Qëndrimin në Stamboll, kryetari i Gostivarit Dr. Rufi Osmani e shfrytëzoi edhe për ti bërë vizitë kthyese kryetarit të komunës Sulltan Gazi, Xhahit Altunaj, takim i cili kaloi në atmosferë vëllazërore.
Me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së komunave të botës turke, Ertugrul Gazi Saglam, kryetari i komunës së Gostivarit Dr. Rufi Osmani i shoqëruar nga Gëzim Haxhi Ejup - koordinator për bashkëpunim të Komunës së Gostivarit me Republikën e Turqisë, morën pjesë në një takim të vetëqeverisjeve lokale dhe qyteteve të binjakëzuar të këtij Bashkimi. Përveç pjesëmarrjes në këtë takim, kryetari Osmani, gjatë qëndrimit pesëditësh në Stamboll (20-24 janar) realizoi takime edhe me kryetarët e katër komunave të Stambollit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësorë Dr.Osmani u prit nga kryetari i Shoqatës së gostivarasve në komunën Kadiqoj, Omer Safter, në praninë e shumë bashkëqytetarëve tanë të shpërngulur në Turqi. Safter e falënderoi kryetarin Osmani për vizitën, duke i thënë se përveç që është i nderuar, vizitën e cilëson si mbështetje të madhe morale për shoqatën e tyre për të inkurajuar anëtarët të forcojnë aktivitetet e tyre dhe të lidhin ura të reja bashkëpunimi me vendlindjen e tyre .
Omer Safter informoi kryetarin Osmani, se Shoqata e gostivarasve është themeluar me qëllim të bashkimit të emigrantëve nga Gostivari në Stamboll, për nxitjen dhe kultivimin e traditës te brezi i ri, si dhe bashkëpunimin dhe mbajtjen e komunikimit me atdheun e tyre. Në këtë shoqatë janë anëtarë qytetarët me prejardhje nga Gostivari, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike apo fetare. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, deri më tani janë regjistruar mbi 10 mijë gostivaras. "Shoqata e gostivarasve ofron 100 bursa për studentët me prejardhje nga Gostivari. Kryetari i Gostivarit i propozoi kryetarit të shoqatës, që kjo praktikë të zgjerohet dhe ata të ofrojnë bursa edhe për studentët nga Gostivari që studiojnë ose dëshirojnë të studiojnë në Stamboll dhe për nxënësit e dalluar në shkollat e mesme të drejtimeve teknike .
Qëndrimin në Stamboll, kryetari i Gostivarit Dr. Rufi Osmani e shfrytëzoi edhe për ti bërë vizitë kthyese kryetarit të komunës Sulltan Gazi, Xhahit Altunaj, takim i cili kaloi në atmosferë vëllazërore. Për nder të kryetarit të Gostivarit, z. Altunaj organizoi një darkë solemne ku morën pjesë zëvendësit e tij, anëtarët e Këshillit të Komunës dhe anëtarë të kabinetit të kryetarit. Me këtë rast, u shqyrtuan mundësitë për binjakëzim të dy komunave dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos për investime në përmirësimin e kushteve të punës së ndërmarrjes komunale publike "Komunalec Gostivar, me çrast kryetari i komunës Gazi Sulltan shprehu gatishmërinë për të ndërmjetësuar në furnizimin e makinerive me çmime te volitshme dhe me kushte të favorshme pagese për nevojat e kësaj ndërmarrjeje në afat sa më të shkurt kohor.

Gjatë vizitës së njërës nga komunat më të mëdha të Stambollit, komuna Bajrampasha, kryetari Osmani u takua me kryetarin Burge Husein, i cili i është i njohur publikut gostivaras si iniciator kryesor për ndërtimin e shkollës periferike "Mustafa Kemal Ataturk në fshatin Banjicë e Epërme. Burge vuri në dukje se Komuna Bajrampasha ka marrëdhënie të mira me të gjithë Maqedoninë, por marrëdhëniet me komunën e Gostivarit janë të veçanta, sepse në këtë komunë të Stambollit jetojnë një numër i madh i gostivarasve. Ai theksoi se në Këshillin e Komunës Bajramapasha ka këshilltarë me origjinë nga Gostivari, gjë që dëshmon lidhshmërinë dhe bashkëpunimin e ngushtë midis dy komunave.
Vizitën pesëditore në Stamboll kryetari Osmani e shfrytëzoi edhe për shkëmbimin e përvojave me kolegët e tij në komunat e Stambollit. Në takimin me kryetarin e komunës Pendik, Dr Salih Kenan Shahin, u shkëmbyen përvoja për mënyrën e financimit të komunave , gjetjen e investitorëve në sektorin e ndërtimit dhe dhënien me koncesion të shërbimeve publike komunale në Republikën e Turqisë dhe të Maqedonisë. Dr Shahin informoi kryetarin e Gostivarit, se në Republikën e Turqisë përveç fondeve vetjake, komunat marrin mjete edhe nga Banka për zhvillimin e komunave, e gjithashtu pranojnë donacione për projekte kapitale nga Qyteti i Stambollit.
Kryetari Osmani dhe shoqëruesi i tij Gëzim Haxhi-Ejup, u pritën edhe nga kryetari i komunës Bejkoz, z. Juxhel Çelikbilek. Vlen të theksohet se vizita e kryetarit Osmani në Stamboll, ngjalli interes dhe entuziazëm të madh te gostivarasit që jetojnë në këtë metropol botërore dhe të njëjtit kërkuan që kryetari Osmani dhe komuna e Gostivarit të kenë komunikim të vazhdueshëm me komunat në fjale në dobi reciproke.
Rezultatet me konkrete nga kjo vizitë pune pritet të realizohen në muajt e parë të pranverës të këtij viti.