Unë do të jem gjithmonë i nxitur dhe i vendosur për të mbrojtur, pa asnjë lloj diskriminimi, secilin nga këto principe dhe për t'i përforcuar ato me çdo mundësi.", ka thënë asokohe, Abdullah Gül.

Abdullah Gül është gjithashtu Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Turke. Flet anglisht dhe arabisht. Është i martuar me Hayrunisa-n dhe kanë tre fëmijë.

Publikuar: 10.12.2009 | 02:49
Lexuar: 895 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime