E diel, 5.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Aktorë të brezit të Kadri Roshit, regjisorë, operatorë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, njerëz nga i gjithë spektri politik, miq dhe dashamirës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut, i cili u dallua gjatë të gjithë jetës për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e tij.
Pėr patriarkun e skenės shqiptare, Kadri Roshi










-U nda nga jeta tre vite më parë më 6 shkurt -

Flora Nikolla

- I gjithë komuniteti i artistëve shqiptarë, është përkulur me nderim tre vite të shkuara, para trupit të pajetë të Kadri Roshit, kolegut dhe profesorit të tyre, aktorit të madh të skenës dhe kinematografisë shqiptare.

Aktorë të brezit të Kadri Roshit, regjisorë, operatorë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, njerëz nga i gjithë spektri politik, miq dhe dashamirës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut, i cili u dallua gjatë të gjithë jetës për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e tij.

Shumë fotografi nga rolet e tij më të spikatura shoqëronin këtë ceremoni. Të vendosura në hollin e Teatrit Kombëtar, shumë pak larg skenës ku Kadri Roshi interpretoi për herë të parë në vitin e largët 1945, ishin shoqërueset më fisnike të ceremonisë, ku për herë të parë nuk u dëgjua zëri dhe fjala e goditur e aktorit të madh.

Heshtje dhe lotë nën tingujt e muzikës funebër, mbizotëruan për gati dy orë homazhet në kujtim të figurës së aktorit autodidakt të skenës shqiptare nga qindra njerëz shumë prej të cilëve dashamirës të artit të tij.

Kanë nderuar kujtimin e tij, Presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha , Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

"Me Kadri Roshin skena shqiptare humbi gjeniun e saj në shumë aspekte", u shpreh për median Kryeministri Berisha. Duke vlerësuar aktorin e madh si "të papërsëritshëm në artin skenik shqiptar" Kryeministri e konsideroi humbjen e tij "si një humbje jo vetëm për artin skenik, por për mbarë botën kulturore dhe artistike të vendit dhe për të gjithë kombin".

Ndërsa në librin e ngushëllimeve, Kreu i qeverisë shkroi, "Gjeniut të artit skenik shqiptar me nderim të madh".

"Ai ka qenë dhe do të jetë një aktor i pazëvendësueshëm", u shpreh atë ditë për median e ndjera ,aktorja e njohur Violeta Manushi, duke kujtuar interpretimin e saj të parë me Kadri Roshin, në filmin e parë shqiptar "Tana", realizuar me skenar të Fatmir Gjatës.

Dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha, tha se "gjithnjë kishte adhuruar figurën e tij". Duke vlerësuar interpretimin e devotshëm artistik të Kadri Roshit në drama, ai tha se "patriarku i madh Kadri Roshi është ndarë nga ne vetëm fizikisht.., shpirtin ai e ka lënë në veprën e tij".

Jo pa keqardhje, kujtoi dramën "Të pastrehët" një vepër që ai e kishte shkruar enkas për aktorin e madh, por që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mundi ta interpretonte dot.

"Kadri Roshi është korifeu i skenës shqiptare, themelues i shkollës dramatike në vitin 1945 dhe i teatrit kombëtar", u shpreh aktorja Drita Pelingu .
Regjisori i njohur, Kujtim Çashku, i cili ka punuar në një numër të konsiderueshëm filmash me aktorin e njohur u shpreh , "se sa kohë që të kalojë, unë do të jem vetëm një nxënës përpara veprës së tij".

-Kadri Roshi u la lamtumirën të gjithëve nga shtëpia e tij-


Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Kadri Roshi, nuk kishte si të mos i jepte në një ditë me shi lamtumirën e fundit shtëpisë që e rriti.

Dhe sikundër i takon të zotit të shtëpisë, ashtu edhe në atë ditë të trishtë, Ai për herë të fundit priti miqtë e shtëpisë së tij të madhe, me ata që ai kaloi një jetë të plotë artistike, priti spektatorin që e duartrokiti për vite me rradhë.

I pafjalë, kësaj here, ai iku duke i lënë gjithësecilit që ka jetuar me të, që e ka takuar atë, që e ka ndjekur në rolet e tij në skenë dhe kinematografi , fjalën dhe gjenialitetin e artistit lindur në Mallakastër, një zonë e fortë nga relievi, sikundër ishte edhe karakteri i Kadri Roshit.
Kadri Roshi

Historia e teatrit është shumë e gjatë" thoshte ai, duke shtuar bujarisht se "të tjerë do të kenë fatin ta çojnë më tej këtë histori sa të bukur, aq edhe të mundimshme".
"Sa të jem gjallë do të luaj në skenë, edhe sikur gjunjët të më dridhen", tregonte ai.

Në një nga ditët e shëndetit të përkeqësuar, ai do rrëfente se me intepretimin e tij në filmin e regjisorit Viktor Gjika, "Njeriu me top" kishte realizuar rolin e karrierës: "Plaku Mere është kurora e roleve të mi. Atë e kam ndërtuar vetë nga e para, si kam ditur."

Ai e nisi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21 vjeçare, për të ushtruar profesionin e suflerit, ndërkohë që ai provoi talentin e tij në një vepër të Gogolit, e cila i dha suksesin e parë në publik.

Pas kësaj ai shihet si një artist me të ardhme, gjë e cila solli shkollimin e tij në Zagreb dhe më pas diplomimin shkëlqyshëm në Pragë. Por nuk ishte diploma ajo që i dha lavdinë, por dashuria e madhe për punën, gjë të cilën e tregojnë dhe 170 rolet e krijuara prej tij në skenë dhe kinema.

"Historia e teatrit është shumë e gjatë" , thoshte ai, duke shtuar se "të tjerët do të kenë fatin ta çojnë më tej këtë histori sa të bukur aq edhe të mundimshme".

Kur aktori i njohur në vjeshtën e vitit 2004 kaloi një gjëndje të rënduar shëndetësore nga shtrati i pavionit në spitalin ushtarak do të deklaronte se nuk shpresonte të ngjitej më në skenë. Kur gjendja e tij nuk jepte asnjë shenjë përmirësimi, Ministria e Shëndetësisë mori përsipër kurimin e aktorit në një nga klinikat e Ankarasë, në Turqi.

"Syri magjik", filmi i regjisorit Kujtim Çashku e ktheu sërish në sheshxhirim Roshin, por për këtë fakt nuk do të jepej asnjë koment.

I lindur në Ballsh(Mallakastër) në vitin 1924, në historinë e kinemasë janë 30 role që mbajnë firmën e tij, ndërsa në teatër rreth 100, nga cilët mjafton të kujtojmë interpretimet tek "Halili dhe Hajria", "Revizori", "Familja e peshkatarit", "Arturo Ui", "Kohë e çmendur", "Dhelpra dhe rrushtë", ku roli i paharruar i Ezopit, përkrah aktores Luiza Xhuvani, është nga të fundmit në skenën e teatrit. Nuk mund të mohosh faktin se portretin e tij e fiksoi në kujtesën e publikut më tepër se teatri, kinemaja, nga arkivi i së cilës do të shfaqen disa fragmente të zgjedhur, role ku Roshi duket se interpreton me lëkurën e vet më shumë se sa me atë të personazhit. Kujtojmë filmat "Lulëkuqe mbi mure".

Për interpretimin në rolin e kujdestarit ai është vlerësuar në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në vitin 1977, me çmimin special të aktorit më të mirë, bashkë me Timo Fllokon e Agim Qirjaqin. Këtë çmim e merr sërish më 1981 për rolin e mësuesit patriot në filmin "Liri a vdekje", dhe dy vjet më pas, për interpretimin tek "Era e ngrohtë e thellësive". Me protagonizmin tek "Gjeneral gramafoni", "Këshilltarët", "Njeriu me top", mund të thuhet se mesi i viteve '80-të prek zenitin e karrierës së aktorit.
Jo më kot aktorja e njohur Tinka Kurti, shprehet se "është e vështirë që djepi të rrisë një njeri tjetër si Kadri Roshi", ndërsa Reshat Arbana e cilëson atë si "Sokrati i skenës shqiptare".

Nën një shi zvarranik, heshturazi, qindra njerëz përcollen tri vite me pare në banesën e fundit Sokratin e skenës shqiptare .

Atë ditë ai nuk mundi të flasë.

Të tjerë folën për të, me fjalët më të zgjedhura, kur ai heshte fisnik.

Se vdekja është po aq fisnike, sa edhe lindja. Apo jo? /atsh/

Publikuar: 05.02.2010 | 06:52
Lexuar: 949 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime