Argumenti zakonisht është se me sistemin ekzistues votat shqiptare digjen në disa njësi zgjedhore ku votuesit shqiptarë nuk përbëjnë shumicën (sidomos në njësinë tre, ku shqiptarët zakonisht kanë nga tre-katër mijë vota dhe asnjëherë nuk arrijnë të nxjerrin deputetë).
Robert Nesimi
Që nga fillimi i jetës politike demokratike dhe zgjedhjeve të para shumëpartiake në Republikën e Maqedonisë, në mënyrë disi të përmbajtur por konstante është diskutuar për sistemin zgjedhor që më së miri i përshtatet vendit. Gjatë gjashtë cikluseve të zgjedhjeve që janë mbajtur deri tani, me sistemet zgjedhore edhe është eksperimentuar, sepse dy zgjedhjet e para parlamentare janë mbajtur me sistemin e shumicës, të tretat me sistem të përzier të shumicës dhe proporcional, ndërsa tre të fundit me sistem proporcional me gjashtë njësi ose zona zgjedhore. Kohët e fundit, ndoshta për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ky debat është ngjallur më me vrull, ndërsa theksi është vënë në mundësitë për lista të hapura dhe për unifikimin e gjithë territorit të shtetit në një njësi të vetme zgjedhore. Përderisa e para hipotetikisht do të rezultonte me ofertë më kualitative të kandidatëve, e dyta ka të bëjë direkt me numrin e deputetëve që do të kishte mundur të fitojë çdo grupacion politik ose etnik. Ideja për një njësi zgjedhore sidomos është shprehur në mënyrë persistente nga blloku shqiptar, si nga disa ekspertë ashtu edhe nga subjekte politike.
Argumenti zakonisht është se me sistemin ekzistues votat shqiptare digjen në disa njësi zgjedhore ku votuesit shqiptarë nuk përbëjnë shumicën (sidomos në njësinë tre, ku shqiptarët zakonisht kanë nga tre-katër mijë vota dhe asnjëherë nuk arrijnë të nxjerrin deputetë). Nëse Maqedonia do të ishte një njësi e vetme zgjedhore, rrjedh më tej argumenti, atëhere edhe këto vota të djegura do të hynin në totalin e përgjithshëm dhe shqiptarët do të fitonin edhe ndonjë deputet tepër. Mirëpo deri më tani askush nuk ka ofruar një fakt bindës se kjo teori mban dhe se rrjedhimisht duhet që të gjitha partitë shqiptare fuqimisht të angazhohen për një reformim të këtillë të sistemit zgjedhor. Nga ana tjetër, është matematikë e thjeshtë që një gjë e tillë të konstatohet ose mohohet, sepse mjafton të mirren rezultatet nga zgjedhjet e mëparshme dhe pastaj mandatet të ndahen sikur i gjithë vendi të ishte një njësi zgjedhore. Është thënë se para matematikës përkulen edhe zotërat. Prandaj edhe është tepër brengosëse që ekspertë dhe parti të dalin me propozime të këtilla pa i analizuar konkretisht efektet e tyre. Pasi bëhet fjalë për një çështje madhore, them se propozime të këtilla të pamenduara mirë janë edhe të rrezikshme, sepse në fakt me sistem me një njësi zgjedhore shqiptarët jo vetëm që nuk fitojnë gjë, por humbin deputetë. Për të dëshmuar se kjo është e vërtetë, siç thashë edhe më lartë, mjafton të grumbullohen votat e fituara në gjithë territorin e Maqedonisë në disa cikluse të fundit zgjedhore, pastaj të aplikohet metoda e DHondt-it me 120 deputetë dhe rezultatet e fituara kështu të krahasohen me rezultatet e fituara me sistemin e tanishëm me gjashtë njësi zgjedhore.
Kështu për shembull, në zgjedhet parlamentare të vitit 2006 shqiptarët kanë fituar gjithsej 28 deputetë, edhe atë 17 koalicioni BDI-PPD dhe 11 PDSH. Ndërsa, po të ishin mbajtur ato zgjedhje me sistem me një njësi, BDI do të kishte fituar 16 deputetë, ndërsa PDSH 9. Kështu shqiptarët do të kishin humbur 3 deputetë, ndërsa nga dy deputetë do të kishin humbur edhe LSDM dhe VMRO-DPMNE. Të gjithë këta do të shkonin në konton e partive DOM, Partisë për Bujqësi, PEO, Alternativës Demokratike, partisë fantome Partia Socialdemokrate e Maqedonisë dhe dy deputetë me tepër në konton e VMRO-Narodna.
E njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të vitit 2008, kur BDI fitoi 18 deputetë dhe PDSH 11, me çka u arrit numri më i madh ndonjëherë i deputetëve shqiptarë në parlament. Mirëpo, me një njësi zgjedhore, BDI do të kishte fituar vetëm 16 deputetë dhe PDSH vetëm 10. Edhe këtë rradhë do të ishin humbur 3 vende deputetësh shqiptarë, të cilët në këto zgjedhje do të kishin shkuar në konton e LSDM-së.
Analiza është e mundshme edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2009. Thjeshtë votat trajtohen sikur të bëheshte fjalë për zgjedhje parlamentare dhe pastaj për krahasim të ndahen mandatet sipas metodës së DHondt-it në gjashtë dhe në një njësi zgjedhore. Duke marrë parasysh votat më relevante, ato të fituara në listat e këshilltarëve, rezultatet për sistemin e tanishëm me gjashtë njësi do të ishin si vijon: BDI 16, DR 6, PDSH 6, lista e Rufi Osmanit 2, VMRO-DPMNE 49, LSDM 33, VMRO-Narodna 5 dhe PLD, PRSD dhe PEI nga 1 deputet. Mirëpo, nëse mandatet ndahen sipas sistemit me një njësi rezultati do të ishte krejt ndryshe, sepse BDI atëhere do të merrte vetëm 15 deputetë, PDSH 5 dhe lista e Rufi Osmanit vetëm 1 deputet. VMRO-DPMNE dhe LSDM do të kishin humbur nga një deputet, ndërsa në dëm të gjithë këtyre do të kishte përfituar PLD e cila do të merrte 3 deputetë dhe PRSD e cila do të merrte 4. Pra, edhe në këtë rast kur do të kishte mundur të arrihet numër rekord prej 30 deputetësh shqiptarë, sistemi me një njësi zgjedhore do të na kishte dëmtuar me 3 deputetë. Siç shihet, në këtë rast votat e djegura janë ato të PRSD dhe PLD, e jo të partive shqiptare.
Nga këto analiza del se me këtë konstelacion partish dhe votash, shqiptarëve assesi nuk ju konvenon shkrirja e njësive zgjedhore në një. Atëherë shtrohet pyetja se pse ekspertë dhe parti politike shqiptare dalin me propozime të këtilla. Unë nuk dua të besoj se kjo bëhet me prapavija qëllimkëqija, por se në fakt janë ide të pamenduara dhe paanalizuara siç duhet. Kjo në vetvete është tepër brengosëse, sepse tregon se te ne idetë e mëdha dhe me pasoja të rëndësishme trajtohen me muhabete paushalle. Shpresoj se në të ardhmen ide të këtilla do të plasohen më me kujdes dhe me mbështetje më të fuqishme në fakte. Nga ana tjetër supozoj se këta analistë dhe parti janë hutuar nga paramendimi se votat shqiptare humben në njësitë ku shqiptarët nuk janë shumicë. Por siç tregojnë rezultatet më lartë, sistemi me një njësi favorizon parti më të vogla që e kanë votën të shpërndarë në gjithë vendin, përkundër partive shqiptare që e kanë të koncentruar vetëm në disa zona.
Sidoqoftë, faktori kryesor që përcakton përfaqësimin në parlament qoftë të një partie apo çfarëdo grupacioni tjetër, është dalja e votuesve në zgjedhje. Hipotetikisht, nëse do të kishim vetëm një njësi zgjedhore dhe shqiptarët do të dilnin të votojnë masovikisht, numri i deputetëve shqiptarë në parlament do të ishte më i madh. Megjithatë kur kemi të bëjmë me të dhëna numerike, si në politikë, ashtu edhe në lëmitë tjera, parashikimet për të ardhmen përherë bëhen duke analizuar trendet e të kaluarës. E kjo na tregon se historikisht shqiptarët kanë dalur në zgjedhje në numër më të vogël se sa maqedonasit. Nëse analistët dhe partitë e mësipërme bazojnë propozimin e tyre në daljen masovike të shqiptarëve kur ajo të bëhet faktori kryesor për shtim të numrit të deputetëve shqiptarë, duhet të themi se gabohen rëndë. Së pari, edhe me sistemin ekzistues mund të shtohet numri i deputetëve shqiptarë me një dalje më masovike në zonat e përziera (1, 2 dhe 5). Por rezultatet tregojnë se kjo nuk ka ndodhur, prandaj as nuk duhet të pritet që kjo të ndodhë në të ardhmen. Së dyti, të supozosh se shqiptarët do të dalin masovikisht në zgjedhje për të fituar ndonjë deputet më tepër, do të thotë ta nënçmosh votuesin shqiptar, sepse ai votues kërkon dhe meriton të joshet me kualitet dhe jo me kuantitet; me kandidatë dhe programe cilësore, e jo me numra deputetësh.
Nëse megjithatë qëllimi kryesor mbetet rritja e numrit të deputetëve shqiptarë, ajo është e mundshme edhe në kuadër të ligjit ekzistues zgjedhor, edhe atë duke korigjuar dy padrejtësi të mbetura të këtij sistemi. Së pari me pastrimin e listave të votuesve për të cilat me të drejtë dyshohet se janë të fryra kryesisht në vendvotimet maqedonase dhe së dyti me reorganizimin e njësive ekzistuese zgjedhore. Pasi të dyja janë çështje të thella dhe me rëndësi, ato mbetet të analizohen në veçanti. Natyrisht janë edhe çështje që kërkojnë më tepër vëmendje nga ekspertët, e sidomos nga partitë politike, sepse janë gjëra që thënë shkurt e shqip na takojnë me ligj.
Autori është anëtar i Institutit IPESA)