E premte, 19.09.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ndër aktorët më të suksesshëm të gjeneratës së parë të aktorëve që dolën nga Universiteti i Tetovës padyshim është Muzafer Etemi. Pas diplomimit ishte aktiv dhe punëtor i palodhshëm për çështjen e hapjes së Teatrit në Tetovë, kurse tani e shohim gjithnjë produktiv në skenë, teatër, tv madje kohën e fundit kryepersonazh në filmin më të ri me titull: ,,Lufta mbaroi,,.
Intervistė me aktorin e suksesshėm Muzafer Etemi













Intervistoi: Avni Osmani

Na tregoni pak për hapat e para,si ju lindi ideja te bëheni aktor,pse pikërisht zgjodhët aktrimin si profesion jete?

Gjithmonë si fëmijë më ka pëlqyer puna e aktorëve dhe kam qene kureshtar se çfarë shkolle duhet kryer për t’u bërë aktor. Me hapjen e Universitetit të Tetovës u hap dhe dega e Aktrimit. Krejt rastësisht pashë një konkurs të shpallur në televizionin “Koha”. Ishte afati i fundit (tetorit), kishte vetëm 3-vende te lira, konkursi zgjaste vetëm edhe një ditë. Të nesërmen përgatita dokumentet e nevojshme dhe i dorëzova. Nga të gjithë konkurrentët u pranuan dy vajza dhe unë. Procesi i shkollimit ka qenë mjaft i vështirë për shkak se katër vite shkollim kemi qenë nëpër objekte private, sepse universiteti ishte i palegalizuar.

Na flisni pak për karrierën tuaj si aktor (e), për rolet tuaja që keni realizuar, ku keni qenë i angazhuar etj dhe çfarë jeni duke punuar kohën e fundit?

Muzafer Etemi vs Enver Petrovci

Kariera ime fillon me shfaqjen e diplomës “Të vdekur të pavarrosur” të autorit Zhan Pol Sartre në regji të profesorit të klasës Sefedin Nuredini. Pas diplomimit angazhimi im do të jetë mjaft intensiv. Do të vazhdoj me disa projekte televizive (10 përralla popullore shqiptare); Në TV-serialin për fëmijë “Mr. Alfabeti” (36-seri) me skenar të Kimete Agait, në rolin e Mr. Alfabetit. Gjithashtu kam qenë i angazhuar në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, pastaj në Teatrin Shqiptar në Shkup dhe dy projekte në Gostivar. Bashkë me disa kolegë do të themelojmë Shoqatën e Artistëve të pavarur “Feniks”, përmes të cilës sensibilizuam opinionin për domosdoshmërinë e hapjes së një teatri profesionist në Tetovë. Gjatë kësaj kohe kemi realizuar disa projekte teatrore, si: “Maturantët” të Zija Berishës, regjia Arsim Kaleci; “Lavirja e denjë për respekt” të Sartrit, “Policët”, të Mrozhekut, regjia Vebi Qerimi dhe shumë projekte të tjera. Vlen për t’u përmendur iniciativa për themelimin e Teatrit te Tetovës, ku bashkë me kolegët grumbulluam 10 mijë nënshkrime. Kjo iniciativë do të merret shumë seriozisht nga partia e cila atë kohë ishte në qeveri . Në gusht të vitit 2007 promovohet Teatri i Tetovës si Institucion Nacional me buxhet të shtetit, ku janë të punësuar me vendim pune 15 aktorë dhe 17 të tjerë(punëtorë teknikë dhe administrativ).

Jeni i punësuar në Teatrin e Tetovës, sa jeni të kënaqur me kushtet dhe punën që zhvillohet aty,sa projekte punoni në vit dhe a mjaftojnë ato?

Është bërë punë e mirë, por mendoj se ka mundur të bëhet më shumë dhe është dashur të bëhet më shumë. Pavarësisht kushteve të vështira dhe buxhetit mjaft të vogël ne nuk kemi mundur të sjellim emra të njohur regjisorësh për të dëshmuar se kapaciteti ynë artistik është i nivelit të teatrove tjerë profesionist. Për këtë vit janë miratuar 3-projekte, me një buxhet mjaft të vogël. Natyrisht që janë pak. Në përgjithësi kultura shqiptare është lënë shumë pasdore, për të mos thënë është lënë krejtësisht pasdore.
Muzafer Etemi ne Lufta mbaroi

Jeni kryeprotgonist në filmin më të ri me koproduksion zvicrano-maqedonas “Lufta Mbaroi”, i cili u shfaq edhe në festivalin e Soloturnit në Zvicër,na tregoni më shumë si lindi ky film,e kujt është regjia , cili është roli i juaj ,dhe çfarë mesazhi bart në vete ky film?

Po. Projekti filmik i metrazhit të gjatë “Lufta mbaroi” është angazhimi më i madh i imi deri më tani. Unë luaj rolin e Rasim Rahmanit, i cili është edhe kryepersonazhi i kësaj ngjarjeje. Ky film mbështetet nga një histori e vërtetë. Skenarin dhe regjinë e ka bërë Mitko Panov. Ekipi teknik ka qenë nga shumë vende të botës si: Amerika, Kanadaja, Peru, Zvicra, Gjermania, Kroacia, Shqipëria, Beogradi dhe Maqedonia.

Sa për porosinë mendoj se duhet të shihet filmi që të mund të kuptohet porosia. Rasimi është humbës, ai ka një idol të vetëm-babain e tij, prandaj shpesh e përmend thënien e tij se …lufta e vetme për të cilën ia vlen të mendohet është ajo nën kulmin tënd, gjithçka tjetër është vetëm zhurmë. Prandaj, pas të gjitha përpjekjeve të tij, ku del humbës, vendos të kthehet te kulmi i tij (atdheu)…
Muzafer Etemi ne skene


Sa i përket stafit artistik përveç meje dhe Dritero Ames, aktorët tjerë janë nga Kosova: Enver Petrovci, Armond Morina, Sheqerie Buçaj, Selman Lokaj, Blerta Syla, Sulejman Lokaj etj. Në film flitet kryesisht në gjuhën shqipe, por ka dialogje edhe ne gjuhën serbe, pra ka të angazhuar edhe aktorë maqedonë dhe serb.

Ky film pra kjo trupë kryesisht me aktorë shqiptar a ka mundësi të udhëtoje drejt festivalit të filmit në Kan të Francës dhe në Venedik të Italisë, sa janë gjasat?

Ekziston mundësia që ky film të futet në konkurrencë në festivalin e filmit në Kan dhe në atë të Venecias, por akoma nuk di nëse kjo do të ndodhe.

A mendoni se publikut tonë i mungon kinematografia, gjegjësisht filmi apo serialet televizive nga artistë tanë shqiptar? Pra, ku qëndron problemi i mospasjes ?
Muzafer Etemi ne skene

Pa dyshim që publikut tonë i mungon kinematografia e sidomos projektet cilësore. Edhe në këtë fushë të artit jo vlera ia ka zënë frymën vlerës së mirëfilltë. Shpesh po xhirohen filma pa asnjëfarë vlere artistike, duke shpenzuar shuma të mëdha parash. Producentë të ndryshëm duke patur për qëllim paranë, degradojnë edhe artistë të njohur duke ju ofruar para të majme vetëm e vetëm që të jenë pjesë e projektit sepse vetëm ashtu do të mund ta “shesin” mallin e tyre. Sa për serialet kohëve të fundit po flitet se edhe te ne, posaçërisht në Kosovë kanë filluar të prodhohen TV-seriale. Se çfarë vlere kanë ato nuk mund të them asgjë sepse akoma nuk kam parë ndonjë serial shqiptar, përveç “Njerëz dhe Fate”, i cili për mua ka qenë një projekt shumë i suksesshëm.

Çfarë mendoni për kulturën dhe artin në Maqedoni? A mund të jetohet nga ky profesion pra nga arti në këtë kohë në Maqedoni?

Me pak fjalë e thash më sipër dhe vetëm do të shtoj se arti, e kam fjalën për artin shqiptar, është buzë greminës. Në ministrinë e kulturës nuk kemi përfaqësues shqiptar, kjo tregon se nuk ka kush i del zot kultivimit të artit në Maqedoni.

Koha e lirë, hobi i juaj,aktivitete tjera jashtë aktrimit dhe teatrit ?

Ecja në ajër të pastër, ping-pongu dhe shahu.

Mesazhi i juaj për lexuesit e Yll-Press-it

Yll Press-i po bën një punë të mrekullueshme, shqiptarët, kudo qofshin në botë i afron dhe i bashkon. Porosia ime është: Një “gur” për kalanë Atdhe, ta bëjmë të fortë, të mos e përdhosë kujt t’i kujtohet dhe kur t’i kujtohet. Arsimim, arsimim, arsimim (i mirëfilltë).



Publikuar: 19.02.2010 | 08:44
Lexuar: 2509 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Jeta(diaspora) (19/02/2010 23:08:50) suksese juve Muzafer ,ju urojm suksese.Se bashku me Avniun i cili meret edhe me gazetari jeni aktor shum te mire

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime