Sipas mendimit tim, rrënjët e Konfliktit të vitit 2001 duhet kërkuar që nga momenti i krijimit të Maqedonisë si republikë në kuadër të Jugosllavisë Federative, respektivisht në procesin e mëtejmë evolutiv të Republikës së Maqedonisë.
(me rastin e debatit nga Fondacioni Shoqëria e Hapur në R. e Maqedonisë, në temën: Demitizimi i 2001, më datë 20-21 janar 2010)
Dr. Zeqirja REXHEPI
Ngjarjet e vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë tash më janë një realitet historik, andaj këto ngjarje mund të vështrohen nga prizmi historik. Që në fillim dua të potencoj se, Konflikti i armatosur i vitit 2001 ka mundur të shmanget, sepse çështja ka mundur të zgjidhet përmes procesit politik.
Por, shtrohet pyetja, cila ishte çështje kontestuese që solli deri te konflikti. Përgjigja do të ishte: çështja është e natyrës juridiko-kushtetuese, sepse shqiptarët e Maqedonisë mendojnë se e keqja u vjen pikërisht nga statusi juridiko-kushtetues.
Pra, ne tash më jemi para një fakti të kryer.
Se si do të emërtohen ato, nga këndvështrimi ushtarako-politik, konflikt apo luftë, mendoj se është irelevante edhe pse personalisht mendoj se këto ngjarje ishin një konflikt i armatosur që u përshkallëzuan në një luftë të vërtetë. Për fat të mirë, e tërë kjo nuk mori përmasat e një tragjedie më të madhe.
Që kjo nuk ndodhi, pa dyshim se një kontribut të jashtëzakonshëm dha Bashkësia ndërkomëtare, sikurse dhe faktori politik, si ai maqedonas poashtu edhe ai shqiptar, të cilët morën guximin të nënshkruajnë marrëveshjen e kompromisit, duke hequr dorë nga kërkesat maksimaliste etnike.
Më e rëndësishme për ne dhe brezat që vijnë është, se këto ngjarje përfunduan asisoj që asnjëra palë nuk mund të llogaritet si humbëse apo fituese. Këtë e potencoj, sepse jeta vazhdon dhe ne do të duhet të bashkëjetojmë edhe më tutje në këto hapësira.
Unë në librin tim Zhvillimet politiko-shoqërore te shqiptarët në Maqedoni 1990-2001 jam përpjekur që të përcjell zhvillimin evolutiv të procesit shoqëroro-politik në Maqedoninë e pavarur, dhe me këtë rast i kam prekur edhe ngjarjet e vitit 2001. Edhe pse personalisht, edhe atëherë, edhe sot, mendoj se kapitulli i luftërave në Jugosllavinë Federative mbyllej me Luftën e Kosovës 1999.
Megjithatë, edhe përkundër bindjes sime, jemi para një fakti të kryer ngjarjet e vitit 2001 kanë ndodhur dhe shkencëtarët (historianët) do të duhet të thonë fjalën e tyre nga një këndvështrim i tillë, ku si model do të merreshin vendet e dalura nga konfliktet dhe që kanë treguar sukses në procesin e ngritjes së shtetit. E them këtë, sepse si pedagog i historisë kam parasysh se, duhet ti përgjigjem pyetjes së studentëve të mi, pse na ndodhi 2001.
Kjo është e patjetërsueshme në rrethanat tona, sepse ne patjetër duhet ti kultivojmë brezrat e rinj në frymën e mirëkuptimit, që përmes një energjie pozitive ti hulumtojmë pikat e afrimit për një bashkëpunim ndëretnik, me theks të veçantë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo logjikë e re e të menduarit, për të gjitha proceset pa edhe për marrëdhëniet ndëretnike, mendoj se do të ishte kompatibile me proceset e reja të qytetërimit bashkëkohor evropian.
Unë mendoj, se debati rreth konfliktit të vitit 2001, nuk mund të veçohet nga zhvillimi evolutiv i Republikës së Maqedonisë. Në qoftë se veçohet, atëherë të gjithë ne, me apo pa dashje, do të biem në një situatë të re atë të konfliktit verbal, ku secila palë do të paraqes argumentet e veta, por problemi në esencë do të mbetet i pazgjidhur.
Prandaj, e tërë kjo duhet të debatohet me tërë komleksitetin, duke shfrytëzuar faktet shkencore për të kaluarën, natyrisht duke shfrytëzuar energjitë pozitive të shkencëtarëve, që kam bindjen se në Maqedoni ka mjaft, por nuk mund të vijnë në shprehje.
Si historian më vjen mirë që është hapur tema rreth ngjarjeve të vitit 2001. Mirëpo, unë mendoj se në qoftë se ndodh një konfliktë apo luftë, atëherë kjo është një tregues i qartë se ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme në shoqëri. Në qoftë se bëjmë krahasimin përmes një analogjie mjekësore, do të thotë se ka ndodhur një sëmundje e rëndë tek pacienti, dhe për të shëruar këtë sëmundje ne duhet zbuluar diagnozën, ndërkaq për të zbuluar diagnozën, ne duhet të njohim historikun e sëmundjes.
Në rastin tonë, të debatit rreth Konfliktit të vitit 2001, patjetër do të duhet të konstatojmë se ekzistojnë dy shtigje të mundshme të zgjidhjes së çështjes:
I pari, është kompatibil me proceset bashkëkohore evropiane, dhe,
I dyti, është në kundërshtim me këto procese.
Më duhet të pranoj faktin, se në fazën e shpërbërjes së Jugosllavisë Federative vetëm Sllovenët i kishin kuptuar drejt proceset rreth Evropën e Bashkuar, (prandaj sot Sllovenët janë në Evropë, ndërsa ne ...), ndërkaq të gjithë të tjerët u zhytën në konflikte të njëpasjëshme, gjë që shkaktoi ngecjen e procesit drejt integrimeve euro-atlantike. Nuk ishte kjo hera e parë e ngecjes së proceseve në Ballkan, kjo ishte hera e fundit, dhe dhashtë zoti të mbetet e fundit. Më duhet të rikujtotj, se popujt e Ballkanit gjatë tërë historisë kishin ngecur, në përpjekjet e tyre, shumë prapa qytetërimit evropian, pra edhe kësaj radhe i mbetën besnik kësaj ngecjeje. Ndërkaq, popujt e Evropës Lindore dhe ata që jetonin për rreth Jugosllavisë Federative, ngritën institucionet demokratike (atje ku duhej të ndahen edhe u ndanë, rasti Çekisë dhe Sllovakisë ose rasti i BRSS) dhe kapën hapin drejt Evropës.
Në rastin tonë, në Maqedoni, cilët ishin tendencat kundërshtuese ndëretnike që sollën deri te konflikti i armatosur?
Nga njëra anë ishte tendenca e popullit maqedonas për të krijuar shtetin kombëtar, dhe nga ana tjetër tendenca e shqiptarëve të Maqedonisë të marrin hisen e vet në këtë shtet.
Rreth kësaj çështjeje, do të duhet të rikujtojmë se në shekullin XIX dhe XX të gjithë popujt evropanë, kush më shumë e kush më pak ishin të infektuar nga miti i shtetit kombëtar, ku përmes forcave të popullit vetanak do të mund të dominojnë hapësirën evropiane. Edhe popujt e vegjël nuk bënin përjashtim nga ky infektim. Edhe ata dëshironin të krijonin shtetet e tyre kombëtare. Në shikim të parë kjo duket e drejtë, sepse në geton kombëtare popujt sikur ndjehen më të sigurtë. Mirëpo, me kalimin e kohës, aq më tepër sot, në konstelacionin e rrethanave të reja në Evropë, një botëkuptim i tillë duket anakronik.
Në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë Federative, ne popujt e Ballkanit nuk kemi mundur të kuptojmë assesi, pra as edhe sot e kësaj dite nuk arrijmë të bindemi se qytetërimi evropian ecë nëpër shtigje të reja, të cilët e demitizojnë principin e shtetit-kombëtar.
Pra, ti kthehem çështjes që është hapur: si i shoh unë ngjarjet rreth Konfliktit të vitit 2001.
Sipas mendimit tim, rrënjët e Konfliktit të vitit 2001 duhet kërkuar që nga momenti i krijimit të Maqedonisë si republikë në kuadër të Jugosllavisë Federative, respektivisht në procesin e mëtejmë evolutiv të Republikës së Maqedonisë.
Të përkujtoj, se në përfundim të Luftës së Parë Botërore, shqiptarët patën fatin e keq, sepse u lanë të ndarë përgjysmë: gjysma në Shqipërinë e pavarur dhe gjysma tjetër në Mbretërinë SKS, edhe pse shqiptarët sikurse gjithë popujt tjerë ëndërronin për atdheun e tyre të përbashkët. Ndërsa, populli maqedonas, në këtë periudhë ishte akoma më keq, ai jo vetëm u nda, por edhe nuk u njoh si entitet i veçantë. Pra, e keqja ishte e përbashkët. Andaj, logjikisht në fatkeqësi njerëzit afrohen midis tyre, sepse i lidh i njëjti problem. Territori, ku këta popuj do të mund të bashkëpunonin për lirinë e tyre ishte pikërisht Maqedonia e sotme. Por, zhvillimet e mëvonshme historike treguan se ka munguar fryma e bashkëpunimit në mes këtyre dy popujve të robëruar.
Pra, për periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, populli maqedonas dhe shqiptar ishin pothuajse në të njëjtën pozitë, por kjo ndryshoi rrënjësisht në kuadër të Jugosllavisë Federative, pas Luftës së Dytë Botërore.
Por, si është zhvilluar i tërë procesi juridiko-kushtetues i Republikës së Maqedonisë në Jugosllavinë Federative?
Atë që thashë më lartë, se principi i shtetit kombëtar si një lloj miti evropian i shekullit XIX, nuk do të lë anash as dhe popujt e vegjël, pra as maqedonasit dhe as shqiptarët. Ky proces i indoktrinimit nëpërmjet principit të shteti-kombëtar, vazhdoi edhe në periudhën e sistemit komunist, edhe përkundër doktrinës komuniste, e cila u përpoq kinse të eliminojë faktin e theksimit të kombit. Një shembull konkret për këtë mund të na shërbejë Kushtetutа е RPM, të vitit 1946 ku në nenin 1 thuhet: Republika Popullore e Maqedonisë është shtet me formë republikane. Sistemi komunist me mjeshtri e ka evituar potencimin e asaj që llogaritet si kombëtare, natyrisht duke u përpjekur që mbi baza të doktrinës komuniste të ngritë marrëdhëniet ndëretnike. Mirëpo, në fazat e mëvonshme, edhe vetë sitemi komunist sikur heq dorë nga nga ky princip dhe vendos principin tjetër, ku njësitë federale patjetër duhej të kishin një titullar të kishin një zot. Ky proces, në Jugosllavinë Federative, solli në zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974, e cila i emërton bartësit e sovranitetit. Kjo zgjidhje kompromisi nuk ishte vullneti i strukturave politike në Maqedoni, por ishte e dirigjuar nga Qendra e sistemit, si rezultat i principeve universale të vendosura në Jugosllavinë Federative. Me këtë zgjidhje, Republika e Maqedonisë u përkufizua jo vetëm si shtet i popullit maqedonas, por edhe kombësisë shqiptare dhe turke: Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke.
Do të kishte qenë ideale, sikur Maqedonia e pavarur si pikënisje të kishte bazën kushtetuese të vitit 1974. Jam shumë i bindur se po të kishte vazhduar ky proces edhe pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, të gjithë ne në Maqedoni do të kishim një rrjedhë të natyrshme të procesit të zhvillimit të shtetit dhe natyrisht nuk do të kishim as dhe ngjarjet e vitit 2001.
Pra, në qoftë se vijmë deri te konstatimi se në procesin evolutiv të Republikës së Maqedonisë janë bërë gabime politike, atëherë mendoj se të gjitha gabimet mund të rrumbullakësohen në një fjali:
Heqje dorë nga fryma e Kushtetutës së vitit 1974.
Pra, me këtë rast kemi një proces të rikthimit pas, do të thotë me ndërimet kushtetuese të vitit 1989 dhe më pas me aprovimin e Kushtetutës së 17 nëndorit 1991. Mendoj se garnitura politike e kohës, (e vitit 1991) po të kishte qenë pak më vizionare, e kishte shansin historik të krijojë një model shteti të veçantë - Zvicër Ballkanike.
Aktualisht, sipas Kushtetutës aktuale, ne jemi aty diku si zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974, por çmimi që kemi paguar është shumë i lartë nga njëra anë humbjet e jetëve të njerëzve dhe dëmet materiale, dhe nga ana tjetër, rrënimi i marrëdhënieve ndëretnike, të cilat do të mund ti sanojë vetëm koha.
Me këtë rast, dua të potencoj një fakt, se shqiptarët e Maqedonisë ndonëse i ka tërhequr fryma e principit të shtetit etnik kombëtar, kur nuk kanë hartuar ndonjë projekt, i cili do ti shkëpuste ata nga Maqedonia. Pra, gjatë tërë kohës, prej se ekziston Republika e Maqedonisë, shqiptarët e Maqedonisë kanë kontribuar brenda këtij shteti. Në qoftë se dikush është i njohur për ndonjë projekt për shkëputje nga Maqedonia, atëherë është mirë që shkenca të njihet me këtë projekt.
Cili ishte kontributi i shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë?
Me këtë rast, do të përmend vetëm tri çështje kryesore:
Në Luftën Antifashiste, shqiptarët e Maqedonisë është fakt se u kyçën më vonë, sepse PKJ në platformën e saj nuk ofronte atë që ofronte për popujt tjerë dhe konkretisht për popullin maqedonas. Ndërkaq, nga ana tjetër regjimi i okupatorit fashist, për herë të parë në hapësirat e banuara me shqiptarë (Ish Jugosllavi) hapi shkollat në gjuhën shqipe.
Është e qartë se kjo ishte një lojë mashtruese për ti përfituar shqiptarët, por në rrethanat e kohës kjo ishte një realitet i kapshëm.
Pas përfundimit të Luftës Antifashiste, shqiptarët morën pjesë aktive në ngritjen ekonomike të vendit (të dhënat flasin se një numër i madh i shqiptarëve sillnin para të majme në Republikën e Maqedonisë, si nga territori i Jugosllavisë, poashtu edhe nga bota e jashtme. Pra, Republika e Maqedonisë e kishte një Minierë ari që sillte burime të mëdha materiale për buxhetin e Republikës.
Ndërkaq, në kohën e shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, faktori politik shqiptar jo që nuk e pengoi këtë proces, por e ndihmoi në të gjitha aspektet. Aq më tepër, këët proces e ndihmoi edhe faktori kosovar dhe Shqipëria, e cila ishte e para që e njohu shtetin e pavarur dhe kombin etnik maqedonas.
Shkup, 20-21 janar 2010
Autori është ligjërues në USHT, katedra e historisë