Ishte Mehmet Kosovari ai i cili u kishte bërë sherrin të gjithëve. Plot tre herë kishte tentuar të dalë nga kinemaja ABC, por turma e madhe e adhuruesve ia kishte pamundësuar këtë. Si pasojë e kësaj ka ndërruar e gjithë agjenda e mysafirëve turk që kishin ardhur për të hapur edicionin e dytë të Java e Filmit Turk në Prishtinë.
Për ndikimin që kishte pasur seriali turk Aci Hayat, konkretisht aktori Kenan Imirzalioglu, i njohur si Mehmet Kosovari tek publiku ynë, u dëshmua të premten. Për më shumë se dy orë, hapësira para kinemasë ABC në Prishtinë ishte e bllokuar. Do të ishte ai vendi nëpër të cilin Imirzalioglu, bashkë me aktorin e njohur turk Shener Shen dhe regjisorin e filmit Kabadayı, Omer Vargı, duhej të parakalonin për tu larguar nga kinemaja ABC, ku fiks në ora 15 ishte mbajtur konferencë për media.
Por, një gjë e tillë rezultoi e pamundshme. Ishte Mehmet Kosovari ai i cili u kishte bërë sherrin të gjithëve. Plot tre herë kishte tentuar të dalë nga kinemaja ABC, por turma e madhe e adhuruesve ia kishte pamundësuar këtë. Si pasojë e kësaj ka ndërruar e gjithë agjenda e mysafirëve turk që kishin ardhur për të hapur edicionin e dytë të Java e Filmit Turk në Prishtinë. Ndonëse ishte planifikuar që ata të bëjnë një shëtitje nëpër sheshin Nëna Tereze, në orën 16:30, për shkaqe sigurie kjo është anuluar.
Ka qenë e pamundur që mysafirët, posaçërisht aktori Kenan Imirzalioglu të bëjnë shëtitje në sheshin Nëna Tereze, sepse së pari ka qenë e pamundur të dilet nga kinemaja, përderisa nuk intervenoi policia, ka thënë drejtori i kinemasë ABC Milazim Salihu. Si rezultat i kësaj, Salihu paralajmëroi edhe një tjetër ndërrim agjende.
Duket se as sonte, në ceremoninë e hapjes nuk do të vijë aktori Kenan Imirzalioglu. Për shkaqe sigurie, ka thënë ai. Edhe në konferencën për media ishte pikërisht aktori i serialit Jetë e hidhur, ai i cili luante rolin kryesor, megjithëse përkrah tij qëndronin emra të mëdhenj të kinematografisë turke, Shener Shen dhe Omer Vargı.
I pyetur për faktin se pse emri i tij në serialin Jetë e hidhur ishte Mehmet Kosovari ai është përgjigjur.
Edhe para se të luaja në serialin Jetë e hidhur, kam luajtur në një serial të tillë dashurie, sepse jam njeri që e çmoj dashurinë, ndërkaq për emrin Mehmet Kosovari mund të them se ka ardhur duke u bazuar në këmbëngulësinë me të cilën njihen kosovarët në Turqi, e në rastin e serialit unë isha këmbëngulës në dashuri dhe e fitova këtë mbiemër, krahas emrit Mehmet, tha para gazetarëve aktori Kenan Imirzalioglu.
Edhe pse popullariteti i tij në Kosovë u vërejt gjatë ditës së premte, Imirzalioglu nuk ishte në gjendje të thoshte asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Nuk e kishte mësuar një të tillë as sa për ti përshëndetur adhuruesit.
Mjafton fjala Kosovë, tha para gazetarëve Imirzalioglu. Ndërkaq, aktori kryesor i filmit Kabadayi, Shener Shen ndër të tjera u shpreh i lumtur që Kabadayi po shfaqet në Kosovë. Jam shumë krenar që ndodhem në mesin tuaj dhe ndihem krenar që ky film do të shfaqet sonte këtu. Por, para së gjithash i kërkoj falje publikut që do të më duhet në disa skena të jem armik i ashpër i të adhuruarit të tyre, Mehmet Kosovarit, tha Shen.
Ndryshe, Java e Filmit Turk, në Kosovë është duke u organizuar për të dytën herë dhe ajo do të zgjasë pesë ditë.