Shpesh herë kur dëshirojmë të vlerësojmë apo devalvojmë diçka përdorim shprehjen: më lirë...shëndet! Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi dëshmitarë të shumë fushatave parazgjedhore populiste ku në mes tjerash, premtohej edhe shëndetësi e lirë apo shëndetësi pa para për të gjithë. Shtrohet pyetja, sa kushton shëndetësia? Më konkretisht, sa kushton ajo në Maqedoni?
SHËNDETËSIA NË MAQEDONI
Hysein Reka
Nëse i bëjmë një përmbledhje të shkurtër sistemit shëndetësor të Maqedonisë në njëzet vitet e fundit, do të shohim se kemi kaluar nëpër reforma të shumta të dizajnuara dhe implementuara nga Ministria e Shëndetësisë, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Banka Botërore, të cilat qëllim final kanë përmirësimin e statusit shëndetësor të popullatës dhe në mes tjerash edhe ndërtimin e një sistemi shëndetësor finansiarisht vetëpërmbajtës. Të kuptohemi, ky proces në shëndetësi që ka vazhdimësinë e vet nuk duhet të merret si mangësi meqë edhe sistemet shëndetësore më të zhvilluara në botë janë në një proces të ngjashëm, si për shembull Franca, Gjermania, shtetet Skandinave dhe sidomos SHBA-të në vitin te fundit. Se sa "hajr" shohim ne nga ky proces këtu në Maqedoni është çështje për tu diskutuar në ndonjë rast tjetër.
Duke mos aluduar në thënien e lartpërmendur se shëndeti dhe kujdesi shëndetësor është gjë e lirë (gjeneratat më të vjetra mund edhe të dakordohen me këtë thënie) dhe lidhur me ndodhitë e fundit në shëndetësinë në Maqedoni, është intriguese të shihet se sa është në të vërtetë i "lirë" shëndeti ose kujdesi shëndetësor në Maqedoni?
Sipas Raportit Europian të Organizatës Botërore Shëndetësore (OBSH) për vitin 2009, në Regjionin Europian rritja mesatare e shpenzimeve shëndetësore si përqindje e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) ka lëvizur nga 7.3% në vitin 1998 në 7.7% në vitin 2005, nga e cila, rritje më të madhe ka regjistruar grupi EU 15 (prej 8.5% në 9.6%) dhe EU 12 (prej 5.8% në 6.5%). Sipas Raportit të njëjtë, përjashtim nga ky trend rritës ka bërë shumica e shteteve të ish Bashkimit Sovjetik (një mesatare prej 5.5%), Shqipëria, Kroacia, Estonia, Lituania dhe Finlanda.
Sa i përket Maqedonisë, të dhënat flasin se shpenzimi mesatar shëndetësor si përqindje e BPV-së për periudhen 1996 2006 ka qenë 8% (7.8% në vitin 1996 dhe 8.2% në vitin 2006). Krahasuar me vendet e regjionit Maqedonia gjendet në një nivel solid me Slloveninë, Kroacinë, ndërsa më mirë se disa shtete te sapokyçyra në Bashkimin Europian (BE) si Çekia dhe Sllovakia (6.8% dhe 7%). Kuptohet, nga këto të dhëna nuk mund të japim përfundime pozitive për finansimin shëndetësor duke e ditur mirë nivelin e ulët të BPV-së që ka Maqedonia krahasuar me vendet e lartëpërmendura.
Për fat të keq reth 30% të këtyre harxhimeve i përbëjnë harxhimet private ose të ashtuquajturat harxhime nga xhepi (out-of-pocket), dhe sipas po të njejtit Raport, të ashtuquajturat "pagesa shëndetësore katastrofale" (sipas OBSH-së këto janë shpenzime shëndetësore që tejkalojnë 40% të të ardhurave të një familje) pothuajse krejtësisht eliminohen nëse kjo vlerë është ndër 15%. Ky indikator është një parametër i rëndësishëm të cilit vendimmarrësit në sektorin e shëndetësisë duhet ti kushtojnë më shumë vëmendje në të ardhmen.
Parametrat e tjerë finansiarë tregojnë se Qeveria e Maqedonisë ka rritur shpenzimet në shëndetësi deri më 446$ ndërkombëtar për kokë banori në vitin 2006, prej 286$ ndërkombëtar në vitin 1997 (OBSH e definon këtë parametër si - harxhimet e përgjithshme qeveritare në shëndetësi për kokë banori të shprehura në dollar ndërkombëtar apo $ int). Krahasuar me vendet në regjion, Maqedonia në vitin 2006 ka shpenzuar diçka më shumë se Serbia (373$ int), shumë më shumë se Shqipëria dhe Mali i Zi (127$ int dhe 93$ int) dhe më pak se Bosna dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia dhe Sllovenia (454$ int, 869$ int, 1,317$ int dhe 1,507$ int). Sa për ilustrim, në këtë kategori rekordin e mban Luksemburgu me 5,233$ int, e ndjekur nga Franca me 2,833$ int, Danimarka me 2,812$ int, Holanda me 2,768$ int e kështu me rradhë.
Sa i kushtohet rëndësi finansimit shëndetësor në Maqedoni?
Për të kuptuar rëndësinë që i përkushton një Qeveri finansimit të sistemit shëndetësor, zakonisht analizohen shpenzimet shëndetësore si përqindje e shpenzimeve të përgjithshme qeveritare apo publike. Të dhënat për vitin 2006 flasin se Maqedonia me 16.5% të dedikuara për shëndetësinë nga shpenzimet e përgjithsme të Qeverisë qëndron më mirë krahasuar me vendet e regjionit (Sllovenia -13.5% dhe Kroacia-13.9%) dhe është shumë afër me disa vende më të zhvilluara te BE-së si për shembull Franca dhe Holanda (16.7% dhe 16.4%). Kjo vlerë pritet që të jetë edhe më e lartë për vitet e ardhshme duke marë parasysh disa vendime qe u bënë gjatë tre viteve të fundit, siq janë mbulimi i deficiteve kronike të Institucioneve Publike Shëndetësore (klinikat, spitalet, shtëpitë e shëndetit) (e njohur në opinion si shlyerja e borxheve) dhe shpenzimet e pjesërishme dhe të planifikuara për modernizimin e aparaturës medicinale.
Ky indikator edhe pse është mjaft pozitiv dhe inkurajues, nuk mund të analizohet si i izoluar pa e pasur në këtë rast parasysh kapacitetin fiskal të një shteti (shpenzimet totale qeveritare si përqindje e BPV-së) i cili në rastin e Maqedonisë është diku 35% për vitin 2006. Prodhimi i këtyre dy indikatorëve na i jep shpenzimet qeveritare/publike në shëndetësi si përqindje e BPV-së (5.7% për vitin 2006).
Besoj se shumica e lexuesve do të dakordohen me konstatimin se finansimi i shëndetësisë në Maqedoni është në një nivel relativisht solid krahasuar me regjionin dhe shtetet anëtare të reja të BE-së (EU12). Megjithatë, shtrohet pyetja: çka shkaktoi deficitin e ri në sektorin shëndetësor? Si u arrit që për një vit të gjenerohet deficit prej 11 milion eurosh, kur një vit më parë Qeveria u shlyu 80 milion euro borxh klinikave, spitaleve dhe shtëpive të shëndetit?
Nëse më herët erdhëm në përfundim se finansimi është relativisht i mirë (ku pothuasje 1/3-ën e kësaj bare e mbajnë vetë qytetarët), atëherë shpjegimi i vetëm është menaxhimi jo adekuat (mos të themi katastrofal) i finansave në shëndetësi. Sa për informim, edhe pse menaxheret e IPSH-ve janë ata që drejtpërdrejt menaxhojnë me këto mjete, FSSH sipas Ligjit për Sigurim Shëndetësor merr masa për përdorim efikas, efektiv dhe ekonomik të mjeteve të grumbulluara nga sigurimi shëndetesor i detyrueshëm. Që të jetë absurdi edhe më i madh, mu për këto shkaqe u shpenzuan disa qindra mijë dollarë nga huaja e Bankës Botërore për reforma në shëndetësi në organizimin e kurseve speciale për menaxhment shëndetësor.
Kuptohet, faji nuk është vetëm i menaxherëve të spitaleve dhe klinikave (me disa përjashtime) por këtu përgjegjësi të madhe ka edhe Fondi si blerës i shërbimeve shëndetësore për siguruesit e vet. Fondi, pikërisht për shkak të obligimit të lartpermendur që ka si institucion nuk mund të amnestohet me thënien se ai vetëm i cakton buxhetet dhe se si menaxhohen ato - është problem i spitaleve dhe Ministrisë. Aq më tepër, Fondi si institucion që menaxhon me paratë nga kontributet per sigurim shëndetësor ka përgjegjësi dhe obligim të sigurojë qasje në shërbime cilësore shëndetësore për siguruesit e vet, dhe nuk guxon të mbyllë sytë para këtyre fenomeneve.
Një gjë tjetër që poashtu brengos është se pse duhej të kalojë një vit i plotë që të zbulohet se kemi krizë kur dihet se çdo institucion shëndetësor është i obliguar të jep raport finansiar mujor dhe tremujor për punën që bën? A duhej alarmi të kyçej tani kur situata është keqësuar në vend se të bëheshin analiza tremujorëshe dhe të sinjalizoheshin problemet me kohë?
Problemi aktual është majft delikat dhe për në zgjidhje fatlume kërkon qasje serioze dhe profesionale. Për fat të keq, ambienti i përgjithshëm ekonomik dhe shkurtimet buxhetore lejojnë shumë pak hapësirë manevruese për zgjidhjen e problemit, ndërsa alternativat e mundshme janë mjaft të dhimbshme dhe jo populare. Pasi çdo tentim për futjen e tatimeve plotësuese për të mbuluar këtë deficit është në kundërshtim me politikën aktuale qeveritare (financiare dhe ekonomike), në momentin e pikërishëm mbetet të bëhet analizë e strukturës së buxheteve ekzistuese dhe shkurtimi i mjeteve në pjesët që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me procesin e dhënies së shërbimeve shëndetësore (pacientet sguxojnë të pësojnë për gabimet e të tjerëve).
Sa i përket hapave afatgjate, është më se e qartë se ka nevojë për reforma në mënyrën e finansimit shëndetësor në Maqedoni (sigurim shëndetësor vullnetar, efikasitet më i madh në punën e Fondit dhe spitaleve) dhe alokim të resurseve financiare në mënyre të drejtë dhe të barabartë.
Këto janë momente të vështira në të cilat aftësitë udhëheqëse dëshmohen dhe kërkojnë sakrifica të shumta si kolektive ashtu edhe personale. Shembull i mirë është përpjekja e Presidentit Obama për reformimin e sistemit shëndetësor në SHBA dhe problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet propozim-ligji i tij.
Për fund - shëndetësisë në Maqedoni i duhet më pak politikë dhe më shumë profesionalizëm, vazhdimësi në politikën kadrovike dhe menaxhuese, dhe shumë, shumë sabër për rezultate pozitive.
Për ndryshe, më kollaj dhe më lirë....shëndet!
Autori është Magjistër i Politikës Shëndetësore Ndërkombëtare dhe Specialist i Ekonomisë së Shëndetësisë