Edhe proverbat e tipit Larg syve, larg zemrës duhen rishkruar. Edhe I love NY duhet rikonceptuar, sepse grafikisht zemra nuk ngjall më atë emocion që ka ngjallur. Këtej e tutje duhen pjesëtuar me zero të gjitha ngashërimet e vajzave që thonë: Nuk e dua, por nuk kam çfarë ti bëj zemrës. Jo. Tani zemrës ke çfarë i bën (prapë fjala zemër): shko dhe ndërroje. Urgjent!
Nga
Lutfi Dervishi
Lajmi se shkencëtarët kanë arritur të prodhojnë një zemër artificiale ka gëzuar të gjithë ata që janë me zemër, por ka ngritur pikëpyetje të mëdha për vendin që zë zemra në letërsi, art, në komunikimin e përditshëm etj.
Prodhimi në seri i zemrës do të jetë gati në vitin 2011 dhe deri atëherë ndërrimi i zemrës do të jetë po aq i lehtë sa heqja dhe vendosja e një thoi artificial në gishtat e zonjave dhe zonjushave. Nëse ke një zemër me probleme, mjafton të shkosh në spital dhe ndërrimi i saj me një të re (p.sh., prodhim i Sony-t) nuk do të marrë më shumë kohë sesa marrja e një vize në Ambasadën Italiane në Tiranë (madje këtë fundit rrezikon edhe të mos e marrësh...). Por si i bëhet zemrës kur e përdorim si metaforë? Me çfarë ta zëvendësojmë? Të jemi realistë, nuk mund ti themi më të dashurës çkemi zemër?. Edhe pa dalë zemra artificiale, ky togfjalësh tingëllonte (ndonjëherë) artificial. Po ashtu, duhen shkruar nga e para edhe tekstet e këngëve, ku fjala zemër përdoret në kuptimin që i kemi dhënë kësaj fjale deri sot (Zemra i tha zemrës... beso në dashuri...). Thjesht, zemrës nuk i zihet më besë!
Edhe proverbat e tipit Larg syve, larg zemrës duhen rishkruar. Edhe I love NY duhet rikonceptuar, sepse grafikisht zemra nuk ngjall më atë emocion që ka ngjallur. Këtej e tutje duhen pjesëtuar me zero të gjitha ngashërimet e vajzave që thonë: Nuk e dua, por nuk kam çfarë ti bëj zemrës. Jo. Tani zemrës ke çfarë i bën (prapë fjala zemër): shko dhe ndërroje. Urgjent!
Ka gjëra që ndryshojnë ngadalë, aq ngadalë sa kur kalon një kohë e gjatë, ndryshimi ka ndodhur plotësisht. Për fat të keq, koha nuk na e jep luksin e gradualitetit. Në 2011-n do të nisë prodhimi në masë i zemrave dhe kompanitë e mëdha po llogarisin miliardat e fitimeve. Problemi që del këtu është se çfarë ndikimi do të ketë marka e zemrës në lidhjen në çift. P.sh. sa shkon një zemër e markës Mercedez me një zemër të markës Sony? A do të lindë problemi i diskriminimit të markave në dashuri? Kur do të emancipohen familjet që të mos e quajnë fundin e botës kur djali i tyre me zemër të markës Toshiba do të sjellë në shtëpi një vajzë me zemër të markës Taçi Oil?
E pra, dashuria ka marrë goditjen më të madhe nga zemra artificiale dhe për të plotësuar boshllëkun duhet zëvendësuar menjëherë me një organ tjetër. Logjikisht ky organ duhet të jetë stomaku. Si argument në favor të kësaj zgjedhjeje shkon fjala jo aq e urtë Rruga për në zemër kalon nga stomaku. Stomaku duhet të jetë ylli në ngritje. Por do të ketë disa probleme të vogla derisa të mësohen të gjithë. P.sh.,
zonja Meri që merret me astrologji a do të jetë e gatshme të thotë se kombinimi i yjeve favorizon një gjendje të mirë shpirtërore të stomakut? A do ta pranojnë vetë mjekët se në mes tyre nuk do të jenë të favorizuar ata që deri sot janë quajtur doktorë zemrash, por do të jenë doktorët e stomakut? Ushqimet afrodiziake do të rivlerësohen dhe përrallat me njeriun zemërmirë e zemërgur do të zëvendësohen me njeriun stomakngopur dhe barktharë.
Një ndryshim dramatik do të ndodhë edhe aty ku ndryshimi nuk ndodh kollaj: Politika. Parulla Voto aty ku ndodhet zemra do të kthehet në bumerang për të majtët, që me aq sukses e kanë përdorur deri tani. Është koha për të sulmuar qendrën. Stomaku i përket qendrës dhe kështu, në zgjedhjet e ardhshme, lum ajo parti që do të thotë se është parti e qendrës.
Ka pasur një padrejtësi shekullore që duhet rikthyer në vend. Fjala zemër është e gjinisë femërore, ndërsa fjala stomak e gjinisë mashkullore. Nuk ka më kuptim të zgjohesh në mëngjes dhe, pasi të shohësh fytyrën e ngrysur të partneres, kush e di për çfarë arsyeje, ti thuash: Si u zgjove zemër? Është koha për rrokadë. Ajo dhe vetëm ajo duhet të thotë: Si u zgjove sot, stomak i dashur?
Një lajm i keq për vajzat dhe gratë! Edhe shkencërisht po vërtetohet se burrat nuk mund të fajësohen më për dhimbjet e zemrës. Dhe duhet pranuar, në lëmin e dashurisë janë djemtë ata që shijnë më shumë dhe gabojnë më pak. Një botë me më pak lot, më pak zhgënjim dhe me më shumë orë gjumi, sigurisht që do të ishte një botë më e mirë. Lamtumirë zemër! Mirardhsh stomak! Eshte koha jote.