Në ditët e sotme, nëse fokusohemi në gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj në media apo në të folurin e përditshëm, ndeshemi hera-herës me fjalë që kapërcejnë kufijtë e standardit dhe të vetë gjuhës shqipe (duke përdorur fjalë të huaja).
Në ditët e sotme, nëse fokusohemi në gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj në media apo në të folurin e përditshëm, ndeshemi hera-herës me fjalë që kapërcejnë kufijtë e standardit dhe të vetë gjuhës shqipe (duke përdorur fjalë të huaja). Por, përveç përdorimeve të tilla, kohët e fundit, kemi ndeshur në të shkruar disa fjalë të shkurtuara, të cilat gjejnë hapësirë pikërisht në atë që do ta quanim e folura kompjuterike dhe bëhet fjalë për gjuhën që përdorin njerëzit (kryesisht të rinjtë) që komunikojnë në chat nëpërmjet internetit.
Parapëlqyem të përdorim pikërisht sintagmën e folur kompjuterike, meqenëse komunikimi realizohet midis njerëzve me anë të kompjuterit, jo si një formë e korrespondencës zyrtare (për këtë të fundit duhet të kemi parasysh përdorimin që ka chat-i). Nga një sondazh i shkurtër që kemi bërë me anë të intervistave tek përdoruesit e chat-it, rezultoi se pjesa më e madhe e tyre e përkufizonin chat-in si një mënyrë të shpejtë komunikimi, si një komunikim që të zgjidh punë, si një komunikim spontan mes njerëzve apo edhe si një mënyrë komunikimi pa e vrarë mendjen. Këto përkufizime nuk i sollëm pa qëllim, pasi këto të çojnë rrjedhimisht në mendimin se në chat me patjetër mund të ndeshemi me fjalë apo shprehje të shkurtuara, meqenëse dhënësi i informacionit kërkon të përçojë mesazhin e tij tek marrësi në një kohë sa më të shkurtër.
Fjalët dhe shprehjet në këtë lloj të folure janë nga më të ndryshmet. Ka përdorime fjalësh a shprehjesh të huaja ose në shqip të shkurtuara, të cilat mund ti klasifikojmë në tri grupe:
1. fjalë a shprehje përshëndetëse hyrëse, të tilla, si: ciao, hi, hello, hola (në vend të përshëndetje në shqip), çkemi (vëmë re dhe mungesën e apostrofit), spk (në vend të si po kalon), stk? (si të kam?), prsh (në vend të përshëndetje) etj.
2. fjalë a shprehje përshëndetëse mbyllëse: tpf (në vend të të puth fort), klm (në vend të kalofsh mirë), flm (në vend të fjalës faleminderit), bacio/baci, puc/pufi (në vend të të puth), hugs (në vend të përqafime), c u (see you) etj.
3. fjalë a shprehje të tjera të shkurtuara të tipit: tl (në vend të të lutem), sh (në vend të shumë), mrsh (në vend të marshalla - mashalla) etj.
Pa u larguar nga grupimi i mësipërm i fjalëve dhe shprehjeve përshëndetëse në MSN mes të rinjve, na bën përshtypje dhe mënyra se si ata i drejtohen njëri-tjetrit me përkëdheli, duke i quajtur p.sh.: ylli (por kemi ndeshur edhe thirroren yllo), zemra, zogu, shpirti, zemrushi, pitushi, motre/motrush (për të shfaqur afri mbi caqet shoqërore në ato familjare), shoqkë, rrusho etj. (në shqip) dhe tesoro, dear, darling (në italisht apo anglisht).
Vlen të përmendim edhe rastin kur femrat i drejtohen njëra-tjetrës, përveçse meshkujve, me: o shoku apo o lali ose o lal.
Në të shumtën e rasteve nuk kemi vënë re përdorimin e shkronjave të mëdha kur niset një fjali e re apo edhe kur lipset përdorimi i tyre në rastin e shkrimit të emrave të përveçëm. Shpeshherë në fjali të tilla nuk vihet as pika për të ndarë njërën fjali nga tjetra, por në këtë rast rolin e saj e luajnë paragrafët e rinj që veçohen here pas here me anë të tastit Enter në tastierë e që në MSN dalin më vete dhe janë lehtësisht të dallueshëm.
Gjithashtu, përpos përdorimeve të shkurtimeve të sipërpërmendura të gjuhës shqipe, ndeshemi shpesh edhe në përdorimin e shkurtimeve të huazuara, kryesisht nga italishtja dhe nga anglishtja. P.sh. thnx (në vend të thanks), pls/plz (në vend të please), ok (në vend të dakord), bc (baci), tvb (ti voglio bene), tvtb (ti voglio tanto bene), tvumdb (ti voglio un mondo di bene), bc (baci), gg (oggi), cmq (comunque), c 6? (ci sei?), lol (laugh out loudly) etj.
Në disa raste kemi ndeshur dhe përdorimin e x-së në vend të ks-së në fjalë të ndryshme, si: Alexandër (për Aleksandër), anex (për aneks), text (për tekst), fix (për fiks), lexion (për leksion) etj. Për paralelizëm, mund të sjellim faktin që në Itali, në të tilla situata, italianët shpeshherë përdorin k në vend të ch apo c, në varësi të fjalës (p.sh. perke për perche etj.).
Siç edhe dihet, secili përdorues i chat-it i përdor fjalët në shërbim të përcjelljes së informacionit në mënyrë të tillë që marrësi ta kuptojë tërësisht atë që ai kërkon të shpjegojë në një kohë sa më të shpejtë. Por, ka edhe raste kur për të njëjtën shkronjë ka interpretime të ndryshme të saj. P.sh. nëse ndeshim një formë të tillë: 1 x në shqip do të kuptohej si një herë, ndërsa në italisht një për (uno per).
Shkurtimet e mësipërme janë bërë tashmë një kod lehtësisht i përkthyeshëm nga mijëra përdorues të chat-it në Shqipëri. Gjuha, si një mekanizëm në lëvizje, pasurohet dita-ditës dhe, ashtu si pa kuptuar, pëson ndryshime në kontekste të ndryshme. Kontekst tjetër të ndeshjes së formave të tilla të gjuhës janë edhe mesazhet (sms-të) që dërgohen me anë të telefonave celularë. Përveç përdorimit të shkurtimeve të mësipërme, ndeshim edhe tekste si në vijim: M prit n mens. Do vij pr 5 min. Ka sh trafik ktu. M co 1 zile kur t lex. sms.
Po të vëmë re këto fjali të thjeshta të tekstit të mesazhit, kuptojmë lehtësisht se çështë shkruar, por ndryshimi nga normalja është pikërisht se disa fjalëve në të shkruar u mungon zanorja ë (e cila në shqiptim përfaqësohet nga bashkëtingëlloret që i paraprijnë); në vend të fjalës së plotë shumë është përdorur shkronja sh, në vend të foljes lexosh (veta e secilës nënkuptohet nga konteksti) është shkruar lex., si dhe në vend të shkronjës ç është përdorur c. Lidhur me ndryshimin e fundit, ku në vend të shkronjës ç përdoret c, mund të themi të njëjtën gjë edhe për shkronjën e që përdoret në vend të ë-së në raste të tjera, qoftë edhe në media sot (sidomos në median televizive).
Si përfundim, mendojmë se përdorime të fjalëve a shprehjeve në kontekste të këtilla nuk mund dhe nuk duhet të kenë ndikim në gjuhën standarde shqipe, pasi këto shkurtesa vihen në ndihmë të folësit elektronik (në rastin konkret, shkruesit) vetëm dhe thjesht për arsye të shpejtësisë së përcjelljes së informacionit me shkrim apo për kursim të hapësirave në mesazhet që shkruhen mes miqsh (kryesisht tek të rinjtë). Gjuha e internetit a e chat-it është një formë e posaçme konvencionale e gjuhës së përgjithshme, qoftë kjo shqipja, italishtja, frëngjishtja, anglishtja etj. Ajo nuk mund të zëvendësojë gjuhën standarde në funksionet e saj.
Gjithsesi, nëpërmjet këtij shkrimi kemi dashur të bëjmë thjesht një përqasje që na u duk me interes për tu hedhur në letër, pasi, sidokudo, kjo mënyrë të shkruari është shtrirë dhe po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë në komunikimin e shkruar të përditshëm mes të rinjve shqiptarë.
Alma Tirana (Kuçaj)