Ashtu si edhe më parë, me strajcë në krah, shqiptarët do të vazhdojnë tia mësyejnë Europës, dhe në vend të vulës së munguar në kufi, ata do të marrin me vete vulën e shanseve të pabarabarta në vendlindjet e tyre
Urra pa viza, por me strajcë në krah
Nga
Emin Azemi
Europa tregohet më buajre, se sa Shkupi në liberalizimin e vizave. Njëqind udhëtarët e parë që udhëtuan pa viza drejt Parisit, më 19 dhjetor të këtij viti, ishin në kuadër të një udhëtimi të organizuar nga ana e institucioneve shtetërore. Kjo vizitë, siç edhe pritej, u komentua para kamerave televizive nga vetë vizitorët, dhe ajo çka la shije të hidhur ishte fakti se ndër të intervistuarit dominonin vizitorët maqedonas. Shqiptarë gati nuk pati, ose nuk u hetua që kishte në atë grup.
Ky selektim i çuditshëm antieuropian, mu në momentin e liberalzimit të vizave, e ilustron mendësinë e vjetër të konjukturave politike maqedonase, të cilët po tregojnë se e kanë shumë vështirë të inkorporohen në vlerat universale qytetëruese. Ata, organizuan një udhëtim shumë spektakular, por brenda kësaj agjende mungonte porosia që Shkupi zyrtar duhej tia transmetonte Brukselit, pikërisht në kohën kur ky shtet ka probleme fundamentale për tu anëtarësuar në BE.
Prandaj, jo vetëm ky shembull, por edhe plotë të tjerë, dëshmojnë se nuk është vetëm çështja e emrit, pengesë e Maqedonisë për të hyrë në BE, por, mbi të gjitha, edhe problemet e joharmonisë brendaetnike, që emërues të përbashkët kanë frustrimin institucional nacionalist maqedonas.
Për ne aspak nuk është relevante pjesëmarrja e ndonjë kuote tepër simbolike shqiptarësh në këtë udhëtim pa viza drejt Europës, sa është me rëndësi kujdesi që ky shtet iu kushton marrëdhënieve ndëretnike, si kusht për një stabilitet të brendshëm dhe një integrim më të përshpejtuar në strukturat euro-atlantike.
Duke e menduar kontestin me Greqinë, si gjoja jetik për të ardhmen eurpiane të Maqedonisë, autoritetet maqedone në Shkup e kanë lënë pas dore menaxhimin e rrethanave brenda në vend. Shqiptarët, të përfaqësuar dobët nga partitë e tyre politike, nuk po kanë shansë dhe adresë ku ti drejtojnë pakënaqësitë e tyre dhe shembujt konkret të diskriminimit etnik, që po vinë drejpërdrejtë nga institucionet e shtetit.
Ortodoksizmi i tepruar i jetës publike në vend, mungesa e kompetencave të drejtuesve shqiptarë nëpër institucione, zhvillimi joproporcional ekonomik e social i rajoneve në Maqedoni, mosfinancimi proporcional i institucioneve arsimore e kulturore të shqiptarëve (rasti më flagrant - USHT dhe disa festivale e veprimtari kulturore), mungesa e zërit të shqiptarëve në politikën e jashtme të shtetit, janë vetëm disa nga kapitujt e hidhur të rrëfimit për pabarazinë e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë.
Udhëtimi pa viza në Europë, mund të jetë një fitore e vogël e demokracisë në Maqedoni, por kjo fitore është e mangët, nëse atë nuk e përjetojnë të gjithë qytetarët njësoj. Në rastin konkret, dikujt iu kujtua që Maqedoninë ta prezentojë në Europë njëtrajtshëm, duke anashkaluar spektrin më të gjërë të përkatësive etnike, gjuhësore e fetare në vend. Shembujt e tillë, ndonëse ilustrativ, mjaftojnë për të diagnostifikuar një mentalitet, i cili në vend të harmonisë, prodhon përçarje, në vend të barazisë, prodhon ndjenjën e izolimit dhe krejt kjo do të ishte e justifikueshme sikur kjo mendësi të mos prekte nervaturën institucionale- shtetërore.
Ashtu si edhe më parë, me strajcë në krah, shqiptarët do të vazhdojnë tia mësyejnë Europës, dhe në vend të vulës së munguar në kufi, ata do të marrin me vete vulën e shanseve të pabarabrta në vendlindjet e tyre.