Për Kosovën, Baronesha Ashton tha se ne e kuptojmë se Kosova mbetet një çështje e rëndësishme për Serbinë, megjithatë, shtoi ajo, pikëpamjet e ndryshme mbi statusin e Kosovës nuk duhet të na parandalojnë ne të ecim përpara në zgjidhje të çështjeve praktike.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit evropian për Politikë të jashtme, Catherine Ashton viziton Kosovën, në ndalesën e tretë dhe të fundit në turneun e saj të parë në Ballkan.
Zonja Catherine Ashton përzgjodhi këtë radhë të shkojë në Bosnjë Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.
Në fjalimin e saj para shoqërise civile në Beograd, zonja Ashton pati një mesazh të qartë për të gjithë vendet e Ballkanit.
Ajo theksoi arritjet e bëra në Ballkan duke vënë në dukje se Ballkani sot është një vend ndryshe. Por ajo theksoi edhe sfidat me të cilat përballen vendet.
Për Kosovën, Baronesha Ashton tha se ne e kuptojmë se Kosova mbetet një çështje e rëndësishme për Serbinë, megjithatë, shtoi ajo, pikëpamjet e ndryshme mbi statusin e Kosovës nuk duhet të na parandalojnë ne të ecim përpara në zgjidhje të çështjeve praktike.
Në veçanti bashkëpunimi rajonal duhet të ecë përpara. Kosova duhet të mundësohet në një mënyrë pragmatike të marrë pjesë në iniciativat e bashkëpunimit rajonal.
"Kosova, theksoi ajo, është pjesë integrale e strategjisë së BE në Ballkanin perëndimor.
Zonja Ashton më pas theksoi se Mali i zi, Shqipëria dhe Maqedonia po përparojnë në drejtimin e duhur.
Duke u përqëndruar te Shqipëria, ajo tha se Shqipëria gjatë viteve ka parë progres të rëndësishëm. Megjithatë, shtoi përfaqësuesja e lartë, vështirësitë politike aktuale po venë në rrezik progresin e mëtejshëm .
"Dua të them sinqerisht se unë jam përkrahëse e fortë e dialogut politik dhe jo e bojkoteve si rrugë për të gjetur zgjidhje politike, "tha ajo.
Duke u kthyer tek Maqedonia, zonja Ashton tha se progresi konkret dhe zgjidhja e të ashtuquajturës çështje e emrit do të jetë tepër e dobishme.
Baronesha Ashton e bëri të qartë se mesazhi i Be-së ishte "BE është me ju deri sa ju të jeni në BE."
Ashton në Kosovë
Vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton në Kosovë është e para që realizohet pas zgjedhjes së saj në këtë post.
Shefja e diplomacisë evropiane, do të takohet me kryeministrin Thaçi dhe me përfaqësuesit e BE-së.
Para ardhjes në Prishtinë, zonja Ashton ka deklaruar se Kosova do të jetë prioritet i rëndësishëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian dhe se të gjitha vendet anëtare mbështesin perspektivën evropiane të saj, ndonëse pesë prej tyre nuk e kanë njohur pavarësinë.
BE-ja ka në Kosovë misionin më të madh në fushën e sundimit të ligjit, EULEX-in me një personel prej rreth 2000 punonjës ndërkombëtarë dhe mbi 1200 lokal.
Pak ditë më parë, Bashkimi Evropian vendosi që ti vazhdojë mandatin edhe përfaqësuesit të tij në Prishtinë, Pieter Feith për të paktën gjashtë muaj, ndërkohë që ky i fundit vazhdon ta udhëheqë edhe Zyrën Civile Ndërkombëtare, që bën mbikqyrjen e pavarësisë së Kosovës.