Prej tre muajsh, nxënësit e viteve të para në shkollat e mesme udhëtojnë falas me autobus për në shkollë, falë dokumentit që i ka pajisur Ministria e Arsimit.
Por, deri tani, sipas marrëveshjes së mëparshme, Ndërmarrja e Transportit Publik, nuk ka marrë asnjë para, nga Ministria e Arsimit, të cilat do të shlyenin faturat e shërbimeve ndaj nxënësve. Borxhet deri në fund të dhjetorit, do të arrijnë shifrën 450 mijë euro,- thonë nga qyteti i Shkupit.
Kryetari Trifun Kostovski i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, që të shlyejë borxhet, pasi nga këtu, varen edhe pagat e punonjësve të ndërmarrjes publike të transportit.
Ne do të vazhdojmë të lejojmë nxënësit të udhëtojnë kështu megjithatë gjendja në ndërmarrjen publike do të jetë kritike para festive të fundvitit; nuk do të dihet nëse këta punëtorë do të marrin rrogat apo jo, deklaroi Trifun Kostovski, kryetar i qytetit të Shkupit.
Nga Ministria e Arsimit arsyetohen se paratë do ti lëshojnë pasi të nënshkruhet marrëveshje që do të pasonte memorandumin e firmosur për bashkëpunim.
Gjithçka që është e parashikuar me ligj do të paguhet, pasi që fondet janë të siguruara, tha Lupço Spasovski, udhëheqës i sektorit të shkollave fillore dhe të mesme.
Një biletë mujore për një nxënës kushton 1500 denarë.
Ministria në kuadër të Shkupit do të duhet të paguajë bileta për 5 600 nxënës.