"Greqia nuk mundet përgjithmonë ta bëjë atë që po e bën. Kështuqë ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona, ne kemi axhendë qartë të projektuar euroatlantike dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë plan", deklaroi kryeministri i Maqedonisë.
Nuk do të thyhemi nga kjo që na ndodhi, do të vazhdojmë të luftojmë për integrimet tona euroatlantike, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski sot në Bon, edhe një herë duke i komentuar ndodhitë e fundit në marrëdhëniet Maqedoni-Greqi lidhur me integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
"Pengesa ka dhe do të ketë. Thjesht fati i shtetit tonë është i tillë të kemi më shumë pengesa se sa kanë shtetet tjera. Është e dukshme se çështja e Maqedonisë ende e ngarkon Ballkanin, gjegjësisht disa shtete të Ballkanit. Ndonjëherë më duket si të jetojmë në shekullin e 19, e jo në shekullin 21 dhe kërkesat që i dëgjoj nga disa shtete posaçërisht nga Greqia, duken sikur të jenë nga shekulli 19, ose si në fillim të shekullit 20, e jo në fillim të shekullit 21. Por, do të gjejmë forcë të ballafaqohemi edhe me këtë, do të gjejmë forcë t'i tejkalojmë edhe këto çështje. Ekzistojnë shtete që na mbështesin, ekziston Bashkimi Evropian i cili nuk mundet përgjithmonë ta tolerojë këtë çështje", tha Gruevski.
Ai potencoi se këtë që po e bën Greqia në njëfarë mënyre është harxhim edhe i kredisë së saj. Gruevski tha se "ajo kredi ka fillimin dhe fundin e saj dhe se një ditë do të fillojë të skadoj dhe do të vijë deri në fundin e saj".
"Greqia nuk mundet përgjithmonë ta bëjë atë që po e bën. Kështuqë ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona, ne kemi axhendë qartë të projektuar euroatlantike dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë plan", deklaroi kryeministri i Maqedonisë.
Duke e komentuar deklaratën e euroambasadorit Ervan Fuere se vendimi nga Brukseli nuk është njejtë si ai nga Bukureshti, Gruevski tha se është e dukshme se bëhet fjalë për dy pikëpamje të ndryshme të punëve.
"Ai sheh nga perspektiva e tij, unë shoh me sytë e mi. Nga ajo që mund të shoh, ne duhej të marrim datë, por nuk morëm datë. Çdo shtet i cili do të vinte në situatë të këtillë, do të merrte datë. Madje nuk morëm as datë për bisedime. Morëm vetëm shpresë se sërish do të debatohet për këtë çështje në gjashtë muajt e ardhshëm që, do të përsëris, është moment i caktuar pozitiv i cili jep shpresë, por është larg diçkaje që mund të na bëjë tejet të lumtur", deklaroi kryeministri.
Duke theksuar se nëse varej nga Fuere, Maqedonia veçmë do të kishte datë për fillim të negociatave, Gruevski tha se do të dëshironte që gjërat të dalin siç thekson euroambasadori edhe Maqedonia në gjashtë muajt e ardhshëm të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në.
"Megjithatë, nuk dëshiroj që ndonjëherë të krijoj edhe optimizëm joreal. Kjo do të thotë se ne duhet të ndalemi të punojmë, se duhet t'i ngrejmë duart nga Bashkimi Evropian, se duhet të ngrejmë dorë nga të gjitha problemet. Përkundrazi, duhet t'i vazhdojmë përpjekjet, duhet t'i intensifikojmë të gjitha tentimet tona të vijmë deri te zgjidhja. Por, të mos paramendojmë fotografi e cila ndonjëherë edhe nuk është për momentin aq reale", deklaroi Gruevski në Bon.