Shqiptarëve të Maqedonisë në të njëjtën kohë u duhet më pak fjalë, por shumë, shumë punë. Madje, punë permanente, cilësore e kreative. Në të kundërtën: çka ka qenë e çka është Shkupi, çka ka qenë e çka është Tetova, janë tema me të cilat vijimisht janë marrë dhe merren individët që ende nuk e kanë kaluar fazën orale të shprehjes. Këto tema nuk është e lejueshme të bëhen pjesë e aktualitetit tonë
Mahi NESIMI
Për pak kohë do të mbushen dy dekada nga fillet e aplikimit të sistemit shumë partiak parlamentar në Maqedoni. Ai vit e ka peshën më të madhe historike si për shqiptarët e Maqedonisë ashtu edhe për mbarë vendet e Evropës lindore të cilat nga viti 1945 jetuan në sistem njëpartiak duke mbetur jashtë mundësisë që në garë të drejtpërdrejtë e në konkurrencë reale të barabartë të zgjedhin përfaqësuesit e vet të cilëve do të ua delegojnë të drejtën që të flasin dhe vendosin në emër të tyre. Viti 1990 është viti më i ndritshëm për popullin maqedonas sepse atëbotë, maqedonasit për herë të parë në histori zhvilluan zgjedhje shumë partiake dhe zgjodhën përfaqësuesit e vet.
Shpërthimi i vullnetit të nëpërkëmbur ndodhi kudo në Maqedoni, si dhe në republikat tjera të ish Jugosllavisë. Kjo në Maqedoni më së shumti erdhi në shprehje te shqiptarët të cilët asokohe shpërthyen si feniks me çka edhe u çel Kutia e Pandorës nga e cila nëse asgjë tjetër në shesh doli e vërteta e pakontestueshme se shqiptarët janë të diskriminuar, respektivisht se në organet shtetërore, në radhë të parë në Parlament nuk janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate. Të dhënat flasin se në përbërjen e fundit të kuvendit njëpartiak të Maqedonisë përfaqësimi i shqiptarëve ishte 6.80 për qind.
Në zgjedhjet shumë partiake shqiptarët hynë me një ligj për njësitë zgjedhore që ishte skajshmërish diskriminues. Manipulimet e ndryshme maqedonase, posaçërisht me mbushjen e kutive të votimit si dhe padrejtësitë tjera që u manifestuan ishin shkaktarë i drejtpërdrejtë i humbjes së dy deputetëve dhe përfundimi i zgjedhjeve me 23 deputetë ose 19.16 për qind nga numri i përgjithshëm. Rritja e numrit të deputetëve shqiptarë për 12.36 për qind ishte sinjal se megjithatë në të ardhmen punët këtu nuk do të shkojnë me të vjetrën, aq më shumë kur dihej se liria e fjalës tashmë nuk mund të kufizohet për askënd e lëre më për deputetët. Shpërthimi i vrullit të madh të shqiptarëve natyrisht nuk ishte i mirëseardhur për qarqe të ndryshme jo vetëm të interesit material e politik. Prandaj nga droja se ky vullkan mund të shpërthejë papritur, u zbatua sistemi i njohur i kontrollit më të mirë i sublimuar në proverbin latin: përçajë e sundo që për pasojë pati humbjen e katër deputetëve ose përfaqësimin e shqiptarëve me 15.83 për qind në zgjedhjet vijuese parlamentare të vitit 1994.
Atëherë e sot shqiptarët më nuk u bënë bashkë. Duhet ose jo të jenë bashkë është temë në vete që gjithsesi kërkon një analizë dhe qasje shumë të gjithanshme që nuk është objekt i këtij shkrimi.
Shembjen e sistemit njëpartiak në shtetin e atëhershëm-të përbashkët-e ndoqa me një interesim të veçantë që më impononte profesioni dhe përgatitja arsimore dhe dorën në zemër nuk më ra në sy diçka shumë karakteristike. Po me këtë interesim e ndoqa, për së afërmi edhe, lindjen e demokracisë në Republikën e Shqipërisë, duke nisur nga grevat e studentëve, lindjen e Partisë Demokratike, heqjen e shtatores së Stalinit, të Leninit, lirimin e të burgosurve, largimin masovik të shqiptarëve (pa leje) drejt Greqisë, grevën e punëtorëve të transportit urban, lindjen e gazetës Rilindja Demokratike hapjen e lokaleve të para private, hapjen e kishave dhe xhamive, lindjen e Partisë Republikane, formimin e shoqatës së çamëve, grevën e punëtorëve të minierës Valias, Rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, zgjedhjet e para shumë partiake, trazirat në Shkodër dhe vrasjen e Arben Brocit, bojkotin e punimeve të parlamentit nga ana e Partisë Demokratike etj, etj.
U ndala në përshkrimin e këtyre ndodhive për të theksuar se: për dallim nga vendet tjera të ish-Jugosllavisë ku nuk hetova diçka shumë të veçantë, në Shqipëri e veçanta ishte se të gjitha partitë, në programet e tyre theksonin se nuk do të mbështesin veprimin mbi baza të krahinarizmave, ose formulime të ngjashme ku shfaqej përcaktimi kundër një politike të tillë. Isha mjaft kureshtar për nevojën e theksimit të këtij qëndrimi në programet partiake. Shpjegimet që i merrja nga personalitete të ndryshme politike atëherë e sot aktual në skenën politike, zakonisht përqendroheshin në dallimet e theksuara të zhvillimit ekonomik ndërmjet jugut dhe veriut të vendit. Por në mesin e tyre gjendeshin edhe të atillë që nuk e lenin pa përmendur bajraktarizmin dhe tendencat që mund të paraqiten si shprehje e dëshirës për sundim mbi parime të principatave. Ishin këto shqetësime serioze të njerëzve që duke e njohur mirë mentalitetin në vend, dëshironin që në start të mënjanojnë dhe frenojnë, çdo ide, të kujë do qoftë për ndasi të llojit të këtillë.
Ishte ose jo e qëndrueshme droja e veprimtarëve politik të Shqipërisë mbetet të analizojnë vet partitë politike dhe institucionet e ndryshme. Për mua ajo drojë ishte fare e paqëndrueshme dhe paksa befasuese, duke marrë parasysh faktin se ai popull të këqijat i përjetoi pa dallime rajonesh e krahinash, i bindur dhe me dëshirë që çdo gjë e keqe të shkoj me sistemin. Dallimet e tilla nuk mundesha ti pranojë edhe duke u bazuar atë përvojë të shkurtër të pluralizmit politik këtu te ne në Maqedoni.
Orteku i porsalindur politik i shqiptarëve nuk u ndal në Pollog, por me një shpejtësi marramendëse u shtri në çdo fshat shqiptar duke tërhequr në vete çdo gjë që frymonte dhe frymon me ndjenjat e të nëpërkëmburve. Karvanët e krushqve kudo që kalonin ishin të mirëseardhur dhe gostitur. Sallat, rrugët e sheshet gumëzhinin këngë e shprehje të mbarë trevave shqiptare që kishin një pikënisje dhe një qëllim. Tubimi madhështor në stadiumin e qytetit të Tetovës nuk ishte vetëm meritë e tetovarëve. Dibranët kanë ardhur, Struga e Ohri vijnë bashkë. Në atë anë janë vendosur Kërçova e Gostivari.
Resnja, Manastiri e Krusheva të zhytnin në histori jo shumë të largët të lavdishme po edhe tragjike të këtyre shqiptarëve. Po çka ishin ato pankarta të mëdha me mbishkrime: Zhitosha, Përlepi, Velesi? Një zbulim i ri ose një mosnjohje e vetes, një vetëdije ndoshta e fjetur. Shkupi e Kumanova këndojnë këngë e heqin valle të të gjitha trevave tona. Tubimi i parë në sheshin qendror të Shkupit nuk ishte meritë vetëm e shkupjanëve. U dyndën aty shqiptarët nga të gjitha trevat. Shkuan edhe tetovarët dhe e mbushën dëng.
Kjo është shqiptaria kur frymon, jeton e vepron e lirë, pa krahina dhe fise. Pa qendra të mëdha e të vogla, po me vullnet të madh. Manastiri i mblodhi kokat më të mençura të atëhershme dhe ia dha popullit armën më të fuqishme-alfabetin. Shkupi e përgatiti kontingjentin e ushtrisë që përhapën dijen anekënd shqiptarëve, që shkronjat e alfabetit i futën nëpër shtëpitë shqiptare. Tetova e ngriti kulmin e kështjellës së dijes.
Ndër shqiptarë askush, asnjëherë, nuk u nis për të bë punë të mirë duke u thirrur në historinë ose madhësinë e qytetit të tij. Ato janë fakte dhe karakteristika të pavarura nga veprimtaria e individëve që veprojnë tani. As historia as madhësia e ndonjë qyteti tonë të tanishëm nuk përkon me ndonjë kontribut të theksuar të tyre. Un e dua Shkupin, jo se ka qenë kryeqendër e Dardanisë sepse si i tillë u pushtua. E dua jo se ishte kryeqendër i vilajetit të Kosovës, sepse Kosova u robërua. E dua sepse aty, në mënyrë të organizuar doli gazeta e parë shqipe, sepse në etër shkoi fjala dhe pamja e parë televizive në gjuhën shqipe. Sepse aty u shfaqën me qindra pjesë teatrore për të udhëtuar mandej nëpër qytetet dhe fshatrat tona. Por, nuk e dua me lagjen e pa ndërtuar të Dizhonit.
Me Bit-Pazarin emër madh e krye fikur etj, etj. Ka dhjetëra e dhjetëra arsye pse e dua dhe pse se dua. E dua Tetovën jo sepse është qyteti im, jo se është rrëzë Sharrit, jo se është aq sa është: i madh apo i vogël. Nuk e dua se është i (pa)zhvilluar por sepse në kohëra të ndryshme dha shumëçka për të mirën e popullit, po thuajse kurrë nuk u shpërblye me të mira. E dua se me dekada i dha shtytjen më të madhe arsimimit të popullit. Por, nuk e dua me deponinë që heshtur na helmon të gjithëve, rrëzë Sharit po me mungesë të ujit të pijshëm, etj, etj. Ka dhjetëra e dhjetëra arsye pse e dua dhe pse se dua.
Gjatë periudhave të ndryshme në këto troje u ndërtuan dhe rrënuan kisha e xhamia. Në shumë vende u hapën dhe mbyllën shkolla. Kjo është historia e jonë e qyteteve të mëdha ose të vogla. Atë histori tani e shkruajmë ne, e shkruajnë ata që e kanë të drejtën e vendosjes, që ua kemi dhënë të drejtën e udhëheqjes.
Në mungesë të ideve dhe kreacionit progresiv ka kohë që individ të ndryshëm, me apo pa qëllim, përpiqen të venë në peshore të kaluarën e (pa)lavdishme të qyteteve ose rajoneve tona duke bërë kështu gabim të madh e të pafalshëm. Qasja e këtillë e shtrembëron të kaluarën tonë të hidhur, sepse kështu fitohet përshtypja se dikush ka punuar më pak e dikush më shumë, duke harruar kështu faktin se shqiptarët e këtushëm gjithmonë kanë qenë në rolin e kërkushit.
E tani? Popullit në Republikën e Maqedonisë, posaçërisht shqiptarëve u intereson që të kenë një jetë me standard më të mirë. Siguri më të madhe individuale e kolektive. Shkollim shumë më cilësor. Jetë të organizuar kulturore. Shërbime më cilësore shëndetësore. Objekte sportive e të rekreimit. Më shumë çerdhe fëmijësh. Më shumë pastërti. Më shumë vende pune. Më pak dhunë institucionale e individuale.
Më pak grabitje institucionale e individuale. Më pak mito e korrupsion. Më pak vjedhje e plaçkitje etj. Në të njëjtën kohë u duhet më pak fjalë, por shumë, shumë punë. Madje, punë permanente, cilësore e kreative. Në të kundërtën: çka ka qenë e çka është Shkupi, çka ka qenë e çka është Tetova, janë tema me të cilat vijimisht janë marrë dhe merren individët që ende nuk e kanë kaluar fazën orale të shprehjes. Këto tema nuk është e lejueshme të bëhen pjesë e aktualitetit tonë. Ato nuk duhet në asnjë mënyrë të zënë vend në preokupimet e subjekteve politike. Produkti final i tyre janë vetëm ndarjet edhe ashtu të shumta mes nesh. Por, këto me përmasa shumë më të dhimbshme.
Në fillet e pluralizmit partiak dominonte përcaktimi për individë që do të krenohen me punën dhe angazhimin e vet jo që do të krenohen dhe thirren në të kaluarën ose të tashmen e vendbanimeve ose rajoneve. Pretendimet tona janë Evropa e bashkuar ku veprim mbi parimin e principatave është çështje e panjohur.
Njohja e të kaluarës së hidhur politike të shqiptarëve të Maqedonisë dhe veprimi shpresëdhënës i organizimit politik të shqiptarëve para dy dekadave ishin faktorë dominues që shtonin paqartësinë time lidhur me angazhimin e politikanëve të Shqipërisë për kundërvënie veprimit mbi parime të krahinarizmave. Ato kishin pasur të drejtë. Ka individë që pretendime të tilla të rrezikshme mundohen të promovojnë edhe këtu, e kjo në radhë të parë është punë që duhet ndalur nga ana e atyre që flasin në emër tonë. Ne të tjerët mund vetëm të dërgojmë sinjale se një gjë të tillë definitivisht nuk e njohim dhe mbështesim.