E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Repertori humoristik i Fishtës, tani në një libër. Për herë të parë, Kujtim Dashi sjell ndryshe për lexuesin shqiptar
At Gjergj Fishta, pėr herė tė parė si humorist





I formuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.

Mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Por, për herë të parë At Gjergj Fishtën do të mund ta zbulojmë si humorist. Duket si e diçka e pabesueshme, por një libër që sapo ka dalë në qarkullim dëshmon anën e qeshur të Fishtës së madh.

Një libër për humorin e Fishtës
"Jam Pater Fishta që them uratë me gishta!" është anekdotologjia, fryt i një pune shumëvjeçare, që ka përgatitur për botim shkrimtari dhe studiuesi Kujtim Dashi. Në të janë përfshirë: Anekdota nga Gjergj Fishta dhe për të; fragmente nga publicistika e proza e Fishtës, që janë treguar dhe mund të ritregohen si anekdota; impulse fishtjane nga vepra satirike dhe publicistike e tij; biobibliografi e zgjeruar për Fishtën, si dhe vlerësime për veprën e tij.

Bashkëkohës e studiues të Fishtës kanë vënë në pah prej kohësh se për të janë krijuar e tregohen shumë anekdota, disa të vërteta e një pjesë e madhe të trilluara prej fantazisë së popullit, apo që ia kanë ngjitur atij duke i marrë prej ndokujt tjetër, siç ka ndodhur e ngjet zakonisht me këtë zhanër. Njerëzit kane kërkuar gjithnjë, që në qendër të anekdotës të kenë si protagonist një figurë shumë të njohur, të besueshme e sa më popullore, e thënë ndryshe, e patundshme; ndonjë politikan i sotshëm do të thoshte gjithëpërfshirëse.

Kjo dëshmon për prirjen e veçantë të Fishtës ndaj humorit, zgjuarsinë e fantazinë e pasur, gjykimin e mprehtë të tij, si dhe për përvojën e madhe jetësore, aftësinë e rrallë improvizuese, çka mishërohet në batutat e tij të befasishme, pikante dhe jetëgjata, që janë përcjellë nga brezi në brez deri në ditët tona. Volteri thoshte se anekdotat janë si kallinjtë që mbeten fushës së historisë pasi kalon drapri i të korrave.
Pra, në këtë rrugëtim të gjatë edhe nëse është shtuar diçka në "kallinjtë" fishtjanë, në çdo rast, krijuesi, me siguri, ka pasur mirë parasysh një "kuotë" a një "referencë" nga Fishta dhe, me siguri, është munduar gjatë që tia atribuojë apo jo atij. Pavarësisht nëse janë origjinale apo janë të krijuara prej të tjerëve që e kanë njohur ose jo Fishtën, fakti që ky repertor fishtjan gjallon në kujtesën e njerëzve njëkohësisht me veprën e tij poetike, satirike, dramatike, publicistike etj., ende sot e kësaj dite, e rëndësishme është se ato bartin dëshmi autentike biografike dhe një qëndrim të veçantë receptiv të veprës së tij letrare e shoqërore; ato mund të vlerësohen edhe si një kronologji humoristike e jetës së Poetit dhe të preokupimeve të mëdha të kohës, i pranishëm ose jo edhe ai në to.

Të drejtpërdrejta ose burimore, do ti konsideronim ato anekdota të mbledhura prej Fishtës, ose prej atyre njerëzve, të cilët kanë pasur miqësi të ngushtë. Bibliografia e pasur dhe variantet e një fabule, të vjela drejtpërdrejt, të publikuara apo të mbledhura në arkiva shtetërore e personale, në monografi a libra memuaristike dëshmojnë për besnikërinë në zbatimin e principit të autoktonisë të kësaj pasurie humoristike fishtjane.

Krijimtaria artistike
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe "Poet kombëtar i shqiptarëve" nga Eqrem Çabej. Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta, si epik të quhej "Homer i Shqipërisë". Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten. Fishta arriti të botojë këngët e para te "Lahuta e Malcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit" dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset", më 1913 boton "Mrizi i Zanave".

Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj. Në tetor 1913 botoi revistën "Hylli i dritës", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve 90-të, krijimitaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.
/gazeta ballkan/

Publikuar: 22.12.2009 | 03:35
Lexuar: 1183 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
edmond ndoj (17/05/2011 17:54:49) GJERGJ FISHTA HOMERI I TROJEVE SHQIPTARE.

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime