Parlamenti Studentor i USHT-së, publikisht mohon se ka marrë një kërkesë qoftë me shkrim apo me gojë nga grupi i vetëshpallur për ndryshime në USHT, ku të njëjtit pohojnë se do ta depolitizojnë USHT-në.
DEMANT
ndaj të ashtuquajturit Këshill i pavarur për ndryshime në USHT, lidhur me shkrimin me titull Politika jashtë universitetit të publikuar në gazetën ditore KOHA (fq.4) të datës 12 shkurt 2010
Parlamenti Studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës duke analizuar pamfletin në fjalë të publikuar në gazetën ditore Koha, konstaton se i ashtuquajturi Këshill i pavarur për ndryshime në USHT mes tjerash deklaron se me një kërkesë i është drejtuar UNIONIT STUDENTOR të USHT-së, gjë që len të kuptohet se ata që në fillim e kanë gabuar adresën dhe as që janë në hap me kohën, pasi një organ i quajtur UNION STUDENTOR nuk ekziston që moti.
Me ligjin në fuqi të Arsimit të lartë të sjellë para disa viteve, në Republikën e Maqedonisë, ekzistojnë PARLAMENTET STUDENTORE, siç është rasti edhe me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Sa për ti njoftuar zotërinjtë në fjalë, ky organ i organizimit studentor, pra Parlamenti Studentor i USHT-së, në vazhdimësi e ka dëshmuar veten në përkujdesen për të drejtat dhe mbrojtjen e interesave studentore.
Parlamenti Studentor i USHT-së, publikisht mohon se ka marrë një kërkesë qoftë me shkrim apo me gojë nga grupi i vetëshpallur për ndryshime në USHT, ku të njëjtit pohojnë se do ta depolitizojnë USHT-në. Më qesharakja në këtë mes është ajo se edhe vetë ata që dalin me një ide të tillë para opinionit dhe paraqiten si shpëtimtarë të USHT-së, nga tërë opinioni njihen si personalitete skajshmërish të politizuara, gjë që e kanë dëshmuar edhe vet me veprimtarinë e tyre të deritashme!
Nga e gjithë kjo iniciativë e turpshme, e ngritur nga njerëz që vuajnë nga mendjemadhësia dhe narcizoizmi si dhe të etur për pushtet, Parlamenti Studentor edhe njëherë konstaton se kjo punë i ngjan proverbit popullor:
Të ta them, sa nuk ma ke thënë ose
Ujku qimen e ndërron, por vesin kurrë nuk e harron!!!
Parlamenti Studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës
Kryetar: Shaban Arsllani
15.02.2010, Tetovë