Rrënjët e pavarësisë nuk harrohen se zënë fill një shekull më parë. Por e paharrueshme mbetet pranvera e vitit 1999, që i bashkoi shqiptarët këtej e andej kufirit.
R.Hoxha
"Nuk është thjesht afërsia me Kosovën, por gjaku e gjuha që na lidh me njëri tjetrin", thotë Jonuz Cengu, ndërsa ka nisur përgatitjet për të udhëtuar nesër drejt Suharekës, për të festuar 17 Shkurtin, ditën e pavarësisë së Kosovës.
"Kam miq andej" thotë Cengu, ndërsa kujton se "në pranverën e vitit 1999, atëherë kur kosovarët vinin në qytetin tonë me lot në sy, familja e Hysen Berishës nga Theranda (Suhareka) me 8 persona dhe e Ramiz Bytycit me gjithë vëllezër, 70 persona, qëndruan në shtëpinë time 3 muaj. Që atëherë jemi bërë miq. Shkojmë e vijmë te njëri tjeri për festa, apo hidhërime". .
"Lumi i mjeteve e njerëzve që do të udhëtojnë drejt Prizrenit nesër është i pafund, ndaj po përgatitemi për ta përballuar, që edhe vizitorët të mos i vonojmë, edhe punën t'a bëjmë si duhet", thotë drejtori i doganës së Morinit Gjovalin Progni, sipas të cilit, është hartuar edhe një program i veçantë pune për dy ditët e ardhshme, edhe pse festa duket se ka nisur. Edhe moti sikur i ka ndjerë ditët e festës se sot është mot me diell, pas gjithë atyre ditëve me rebeshe shiu e bore.
Kujtime që nuk harrohen
Rrënjët e pavarësisë nuk harrohen se zënë fill një shekull më parë. Por e paharrueshme mbetet pranvera e vitit 1999, që i bashkoi shqiptarët këtej e andej kufirit.
"Ishte 2 prilli kur erdhi Hyseni. As e njihja, as më njihte. I ftova në shtëpinë time. Mbaj mend që gruan e fëmijët sa nuk i zuri gjumi duke ngrënë" tregon Jonuz Cengu.
Ndërsa Granit Hallaci nga Përbregu tregon se "ato ditë qëndronim thuajse gjithë ditën duke pritur kosovarët që transportoheshin drejt Kukësit. Secili merrte për të strehuar aq sa kishte mundësi e banesë. Por asnjë nuk mbeti qoftë një natë jashtë".
Është kjo mikpritje e solidaritet që tronditi ato ditë gjithë botën dhe Kukësi u vizitua nga personalitete të larta, presidentë, kryeministrae ministra nga shumë vende të botës.
Festa ka nisur në Prizren
Prizreni nuk mund të kuptohet pa shatërvanin e famshëm ku festa ka nisur që sot. Sheshi i shatërvanit është mbushur plot me njërëz që urojnë njëri-tjetrin dhe aty gjen shumë kuksianë. "Kemi ardhur sa për të parë, se nesër do të vijmë të festojmë" thotë Agroni, nga Xërxa.
Një vizitë sot në Prizren është kënaqësi më vete. Janë vetëm rreth 35 kilometra, ose rreth 30 minuta udhëtim që nga Kukësi dhe kuksianët aty janë si të shtëpisë. I drejtohen Prizrenit për të bërë pazar, tregti, por edhe për një shëtitje. Mbi një podium të vendosur në shesh që sot hidhet kënga e vallja. Jo në koncert të organizuar. I improvizuar është se këndon kush dëshiron, pak rëndësi ka se dhe stonon.
Ndërsa në hyrje të Prizrenit te "Luma" vargu i makinave nuk ka të sosur. Festën e ndesh edhe në shtëpinë muze të Lidhjes së Prizrenit ku vizitorët janë të pranishëm gjatë gjithë ditës. "Këto ditë kemi një fluks të madh vizitash, por nuk lodhemi së shpjeguari. Në fund të fundit, është festë e përbashkët e gjithë shqiptarëve" thotë përgjegjësi i qendrës muzeale të Lidhjes së Prizrenit, Parim Kosova.
Është një udhëtim në vigjilje të festës së madhe, festës të të gjithë shqiptarëve.