Legjenda për këtë dashuri është përjetësuar edhe në këngën "Mali i Vashës", të Isuf Myzyrit. Ibrahim Kushti që i kaluar me kohë të 80 -tat flet për të si ta ketë përjetuar vetë historinë e një dashurie që vjen nga motet.
Miranda Sadiku
- Ndonëse nga legjenda kanë kaluar shekuj, një majë mali në verilindje të qarkut të Elbasanit, që e thërrasin "Mali i Vashës", mbetet simbol i një dashurie të zjarrtë, ndërsa fshatarët e Polisit e tregojnë historinë si të ketë ndodhur dje. Legjenda për këtë dashuri është përjetësuar edhe në këngën "Mali i Vashës", të Isuf Myzyrit.
Ibrahim Kushti që i kaluar me kohë të 80 -tat flet për të si ta ketë përjetuar vetë historinë e një dashurie që vjen nga motet.
"Të dy ishin të rinj të dashuruar me vështrim të parë, por pengoheshin ta kurorëzonin këtë dashuri, se njëri ishte i vobektë dhe tjetra ishte e bija e një të pasuri. Të dy vuanin në heshtje pasojat e dashurisë dhe nuk shihnin asnjë rrugë bashkimi veç vetëvrasjes. Por ja, pleqësia e fshatit mori një vendim për t'u ardhur në ndihmë të rinjve, por që rëndonin mbi djalin, që sapo kishte hyrë në moshën e burrërisë".
Tek ne, vijon Ibrahimi kishte rregulla të rrepta, që e ulnin shumë herë dinjitetin e gruas. "Një burri që i nënshtrohej tekave të gruas, edhe kafenë ia jepnin në gjunjë. Kurse në këtë rast ishte vendosur për një poshtërim akoma më të madh. Sipas kërkesës së babait të vajzës, djaloshi duhej ta mbarte në krahë të dashurën që nga këmbët e malit e deri në lartësinë e thiktë të majës, e cila edhe pa peshë, mezi ngjitet.
Kushti u pranua menjëherë nga i riu, që ishte i gatshëm për cdo sacrifice. Ndërsa pleqësia e fshatit Polis u mblodh për të ndjekur nga afër zbatimin e kushtit, pas së cilit do të caktohej edhe dita e dasmës së të rinjve", tregon Ibrahimi.
Është e vështirë që të marr me mend vuatjet e djalit nëpër atë rrugë shpati të thiktë me një peshë të ushqyer mirë mbi kurrizin e tij. Kushti ishte që rruga të mos bëhej asnjë ndalesë.
"Në metrot e parë të asaj ngjitjeje djali fluturonte, por nuk vazhdoi gjatë. Pleqtë shihnin me shqetësim se si hap pas hapi djalin po e linin forcat dhe e nxisnin që nga poshtë : " edhe pak, edhe pak, pothuajse arrite".
Dhe djali arriti, por në momentin e fundit nga lodhja e madhe, zemra I pushoi së rrahuri. Ndoshta më shumë nga mbipesha e dashurisë se nga lodhja. Për t'i qëndruar besnike kësaj dashurie me sakrificë supreme, vajza nuk pranoi tjetër fat, veç vdekjes së lumtur dhe një dashurie të përjetshme. Ende pa u ftohur trupi i atij që do të bëhej i shoqi i saj, vasha u hodh nga maja e thepisur e malit, rreth 700 metra të lartë në greminë.
Kështu përfundoi kjo dashuri e pakurorëzuar, por e mbetur deri në përjetësi si një ndjenjë e pavdekshme. Edhe brezat që vijnë nuk do ta harrojnë kurrë Malin e Vashës dhe historinë që personifikon