Në listën përfundimtare të nxënësve që përfitojnë para, nga Konkursi për ndarjen e bursave nxënësve të talentuar, të shkollave të mesme publike, për vitin 2008/2009, përqindja e shqiptarëve ka degjeneruar në 7. 3 për qind.
Politikat diskriminuese arsimore në Maqedoni, i gjen në të gjitha format e mundshme, të cilat i ka në dorë shteti. E sikur të mos mjaftonte mungesa e investimeve në shkollat ku mësojnë shqiptarë, shkurtimi i buxheteve të universiteteve, sikurse ishte rasti me Universitetin Shtetëror të Tetovës, diskriminimin nacional e gjen deri edhe në bursat që ndahen për studentët dhe nxënës të talentuar, ku pjesëmarrja e shqiptarëve në ndarjen e këtij kulaçi lë shumë për tu dëshiruar.
Në listën përfundimtare të nxënësve që përfitojnë para, nga Konkursi për ndarjen e bursave nxënësve të talentuar, të shkollave të mesme publike, për vitin 2008/2009, përqindja e shqiptarëve ka degjeneruar në 7. 3 për qind. Nga 339 emra të nxënësve të kualifikuar si të talentuar, vetëm 25 janë shqiptarë. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), arsyetohen se lista nuk është ende e përfunduar, pasi me konkurs ishte caktuar të ndahen 500 bursa të këtilla dhe se komisioni ka vlerësuar në bazë të kritereve të konkursit.
Mirëpo, sipas Lidhjeve dhe Asociacioneve të ndryshme shqiptare, diskriminimi nisë që në start, pra që në vendosjen e kritereve. Diplomat për pjesëmarrje në garat rajonale, sikurse janë garat e matematikës, organizuar nga Shoqata e Matematikanëve Plus apo e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) Naim Frashëri nuk merren në konsideratë nga ana e komisionit, ankohen nga LASH-i. Nëse dikush ka vërejtje për rezultatet, ka mundësinë e ankimimit deri te Komisioni i bursave, kundërpërgjigjen në MASH.
Në shtatë listat përfundimtare të fituesve të bursave, nga Konkursi për ndarjen e bursave nxënësve të talentuar të shkollave të mesme, të publikuara në faqen zyrtare të MASH-it, gjen vetëm nxënës me prapashtesa ski dhe ov të mbiemrave të tyre. Aty-këtu, një në 14 raste, gjen ndonjë mbiemër, që tingëllon si prej shqiptari apo etnitetit tjetër jo maqedonas, duke llogaritur edhe ata që kanë prapashtesat ski por që dallohen se nuk janë maqedonas.
Laura Prapaniku, Lajm