Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe zonja e tij, Liri Berisha, u pritën të shtunën në një audiencë të posaçme në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Benedikti i 16- të, me të cilin pati një takim shumë të ngrohtë dhe të përzemërt, njoftoi Kryeministria shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe zonja e tij, Liri Berisha, u pritën të shtunën në një audiencë të posaçme në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Benedikti i 16- të, me të cilin pati një takim shumë të ngrohtë dhe të përzemërt, njoftoi Kryeministria shqiptare.
Papa Benedikti XVI, takim kokë më kokë me Berishën
Përmes një audience të veçantë, Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI, priti dje në Vatikan, Kryeministrin Sali Berisha, si dhe bashkëshorten e tij Liri Berisha. Pritja madhështore kushtuar Kryeministrit Berisha nisi me ceremonialin e rojeve zvicerane e më pas me takimin e përzemërt kokë më kokë me Papa Benedikti XVI. Gjatë këtij takimi të ngrohtë, Papa Benedikti XVI shprehu garancinë se Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht dhe fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ndërsa Kryeministri Berisha, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen, nderimet dhe respektin e thellë ndaj Papës, për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë shqiptare, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, që në fillimet e demokracisë e deri më sot. Pas takimit me Kryeministrin Berisha, Shenjtëria e tij Papa Benedikti XVI takoi edhe zonjën Liri Berisha, si dhe delegacionin që shoqëronte Kryeministrin Berisha. Në një prononcim mediatik Kryeministri vlerësoi këtë takim të jashtëzakonshëm si rastin më të mirë për të shprehur ndaj Vatikanit mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e pandërprerë ndaj popullit shqiptar. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit theksoi se ky takim ishte një rast i veçantë pasi në dhjetor të vitit 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët, tha Berisha, shoqëruan opozitën e parë shqiptare dhe e ndihmuan atë në betejën për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të vitit 1992. "Në radhë të parë, dua të theksoj se ishte një takim i shkëlqyer, jashtëzakonisht i përzemërt. Ishte një rast shumë i veçantë për mua, për t'i shprehur Shenjtërisë së Tij, mirënjohjen më të thellë, timen dhe të mbarë shqiptarëve. Kombi shqiptar dhe Vatikani kanë një histori të gjatë bashkëpunimi aleance, rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. Por unë gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të vitit 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të vitit 1992", u shpreh Kryeministri.
Selia e Shenjtë pret Berishën njëlloj si Skënderbeun 543 vite më parë
Ajo çka e bën historik takimin mes Kryeministrit Berisha dhe Papa Benedikti XVI është fakti se pikërisht 543 vjet më parë, më 12 dhjetor 1466, Papa Pali II do të priste në Vatikan, në audiencë Gjergj Kastriot Skënderbeun, ditë të cilën Kryeministri Berisha, e cilësoi një datë të paharrueshme. Kryeministri e cilësoi këtë takim, me një domethënie të veçantë, pasi 543 vjet më parë, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu u prit në Vatikan, kërkoi dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Me kënaqësi Kryeministri theksoi se kjo pritje që iu akordua pikërisht më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë është një nga domethëniet më të veçanta të jetës së tij. "Por nuk mund të mos theksoj në këto çaste, një moment kulmor që do të ngelet përjetë në memorien time. Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu u prit në Vatikan, nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, se sa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi", vlerësoi Berisha. Gjithashtu, Kryeministri ka bërë të ditur se gjatë takimit ai ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë Shqipërisë edhe për hapat drejt integrimit në Bashkimin Europian. Kryeministri tha se kishte marrë nga Papa Benedikti garancinë e plotë për vazhdimin e kësaj mbështetjeje në vlerësim të plotë të progresit që ka arritur Shqipëria. "Natyrisht, në bisedimet dhe në audiencën shumë të ngrohtë dhe të përzemërt që më rezervoi, i shpreha mirënjohje për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e integrimit. Papa Benedikti XVI më garantoi se ai dhe Selia e Shenjtë, mbështetin plotësisht procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndjekin me admirim arritjet e vendit në këtë drejtim dhe janë të sigurtë në të ardhmen e shkëlqyer evropiane të Shqipërisë", tha Berisha.
Berisha fton zyrtarisht Papa Benediktin XVI me rastin e 100-vjetorit të Nënë Terezës
Gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë, Vatikan, Kryeministri Berisha i dorëzoi Shenjtërisë së Tij, Papa Benediktit XVI ftesën për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, me rastin e 100-vjetorit të Nënë Terëzës. Kryeministri konfirmoi dëshirën për ta shndërruar vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. Gjatë takimit në Selinë e Shenjtë, Berisha e njohu Papa Benediktin pikërisht me përpjekjet që po bën qeveria shqiptare për ta festuar sa më me dinjitet 100 vjetorin e kësaj figure të madhe të Shqipërisë dhe të mbarë njerëzimit. "Viti që vjen është një vit i madh për mbarë njerëzimin, është 100-vjetori i Nënë Terezës. Unë e shfrytëzova rastin dhe i dorëzova ftesën Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, të cilin e ka ftuar edhe Episkopati i Shqipërisë, që këtë 100-vjetor, ta kthejmë me vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. E njoha gjithashtu me përpjekjet që ne po bëjmë, për ta festuar sa më me dinjitet, për ta nderuar sa më me dinjitet, këtë bijë të madhe të Shqipërisë dhe të mbarë njerëzimit", vijoi Berisha.
Këto 19 vjet shqiptarët përjetuan ringjalljen e besimeve të mëdha
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij edhe për faktin se shqiptarët këto 19 vite përjetuan procesin e ringjalljes së vërtetë, të besimeve të mëdha, të vlerave të mëdha, zhvillimit ekonomik e social. "Një mirënjohje tjetër e madhe, e thellë, ishte se shqiptarët këto 19 vite përjetuan procesin e ringjalljes së vërtetë, ringjalljes së besimeve të mëdha, ringjalljes së vlerave të mëdha, ringjalljes ekonomike, ringjalljes sociale. Në të gjitha këto fusha, Selia e Shenjtë ka kontributin e vet madhor, si në ringjalljen e vlerave dhe besimit te Zoti, rindërtimin e infrastrukturës shpirtërore të shqiptarëve, ashtu dhe në fushën e arsimit, në fushën e ndihmës humanitare, në fushën sociale, në të gjitha fushat e tjera", vijoi Kryeministri. Berisha tha gjithashtu se, në memorien e çdo shqiptari do të mbetet e paharrueshme mbështetja që Vatikani i ka dhënë veçanërisht popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet. Në këtë drejtim, ai tha se pikërisht këto momente të mëdha historike janë urat lidhëse midis Vatikanit dhe Shqipërisë. "Por në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, nxjerrjen e tij nga kthetrat e Millosheviçit me anë të dërguarve të tij direkt në Beograd me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë", tha Berisha.
/Blerina TOSLLUKU, R.D/