Në Greqi emigrantët do të jenë të parët që do të ndjejnë goditjet e krizës financiare, ndërsa tronditjet që do te shkaktohen në tregun e punës do të kenë si rrjedhojë një krizë të thellë sociale, me përplasje ndërmjet vendasve dhe emigrantëve.
Paralajmërojnë studiuesit
Ky është përfundimi i një studim të publikuar nga pedagogë të Universitetit Bujqësor të Athinës, me temë punësimin dhe integrimin e emigrantëve në shoqëritë lokale.
Ndërsa në Greqi kanë filluar të shfaqen shenjat e para të pasojave nga kriza financiare, me mbyllje ndërmarrjesh të vogla apo reduktim të numrit të punonjësve, studiuesit paralajmërojnë se viktimat e para reale të krizës do të jenë emigrantët.
Personi që ka bërë këtë paralajmërim, është zoti Haralambos Kasimis, pedagog në universitetin Bujqësor të Athinës, dhe autor i mjaft studimeve interesante me temë emigracionin në Greqi.
Zoti Kasimis tregon se ku e mbështet raporti konstatimin se emigrantët do të jenë viktimat e para të krizës financiare:
Emigrantët, përbëjnë një faktor të rëndësishëm të ekonomisë greke, e posaçërisht në disa sektorë të caktuar si ndërtimi, turizmi dhe bujqësia.
Nëse ndërtimet dhe turizmi janë sektorët e parë që do të kenë probleme për shkak të krizës financiare, të parët që do të preken janë emigrantët, që përbëjnë 35-40 përqind të punonjësve në këta sektorë.
Dhe do të preken të parët emigrantët, sepse ata janë edhe një krah pune i më i ekspozuar ndaj zhvillimeve negative, që për më shumë, ka edhe problemet e verta specifike, thotë ai.
Mirëpo, një nga kushtet kryesore që ata të rinovojnë lejen e qëndrimit, është që të kenë të paktën 150 ditë siguracione në vit.
Por pedagogu grek thotë se fenomeni i largimit të detyruar të emigrantëve nga Greqia, meqë atyre do tu paksëohen së tepërmi mundësitë të marrin leje qëndrimi në një rast të tillë, do të jetë i kufizuar.
Mendoj se për emigrantët shqiptarë ky fenomen do të jetë i kufizuar, pasi emigrantët shqiptarë kanë ardhur familjarisht në Greqi dhe kjo nënkupton angazhime specifike, sa i përket asaj që do ta quaja strategji të migrimit. Bie fjala, fëmijtë i ka në shkollë, dhe do të duhet të mendohet mirë para se të marrë vendimin që të largohen, thotë ai.
Por z. Kasimis thotë se ekzistojnë dy mundësi: e para pakësimi i të ardhurave i emigrantëve shqiptarë, apo i emigrantëve në përgjithësi, dhe e dyta, që një pjesë e emigrantëve të lëvizin drejt një statusi të paligjshëm dhe punës së zezë.
Vështirësitë në prag
Pedagogu grek parashikon vështirësitë e mëdha do të shfaqen në fillim të vitit 2009.
Parashikimet e tij ngjajnë serioze dhe e ardhmja për emigrantët, që llogaritet se në vend e kanë kaluar 1 milionëshin, konturohet me vija tepër pesimiste.
Ai thotë se qeveria greke duhet të rishikojë legjislacionin e saj për emigracionin.
Kriza financiare ka krijuar një sërë problemesh, të cilat duhet të preokupojnë edhe hartuesit e politikave të emigracionit. Rrjedhimisht mund të themi se nevojitet një rishikim i kësaj politike në këtë fazë të krizës financiare, thotë profesori Kasimis.
Ndonëse pedagogu grek përsërit disa herë se gjithë parashikimet e tij duhet pritur që të vërtetohen, fakti është se në sheshet e Athinës, është rritur numri i njerëzve që dalin pa lindur dielli, me shpresën se dikush do të kalojë ti marrë për punë.
Në qendër të Athinës, në sheshin Omonia, dominojnë shqiptarët dhe rumunët, ndërsa emigrantët nga vendet afroaziatike, mblidhen disa rrugica më poshtë. Një marrëveshje e heshtur për të ashtuquajturat zona të influencës.
Një luftë e pashpallur që mund të ashpërsohet e të marrë përmasa të rrezikshme në të ardhmen.
Antagonizmi ndërmjet vetë emigrantëve për të siguruar një vend pune, praktikisht do të thotë se do të ulen edhe më shumë pagat. Prandaj themi se pasojat e krizës do ti vuajnë në masë të madhe emigrantët, thotë pedagogu grek.
Robert Goro, Tribuna