E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Paniku i minutave të para në errësirë u shkaktua nga një zonjë që një natë më parë kishte parë filmin 2012 (që paralajmëron fundin e botës) dhe po thoshte duke belbëzuar se kishte parë një ëndërr sikur fundi i Galaktikës do të fillojë nga Shqipëria. Panikut shumë shpejt ja zuri vendin mendimi racional për të cilën ne si individ dhe si popull dallohemi sidomos kur përballemi me ngjarje të mëdha.
Reali dhe Gramozi shkėlqejnė nė errėsirė









Nga Lutfi Dervishi

Pak a shumë kjo është përmbledhja e shtypit të huaj për ndjeshjen e djeshme mes Realit (Galaktikëve) dhe Gramozit (Erseksave).

Ndjeshja vendosi një rekord të paparë. Pushimi i ndjeshjes zgjati më shumë se vetë ndjeshja dhe koha ishte e mjaftueshme si për të dhënë zgjidhje për situatën në të cilën u ndodh Qemal Stafa (stadiumi) ashtu edhe për të gjetur shkaqet dhe arsyen e vërtetë të ngjarjes që ndodh vetëm një herë në 1000 vjet.

Paniku i minutave të para në errësirë u shkaktua nga një zonjë që një natë më parë kishte parë filmin 2012 (që paralajmëron fundin e botës) dhe po thoshte duke belbëzuar se kishte parë një ëndërr sikur fundi i Galaktikës do të fillojë nga Shqipëria. Panikut shumë shpejt ja zuri vendin mendimi racional për të cilën ne si individ dhe si popull dallohemi sidomos kur përballemi me ngjarje të mëdha.

Pas 30 minutash në errësirë erdhi propozimi i parë: Reali të largohej menjëherë në aeroport, dhe meqë pjesa e parë e lojës kishte dalë barazim dhe kupa nuk ndahej dot përgjysëm, duhet të merrte me vete edhe ekipin e Gramozit dhe ta përfundonte pjesën e dytë në Madrid. Propozimi u quajt i mirë, por i vonuar në kohë dhe varianti i dytë ishte që të dy ekipet të shkonin në Shkodër dhe të luanin në stadiumin e qytetit verior, vetëm një orë larg nga Tirana. Me këtë rast, shpërndaheshin edhe të ardhurat që u mblodhën nga shitja e biletave si ndihmë ndaj zonave të përmbytura! Ideja e Shkodrës lindi për shkak të gjendjes së rënduar të fushës në të cilën po zhvillohej ndeshja. Megjithëse ka 10 ditë që në Tiranë nuk ka reshje, fusha e Qemal Stafës dukej sikur kishte kulluar gjithë ujin që doli nga kaskada e Drinit.

Por nëse në ato kushte të vështira shumica mendonin për zgjidhjen e problemit, pati edhe tentativa për politizim. Një njeri që thoshte se nuk i interesonte aspak politika tha se e keqja vinte nga mos hapja e kutive! Përgjigja që mori ishte e rrufeshme: “nuk ka problem ne tashmë jemi vend anëtar i NATO-s”. Por kulmi i cinizmit arriti me idenë se vetë Taci ishte i interesuar për këtë skenë në mënyrë që të anullohej ndeshja për arsye madhore dhe të mos i paguante Realit ato 2.5 milionë euro të qelbura!

Hetimi i zhvilluar gjatë gjithë ditës së djeshme hodhi poshtë zërat shumë të besueshëm fill pas përfundimit të ndeshjes, sikur një punonjës i OSSH –së që paska mbërritur me një gjenerator gjigand, nuk ka vënë gjeneratorin në punë, por thjesht ka ndezur çelësin e dritave që e paska ulur krejt padashje me sup futbollisti i Realit, Gutti në momentin që të dy ekipet po dilnin në fushë.

Pista e parë në të cilën u zhvillua hetimi ishte sabotazh në bashkëpunim, për faktin se gjëma ndodhi ndaj një ekipi spanjoll dhe Spanja ka presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Ekpertiza teknike e cila është plotësuar edhe me prova nga vendi i ngjarjes fajëson një mace e cila ka shkaktuar qarkun e shkurtër! Si provë është vetë trupi i pajetë i maces. Shoqata për mbrojtjen e kafshëve shtëpiake ka protestuar para prokurorisë së përgjithshme dhe vetë kryeprokurores Ina Rama, duke thënë se hetimet po bëhen në drejtimin e gabuar. Macja, sipas shoqatës, është viktimë. Ka qenë një mi (brejtës) që kishte ngritur kurthin dhe po krijonte përshtypjen se do të sillej si kamikaz për të shkaktuar qarkun e shkurtër. Macja është hedhur për të kapur/larguar miun dhe ka rënë… në krye të detyrës.

Vetë ekipi i Realit të Madridit është shumë i kënaqur nga incidenti. Presidenti Perez thuhet se ka fërkuar duart dhe lojtarët e kanë dëgjuar të përsërisë se “gjithë punët e mira bëhen në errësirë”. Ekipi i Realit koleksionoi një kupë shumë të rëndësishme dhe... 2.5 milionë euro (pa taksa). Shifra është përgënjeshtruar nga kompania Taci Oil, sepse mesa duket duhet të jetë më e lartë. Vjet ishte Barcelona që i mori gjithë kupat e kampionatet që i dolën përpara). Çdo e keqe ka të mirat e veta. Sikundër u pa nga të gjithë, një nga blerjet më të mëdha të Realit, Kaka u zhbollokua dhe arriti të shënoj një gol ndaj Gramozit. Ky gol ndoshta nuk është goli më i rëndësishëm i Kaka-së, por sigurisht është goli më i paharruar i karrierës së brazilianit. I vetmi i mërzitur nga ekipi i Realit ishte Kristiano Ronaldo, i cili kishte ardhur për të shënuar golin e munguar në Qemal Stafa që nga ndeshja me Portugalinë. Por, më keq e ka pësuar sulmuesi Raul i cili jo vetëm që nuk arriti të shënojë, por i duhet të përballojë edhe furinë e titujve kritikë në Spanjë: “ky njeri e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës me drita e jo më t’i kërkosh gol në errësirë!” Vetë Galaktikët morën një mësim të mirë dhe e kuptuan se Galaktika në të cilën jetojnë është shumë më komplekse. Ajo çfarë është më e rëndësishmja, ekipi i Realit u largua menjëherë nga Tirana dhe lojtarët nuk patën fatin e disa punonjësve të OSSH-së që u mbajtën deri në tre të mëngjesit në ambientet e policisë duke dhënë shpjegime/leksione se si një mace mund të shkaktojë “qarkun e shkurtër” dhe mund të jetë ajo përgjegjësja e vetme për atë çfarë ndodhi.

Ndeshja, e cila u zhvillua në praninë e 68 gazetarëve të huaj (për zgjedhjet e përgjithshme ishin vetëm 18) konsiderohet si sukses për ekipin e Gramozit dhe një veprim strategjik për të mos rënë nga kategoria superiore.

Ashtu si shkuan punët qeveria do të duhet të kishte ngritur pazarin në 4 apo pesë milionë euro për Realin me lutjen që ndeshja të mos zhvillohej në Tiranë, por le të zhvillohej në një vend mik si italia.
Sidoqoftë duhet ta konsiderojmë veten me fat, me shumë fat sepse e keqja e të këqijave nuk ndodhi. Imagjinoni vetëm për një moment sikur Gramozi të kishte … fituar ndeshjen!!!

Publikuar: 24.01.2010 | 12:47
Lexuar: 959 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime