Një nga detyrat kyçe të EULEXit do të jetë të luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të punojë së bashku me autoritetet lokale të Kosovës për të përforcuar sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi", thotë Komesari evropian për zgjerimin Olli Rehn në intervistën për Alsat.
Alsat: I dashur Komisioner, ky është tashmë viti i katërt dhe hera e katërt që ju vini në Alsat në ditën e publikimit të raporteve. Alsat siç e dini shtrihet në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë dhe fokusi i pyetjeve do të jetë mbi këto tre vende, unë ju falenderoj që erdhët.
Olli Rehn: "Ju faleminderit shumë. Është një kënaqësi të jem këtu."
Alsat: Po ia nis me Shqipërinë duke iu pyetur cili është progresi apo mungesa e progresit gjatë këtij viti të fundit. Dhe meqë në Shqipëri opozita do të lexojë pjesën më të keqe të raportit dhe qeveria atë më të mirën, na ofroni një lexim të drejtë të tij.
Olli Rehn: "Unë nuk do të përpiqem të luaj rolin e arbitrit në mes qeverisë dhe opozitës. Gjëja thelbësore është që ka patur një klimë më të mirë politike në vend. Ka një konsensus ndërpartiak për objektivat evropiane. Kjo ka qenë thelbësore në lehtësimin e progresit në disa reforma të cilat njihen nga ne në raportin e progresit.
Në të njëjtën kohë ka akoma plot punë për të bërë, përshembull përsa i përket luftës kundër korrupsionit, apo në lidhje me garantimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe aspekte të tjera të zhvillimit ekonomik".
Alsat: Por Z. Rehn, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, drogës dhe trafiqeve, prioritete këto kyçe evropiane, këtë raport e nxjerrin kontradiktor me atë që tregon ç'do ditë kryeministri ynë edhe nëpërmjet reklamave duke treguar se ka luftuar korrupsionin, arrestuar kriminelë, ndërsa në raportin tuaj këto fenomene cilësohen serioze.
Olli Rehn: "Ka pasur disa progrese në këto fusha të cilat i kanë njohur disa vëzhgues dhe organizata ndërkombëtare. Thënë kjo në vend mbetet plot punë për tu bërë dhe sigurisht që ajo që ne kemi nevojë të shohim është që toleranca të jetë zero për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të shohim që këto probleme të adresohen si me vendosmëri njësoj edhe me rezultate konkrete."
Alsat: Z. Rehn teknikisht Shqipëria është vendi i parë që mund të aplikojë për kandidaturën pasi ne kemi nënshkruar dhe po zbatojmë MSA-në. Por ne nuk po inkurajohemi ta bëjmë këtë dhe në raport kuptohet se zgjedhjet janë një kusht kyç që duhet plotësuar para se të kërkojmë kandidaturën.
Olli Rehn: "Shqipëria e ka zbatuar pa pengesa Marrëveshjen e ndërmjetme të Stabilizim Asociimit që është diçka pa dyshim tepër pozitive. Tani është e rëndësishme që Shqipëria të garantojë se zgjedhjet e vitit që vjen do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standartet evropiane. Ky është një test për pjekurinë politike, për stabilitetin politik dhe për demokracinë e vërtetë. Për këtë arësye është e rëndësishme të bindim Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të tij në këto aspekte para se të mund të lëvizim përpara në procesin e përafrimit të Shqipërisë."
Alsat: Dhe kur flasim për zgjedhjet ky ishte një problem për Maqedoninë. Progres i mirë u evidentua në disa fusha, megjithëse nuk u përmbushën si duhet tetë prioritetet. Por sipas raportit ishin zgjedhjet e këqia arsyeja kryesore pse nuk ka datë për çeljen e negociatave.
Olli Rehn:"Është korrekte dhe kjo është një nga arësyet kyçe. Arsye të tjera lidhen me disa nga reformat. Ka patur progres në reformën në drejtësi dhe në polici. Ka progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe në ligjin për gjuhët që është shumë i rëndësishëm. Por njëkohësisht dhe të të njëjtës rëndësi janë mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet e vitit që vjen si edhe legjislacioni dhe proceset zgjedhore që lidhen me to që vendi të shënojë progres. Për më tepër, bojkotimi i parlamenti që ndodhi para disa kohëve nuk është një shenjë e vërtetë stabiliteti apo e një pjekurie politike."
Alsat: Pra mesa kuptoj unë Z. Ren Maqedonisë i duhet të dëshmojë se mban zgjedhje të mira para se të çelen negociatat dhe duhet të presë për to, apo nevojiten edhe kushte të tjera.
Olli Rehn: "Ky është një nga kushtet por neve na duhet të shohim progres edhe në reformat e tjera që përcaktuam në muajt e parë të këtij viti për vendin."
Alsat: Dhe kur flasim për reformat, sa të rëndësishme janë ato nga njëra anë dhe sa e rëndësishme është çështja e emrit dhe a mund të bëjnë pa njëra tjetrën këto dy çështje që rekomandimi juaj të jetë pozitiv.
Olli Rehn: "Cështja e emrit është një çështje dypalëshe që duhet zgjidhur mes dy palëve nëpërmjet ndërmjetësimit të OKB-ve. Por sigurisht që do ti ndihmonte të gjithëve nëse kjo çështje gati e pafund të zgjidhej më mirë shpejt se vonë."
Alsat: Vendi i fundit është Kosova, e pavarur këtë vit por që nuk njihet ende nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Fillimisht si e vlerësoni situatën politike dhe të sigurisë në vend edhe pas vizitës tuaj të fundit.
Olli Rehn: "Në këndvështrimin tim, situata e përgjithshme e sigurisë është e qëndrueshme dhe ka edhe stabilitet politik në kuptimin që atje ka konsensus të gjerë ndërpartiak për sa i përkët objektivave evropiane. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por sigurisht që në të njëjtën kohë ka sfida ekonomike, ndërsa qeveria duhet të zbatojë kushtetutën në mënyrë që të ndërtojë një shoqëri të vërtetë demokratike dhe multi-etnike ku të gjithë qytetarët e Kosovës të ndjejnë se janë të përshirë në këtë shoqëri."
Alsat: Në krahasim me vendet e tjera Kosova kritikohet më rëndë për krim, trafik, drogë e korrupsion etj. Sa përgjegjësi ka për këto qeveria e vendit, sa kanë ndërkombëtarët që kanë qenë aty dhe sa do të kenë ata që vijnë, Euleksi. Dhe kur pritet shtrirja e këtij të fundit në Mitrovicë.
Olli Rehn: "Është e rëndësishme që shtrirja e EULEX-it të mund të realizohet së shpejti dhe para fundit të këtij viti. Dhe në këtë moment po zhvillohen diskutime në Kombet e Bashkuara për të përparuar në këtë objektiv. Një nga detyrat kyçe të EULEXit do të jetë të luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të punojë sëbashku me autoritetet lokale për të përforcuar sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi."
Alsat: A e shihni Kosovën me mardhënie kontraktuale me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit pa njohjen nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Olli Rehn: "Është shumë e rëndësishme që Kosova vetë të dëshmojë se mund të jetë e aftë të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe multi-etnike në përputhje me kushtetutën. Është e rëndësishme që ne të mund të shtrijmë misionin EULEX për të ndihmuar progresin në Kosovë. Dhe unë shpresoj edhe se situata e jashtmë do të evoluojë. Ne kemi vendosur se do të përgatisim një studim aftësie se si ne të mund të ndërtojmë mardhënie kontraktuale mes BE-së dhe Kosvoës. Dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi ne duhet të ndërtojmë mardhënie të forta ekonomike dhe tregëtare dhe të përmirësojmë lëvizjen e lirë, në një linjë me konkluzionet e vendeve anëtare të BEsë në një nga samitet evropiane, të cilat nënvizojnë se Kosova është pjesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor."
Alsat: Cfarë pritet gjatë vitit 2009, përveç liberalizimit të vizave nëse gjithçka shkon mirë. Le të themi a mund të kemi kandidaturën për Shqipërinë, negociatat për Maqedoninë, mardhëniet kontraktuale me Kosovën ?
Olli Rehn: "Në jetë është e rëndësishme gjithmonë që të kesh qëllime dhe objektiva pasi ato ushqejnë progresin. Unë shpresoj dhe unë punoj që ta bëj vitin 2009 vitin e Ballkanit Perëndimor. Dhe unë shpresoj se i gjithë rajoni do të shënojë hapa para në objektivat e tij evropiane."
Intervistoi: Ernest BUNGURI