Problemi i juaj është një problem i vjetër dhe që nuk është vetëm brengë e juaja. Është problem dhe brengë e imja si kryetar komune, është edhe brengë e dy kryetarëve të komunave të Tetovës dhe Zhelinës
Ashtu siç u premtoi banorëve lokalë të dy Banjicave dhe vendbanimeve tjera të prekura me problemin e deponisë Rusino, kryetari i komunës së Gostivarit Dr.Rufi Osmani i shoqëruar nga kryetari i Këshillit rajonal planor të Pollogut Fatmir Izairi dhe kryetari i komunës së Tetovës Dr. Sadi Bexheti, të dielën në fshatin Banjicë e Poshtme u takuan me ta dhe në mënyrë tejet transparente shtroi problemin në fjalë.
Problemi i juaj është një problem i vjetër dhe që nuk është vetëm brengë e juaja. Është problem dhe brengë e imja si kryetar komune, është edhe brengë e dy kryetarëve të komunave të Tetovës dhe Zhelinës. Dëshiroj tju siguroj edhe një herë se unë si kryetar komune dhe përfaqësuesit tuaj, gjithmonë kemi pas qëndrime të njëjta për këtë problem. Ne nuk kemi hequr dorë nga projekti ku kërkohet të investohen mbi 700 mijë euro në Rusino. Ajo marrëveshje ekziston, ajo është e nënshkruar dhe ajo do të bëhet. Ne vetëm kemi dhënë mundësinë që duke u zhvilluar punët, të barten mbeturinat që janë helm për qytetarët e Tetovës dhe në këtë mënyrë njëkohësisht t'i zgjidhim të dy problemet u tha banjicasve kryetari Osmani.
Kryetari i komunës së Gostivarit u shpreh se kjo komunë me pëlqim edhe të komunave tjera, do të udhëheq me Komisionin e përbashkët për kontrollin e punëve që do të kryhen në Rusino. Nuk do të lejojmë që ujërat e zeza që e ndotnin fushën tuaj të ndodhin edhe në vitin 2010. Do të ndërtohen drenazhet, kanali për rreth fushës dhe ky problem do të tejkalohet. Do vijmë përsëri para jush dhe këtë punë nuk do ta lëmë si ka qenë më parë.
Unë i përkrah kërkesat që i përmendën përfaqësuesit tuaj. Marr përgjegjësi që ato kërkesa që i adresohen Komunës së Gostivarit t'i realizojmë bashkërisht, tha mes tjerash Dr. Osmani. Ai i porositi banorët lokal se kur kanë pritur 6 vite, le të presin edhe këtë vit, por jo duke ndenjur por duke punuar për mbylljen e këtij problemi në mënyrë që ai të mos paraqesë problem as për Gostivarin, por as edhe për Tetovën.
Banorëve të pranishëm iu drejtuan edhe Fatmir Izairi dhe Sadi Bexheti, të cilët gjithashtu u zotuan se vazhdimisht do të jenë në rrjedhë me ngjarjet dhe do të angazhohen në drejtim të zgjidhjes sa më të shpejtë të problemit.
Kryetari i komunës së Gostivarit Dr. Rufi Osmani, nga banorët kërkoi që të jenë të matur në veprimet e tyre dhe të përmbahen nga protestat në të ardhmen, posaçërisht të kenë kujdes me policinë, sepse komuna e Gostivarit nuk ka ingerenca mbi këtë organ dhe nuk mund të bartë përgjegjësinë në rast të ekseseve eventuale të padëshiruara.
Të tre kryetarët u premtuan banorëve se ky nuk do të jetë takimi i fundit me ta dhe se shumë shpejt do të realizohet një takim ku do të jetë i pranishëm edhe ministri i ekologjisë Nexhati Jakupi, si një ndër më të thirrurit për zgjidhjen e këtij problemi.
Në fund, banorët shprehën falënderim për qasjen transparente të tre kryetarëve dhe u zotuan se do të kenë mirëkuptim për zgjidhjen në etapa të këtij problemi, por me kusht që obligimet e marra edhe të realizohen.