Biznesmenët shqiptarë në Maqedonia ankohen se janë duke kaluar në një periudhë mjaftë të vështirë, për shkak të presioneve të mëdha që kanë nga institucionet shtetërore.
Ata theksojnë se ky diskriminim posaçërisht vërehet nga ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së, në krye me Nikolla Gruevskin në vitin 2006. Njëkohësisht akuzojnë se subjektet politike shqiptare nuk kanë fuqi për të penguar diskriminimin që ndaj tyre e bëjnë institucionet shtetërore në Maqedoni.
Biznesi shqiptarë në Maqedoni nuk ka qenë në pozitë më të keqe as në vitin 1991. Nuk ka kurrfarë përkrahje institucionale, por përkundrazi kohës jemi nën presion të vazhdueshëm, thotë pronari i ndërmarrjes Gemak, Enver Maliqi.
Dëshmi për margjinalizmin ekonomik të shqiptarëve të Maqedonisë janë edhe ndarjet e çmimeve vjetore për ndërmarrjet më të suksesshme. Në ndarjen e këtyre çmimeve zakonisht zgjidhen ndërmarrje të cilat udhëhiqen ose janë në pronësi të maqedonasve.
Nuk është se shqiptarët nuk kanë kuadri dhe aftësi për biznes, por faji qëndron tek shteti që diskriminon biznesin shqiptarë, thekson Maliqi, duke komentuar çmimet e ndara të enjten për Sipërmarrës të vitit, ku ndërmarrjet shqiptare fituan shpërblime margjinale.
Në mesin e ndërmarrjeve të vogla që morën shpërblim ishte edhe ndërmarrja Euroaktiva, mirëpo pronari i saj Nuhi ka rezerva ndaj selektimit të bërë. Ai thekson se një numër i ndërmarrjeve shqiptare edhe kanë frikë të marrin pjesë në garime të këtilla për shkak se më pas munden të gjenden në shënjestër të inspeksioneve të ndryshme.
Nuk mund të jep një përgjigje a është fjala për diskriminim, apo jo. Por në bazë të kritereve që i dëgjova mund të them se ka mjaft kompani shqiptare që e meritojnë të marrin ndonjë shpërblim. Nuk është se shqiptarët nuk kanë sens. Kemi kompani dhe biznesmenë shqiptarë mjaft të suksesshëm të cilët ndonjëherë nuk kanë dëshiruar të marrin pjesë në organizimin e konkurseve të këtilla për arsye se ndonjëherë kanë pas edhe pasoja, në kuptimin e inspeksioneve etj, deklaroi Ismaili.
Ndryshe produksioni FX3X është fitues i shpërblimit të parë për sipërmarrës në vitin 2008 në fushën e mikro sipërmarrjes, ndërsa firma për prodhimin e tekstilit nga Sveti Nikola, Doniteks ka marrë shpërblimin e parë në kategorinë sipërmarrës më i mirë nga fusha e ndërmarrjeve të vogla. Lajm