Nën sloganin "With glowing hearts" (Me zemra të ndezura), do të çelen nesër në Vankuver të Kanadasë Lojërat XXI Olimpike Dimërore "Vancouver 2010".
- Në ceremoninë e çeljes së Lojërave Dimërore Vancuver 2010, Shqipëria do të parakalojë e dyta
Gjergji Mima
Nën sloganin "With glowing hearts" (Me zemra të ndezura), do të çelen nesër në Vankuver të Kanadasë Lojërat XXI Olimpike Dimërore "Vancouver 2010".
Gazetarë, fotografë, kronistë të të gjithë llojeve të medias dhe network-et televizive anekënd botës janë në përgatitje e sipër të programeve apo show të tyre mbi këtë manifestim ndërkombëtar pesë rrathësh. Spote të mrekullueshme publiciteti "Vancouver 2010" nga të katër kontinentet janë tashmë gati, duke dashur të mbledhin rreth këtij eventi emocionet e të apasionuarve të sportit dhe ëndrrat e mijëra atletëve protagonistë të tij.
Flamujt e tetëdhjetë shteteve pjesëmarrëse në "Vancouver 2010" kanë ditë që valëviten nëpër rrugët e këtij qyteti. Venues-et, vendet ku do të kryhen eventet sportive dhe e tërë struktura mikpritëse e olimpiadave, i hapën dje zyrtarisht dyert, duke mirëpritur sportistët e parë dhe mes tyre edhe skiatorin shqiptar Erjon Tola.
Në mbrëmjen e 12 shkurtit, kur në Evropë do të jetë duke gdhirë mëngjesi i datës 13, në BC Place Stadium të Vancouver-it do të zhvillohet ceremonia e hapjes së olimpiadës dimërore 2010, e cila do jetë dhe e para e realizuar në një vend të mbyllur.
Të 60.000 spektatorët e pranishëm në këtë mbrëmje emocionuese do të asistojnë në spektaklin e mbërritjes së flakës olimpike, një prej simboleve më të fuqishme të Lojërave Olimpike. Pa u shuar kurrë nga Torino 2006 në Vancouver 2010, flaka olimpike në një udhëtim unik e poetik, mbërrin për herë të parë vetëm 900 km larg Polit të Veriut, pasi ka përshkruar edhe rreth 35 mijë km në 13 lokalitete kanadeze. Pishtari olimpik do të udhëtojë në Kanada për rreth 45 mijë kilometra, e kryer kjo në 106 ditë, udhëtimi më i gjatë në histori brenda një viti të vetëm. Flaka Olimpike do të mbahet nga të paktën 12 mijë kanadezë.
Këto janë lojërat e treta olimpike dimërore që zhvillohen në Kanada, pas atyre të vitit 1976 në Montreal dhe 1998 në Kalgari. Në Lojërat Olimpike "Vancouver 2010" do të garohet në 15 disiplina sportive.
Numrin më të madh të pjesëmarrësve e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 216 sportistë, e ndjekur nga Kanadaja me 206, Gjermania 153, Zvicra 133, Rusia 117.
Kostoja e Lojërave Olimpike, sipas vlerësimeve të ekspertëve, ka arritur në 6 miliardë dollarë, por të ardhurat parashikohen të shkojnë në 10 miliardë, ku fitimi neto pritet të jetë për organizatorët në kufijtë e 1 miliard dollarëve.
Vetëm ceremonia e hapjes (12 shkurt) do të kushtojë më shumë se 40 milionë dollarë, më e shtrenjta për Lojërat Dimëerore dhe e dyta më e shtrenjtëë pas ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Verore "Pekin 2008".
Të mësuar tashmë shpesh me paradokset klimatike duket se as Lojërat Olimpike Dimërore "Vancouver 2010" nuk po mbeten jashtë tyre. Ndërsa në tërë kontinentin amerikano-verior ky dimër qe nga më të ftohtit e viteve të fundit, në Vancouver bora mbërrin me kamion. Organizatorët e Lojërave Dimërore kanë bërë të ditur se për shkak të kushteve klimatike të pazakonshme, ku temperaturat nuk po zbresin 8 gradët, janë intensifikuar operacionet për sjelljen e tonelatave të borës në impiantet e Cypress Mountain, ku priten të zhvillohen garat e freestyle e snowboard.
Drejtuesi i Komitetit Organizativ, John Furlong, gjatë një konference shtypi deklaroi se "Cypress është një lokalitet me një problematikë të tillë klimatike, por situata është nën kontroll dhe çdo gjë do jetë gati për fillimin e lojërave".
Në pritje të fillimit të borës, e cila edhe pse sipas parashikimeve, duhej të kish nisur, ka ditë që kamionë të ngarkuar vazhdojnë zbrazjen e borës në Cypress Mountain. "Jemi të detyruar të ndjekim planin rezervë, - vazhdon Furlong, - e nuk mund të lejojmë e të kushtëzohemi nga faktori klimë".
Qyteti i Vancouver-it i, njohur nga amerikanët si Hollywood i Veriut, vendi i mjaft filmave apo serive televizive si "X-Files", "The Highlander", "Stargate", "Catwoman", "Blade", "The Sentinel" etj., nën angazhimin e një stafi prej më shumë se 40 mijë personash, ka muaj që po përgatitet për këtë manifestim kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.
Lojërat XXI Olimpike e para olimpike Dimërore në Vancouver parashikojnë një buxhet prej 1.7 miliard dollarësh. Për garantimin e sigurisë së impianteve sportive nga Vancouver në malet Ëhistler, Kanadaja ka angazhuar njerëzit e saj më të përgatitur. Task-Forca që do vigjilojë këto lojëra olimpike quhet Vancouver integrated security unit (V2010-Isu) e ka një buxhet rreth 500 milionë dollarë. Stafi i V2010-Isu përbëhet nga 15 mijë agjentë, 4300 prej të cilëve i përkasin "Royal Canadian Mounted Police".
Parashikohet që Lojërat Dimërore në Vancouver të Kanadasë të kenë një audiencë televizive që kapërcen 3 miliardë personat.
Nga Biathlon te Snowboard, nga Hockey në akull te Short Track, janë pesëmbëdhjetë disiplina ku sportistë nga e gjithë bota do të garojnë për fitimin e medaljeve të nderit. Në garat olimpike do marrin pjesë përfaqësues nga 80 shtete të botës, ku përfshihen rreth 6900 sportistë midis atletëve e drejtuesve të skuadrave.
Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike "Vancouver 2010" çmimi i biletës varion për vendet më të mira deri në 1100 dollarë, duke zbritur deri më 175 $.
Simboli zyrtar i lojërave olimpike quhet "Ilaanaq" që në gjuhën inuktitut, e cila është gjuha folëse e popullit eskimez, do të thotë "mik", përfaqëson një figurë të formuar nga gurë e përdorur për të treguar një drejtim. "Ilaanaq" olimpik përbëhet nga pesë pjesë sa ç'janë dhe rrathët olimpikë me ngjyrat përkatëse: koka jeshile, trupi blu, këmba e majtë e kuqe, e djathta e verdhë, linjat e krahëve të zeza.
Skiatori Erjon Tola do të jetë sportisti i vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore, që do të zhvillohen në Vankuver të Kanadasë nga data 12 deri më 18 shkurt 2010.
Duke qenë edhe sportisti i vetëm, Tola, i stërvitur nga trajneri italian Roberto Bonavita, është edhe flamurmbajtësi kuqezi gjatë ceremonisë zyrtare, ku marrin pjesë skiatorë thuajse nga më shumë se 80 vende. Në ceremoninë e çeljes së Lojërave, Shqipëria do të jetë e dyta që do të parakalojë.
"Jam shumë krenar dhe i lumtur që do të përfaqësoj Shqipërinë për herën e dytë në Olimpiadë. Shpresoj që të jem një shembull për gjithë moshatarët e mi. Madje u bëj apel ta ushtrojnë këtë sport pasi është tepër i veçantë, pse jo edhe sporti më i pastër në botë", - u shpreh skiatori Erjon Tola në një intervistë për ATSH-në.
Në "Torino 2006", Erjon Tola arriti të përfundojë dy nga tre garat ku mori pjesë. Në Super G, Tola u rendit në vendin e 56-të (koha 1:44.27), në sllallomin gjigant në vendin e 35-të (1:30.87), ndërkohë që për një problem me slitën e skive nuk arriti ta përfundojë garën e sllallomit.
- Garat e skaitorit Erjon Tola në "Vankuver 2010"
1. Super G, 19 Shkurt 2010
2. Giant Slalom, 21 Shkurt 2010
3. Slalom, 27 Shkurt 2010
- Skeda e skiatorit Erjon Tola
Datëlindja: 15 Dhjetor 1986
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore "Torino 2006"
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore"Vancouver 2010" /atsh/