Rrugës nga aeroporti i Prishtinës për në kryeqytet, më bënte përshtypje prania e pakët e flamurit të ri të Kosovës. Duket se njerëzit, të mbrujtur, të lindur e të rritur nën flladitjen e flamurit kombëtar të shqiptarëve, kanë nevojë për një periudhë ambientimi me flamurin e ri, që ta ndiejnë krejtësisht si të tyrin.
Reportazh nga Robert Goro
E kuqja është ngjyra që donimon në çdo stinë në hartën kromatike të Kosovës. Më tepër se për shkak të flamujve kuqezi që valëviten thuajse në çdo banesë e objekt, e kuqja këtu ka kuptimin e një metafore. Një metaforë e përjetshme e gjakut që kanë derdhur brezat, sidomos këto 100 vitet e fundit për të sendërtuar ëndrrën e tyre më të madhe, lirinë.
Është hera e dytë që vij në Kosovë këto tre muajt e fundit. Në këtë ndërkohë është shënuar ngjarja më e madhe në jetën e Kosovarëve, shpallja e Pavarësisë.
Rrugës nga aeroporti i Prishtinës për në kryeqytet, më bënte përshtypje prania e pakët e flamurit të ri të Kosovës. Duket se njerëzit, të mbrujtur, të lindur e të rritur nën flladitjen e flamurit kombëtar të shqiptarëve, kanë nevojë për një periudhë ambientimi me flamurin e ri, që ta ndiejnë krejtësisht si të tyrin.
Gazmend Bytyçi është një shitës ambulant në sheshin Nëna Terezë. Në një stol që kryen funksionin e tezgës, ai ka vendosur flamuj të vegjël e të mëdhenj të shtetit të Kosovës. E pyes se si po i shkon puna.
- Jo keq, - thotë, - më së shumti janë të huajt blejnë flamuj, ndërsa qytetarët vendas blejnë flamuj të vegjël, i bëjnë dhuratë për raste të ndryshme...
E blej dhe unë një flamur. Flamuri kuqezi në zyrën time tani do të ketë një vëlla, mendoj.
Përtej figuracioneve letrare, pavarësia e Kosovës është një realitet i prekshëm, dhe këtë më mirë se kudo e dallon tek vetë njerëzit, ose vetëm tek njerëzit. Në magnetofonin tim kam të incizuar disa prej tyre: studente, punëtorë, pensionistë
Po ndihemi si qytetarë të lirë, kjo është gjëja më e mirë që mund të ndodh në jetë për njerëzit siç kemi qenë ne, një kohë të gjatë të okupuar... Mendoj se gjithka ka ndryshuar e do të ndryshojë më mirë në të ardhmen. Njerëzit janë shumë më optimistë, i vëren dhe rrugës ka fytyra të tjera, jo gjithmonë të ngrysura, siç kanë qenë, më thotë një studente..
Ndryshime nuk ka, as ekonomi, askurrgjë, por ndryshimi është se qytetarët e Kosovës e kanë çehren më të lumtur dhe ndihen si qytetarë të Republikës së Kosovës...
Tash po na duket pak ma mirë, se jena pak ma të lirë, punojmë më shlirshëmn, tash çdo mëngjes që ngrihemi prej gjumit e ndjejmë se Kosova ashtë shtet i lirë dhe po ashtu e ndjejmë se kemi një të ardhme më të mirë...
O boll mirë pavarësia! Ne jena pleq, po për djemt e rinj ka me pasë ditë të mira, ka me pasë ditë të bukura, ka me pas fat, ka me pas punë, ka me pasë të gjitha. Unë mendoj që ma mirë ska ma për neve. Qe 100 vjet e kena prit këtë liri!
Nehat Islami, miku im i mirë, një gazetar i vjetër e i respektuar, është drejtor i zyrës së këshillit të mediave të shkruara.
Kur zgjohemi në mëngjes ne jemi të lumtur dhe mendojmë se çka do të bëjmë sot, ku do të shkojmë me kë do të takohemi. Me një fjalë, është një atmosferë gëzimi dhe më nuk e kemi atë ankthin e përhershëm që na mundonte gjatë natës në gjumë dhe në ëndrra, por dhe në realitet, se a do të pavarësohemi apo jo. Nuk ka qenë lehtë as për gjithë popullin që të zhagitemi (të zvarritemi) e të përcjellim debate të pakufishme edhe jashtë edhe në Kosovë, nëse do të bëhet apo si do të bëhet pavarësia. Tanimë jemi liruar nga ai ankth dhe nga ato pritje. Tani është koha të krijojmë, të krijojmë e të krijojmë., më thotë Nehati aty tek vendtakimi i preferuar, në restorant Pishat, ku kanë ardhur edhe miqtë e tjerë, Valentina Saracini, gazetarja cilësore që ne e patëm njohur më parë si një këngëtare tepër të preferuar, nga valët e Radio Prishtinës dhe Ibrahim Osmani i Kohës Ditore.
Përndryshe, Kosova jetonte që prej nëntë vitesh në një regjim të çuditshëm lirie të kushtëzuar, si puna e një zogu që jeton në një kafaz të madh e i përplas krahët e veta lirshëm, por deri në një limit të caktuar. Sot padyshim që është ndryshe, megjithëse njerëzit ankohen se pushteti ende nuk ka kaluar plotësisht në duart e qeverisë së Kosovës. Zëdhënësi i kësaj qeverie e njëkohësisht zëvendëkryeministër, Hajredin Kuçi, thotë se tranzicioni do të përfundojë brenda muajit qershor.
E para, duhet të them se Kosova është në fazën e tranzicionit, këtë tranzicion po e bën edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë me OKB-në, por edhe me misionin e ri të Bashkimit Europian. Në aspektin e sigurisë jemi në bashkëpunim të përhershëm me NATO-n dhe unë mendoj se NATO do të qëndrojë për një kohë të gjatë në Kosovë. Përndryshe, vala e transferimit të kompetencave shkon në drejtim të qeverisë së Kosovës dhe ne kemi transferuar ca kompetenca, besoj se deri në muajin qershor përfitimet e transferimit do të jenë të dukshme. Por në asnjë rast nuk ka ndonjë kompetencë që qeveria e Kosovës nuk e ka ose nuk do ta ketë.
Relaks, mendoj se është fjala më e përshtatshme për të përshkruar gjendjen shpirtërore të njerëzve në Kososë, në muaj të parë pas shpalljes së pavarësisë. Njerëzit janë me të vërtetë të çliruar nga një stres i gjatë dhe kjo duket në sjelljen e tyre të përditshme, madje dhe në elementë që më përpara mund të imagjinoheshin me vështirësi. Bie fjala, dhënia e prioritetit këmbësorëve nga ana e drejtuesve të mjeteve, që këto ditë e vura re gjithandej, të zbatohej si një rregull i pashkruar. Ndryshimi dallohet më qartë pikërisht tek hollësitë.
Por entusiazmi i pavarësisë nuk mund të zgjasë përjetësisht dhe aq më pak të funksionojë si alibi për problemet e shumta sociale me të cilat përballet Kosova. Përmirësimi i nivelit ekonomik të njerëzve dhe në përgjithësi zhvillimi ekonomik i Kosovës, është sfida e radhës.
SFIDA E MADHE E ZHVILLIMIT EKONOMIK
Ndonëse dispononte resurse mjaft të pasura natyrore, Kosova ka qenë zona më e varfër e ish Jugosllavisë. Të ardhurat për frymë të kosovarëve ishin 2 herë më të ulëta se ato të Malit të Zi, Maqedonisë e Bosnje Hercegovinës dhe tri herë më të ulëta se të Serbisë.
Sot, situata nuk është më e mirë, dhe këtu ka ndikuar shkatërrimi i ekonomisë kosovare gjatë luftës, thotë Viktor Buzhala, i redaksisë ekonomike të së përditshmes prishtinase, Express.
Ekonomia e Kosovës është në një gjendje shumë të rëndë, kanë ndikuar shkatërrimet që kanë ndodhur gjatë luftës dhe gjatë tranzicionit dhjetëvjeçar. Janë shkatërruar tregjet e industrisë kosovare, i gjithë sektori privat i ekonomisë.
Sipas kolegut Buzhala, problemi më i madh social i Kosovës është papunësia, që sipas FMN-së llogaritet në 42%, ndërsa sipas të dhënave qeveritare shkon deri në 70 %. Ndërsa GDP shkon në 1900 dollarë, që është dukshëm më e ulët se sa rajoni. Dihet se GDP-në e rritin kompanitë e fuqishme, gjë që fatkeqësisht Kosova nuk e ka dhe kjo e bën një vend jashtëzakonisht të varfër, thekson Buzhala.
Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se komuniteti i biznesit po i prezanton qeverisë alternativat për zhvillimin ekonomik të vendit.
Biznesi i është ofruar qeverisë me propozime konkrete se çka duhet bërë në mënyrë që ne të ndikojmë në rritjen e konkurencës së ndërmarrjeve tona në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, dhe kjo do të jetë forma më e mirë për të krijuar vende të reja pune, të cilat do të ndikojnë drejtpërtdrejtë në reduktimin e varfërisë, që është shqetësim gjithëqytetar në Kosovë, më thotë zoti Beqaj.
Nga ana e vet, edhe qeveria i ka përcaktuar tri prioritetet e zhvillimit ekonomik, dhe resurset përkatëse, më thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi:
Për këto projekte kemi resurse që mendojmë ti shfrytëzojmë. Resurset e para janë natyrale, të Kosovës, apo ato nacionale, qoftë ato të Kosovës dhe njerëzore, resurset e dyta, mendojmë nga investimet e huaja dhe donacionet ndërkombëtare por edhe institucionet monetare ndërkombëtare dhe resursi i tretë është diaspora jonë. Ne do të mundohemi që ti koordinojmë këto të trija me kujdes, dhe ti shfrytëzojmë në dobi të mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Kemi projekte për këtë, do ti lëvizim gjërat, pa një optimizëm që këtu do të bëhet ndonjë mrekulli e madhe, por me garanci se do të bëjmë më të mirën e mundshme, thotë zëvendëskryeministri.
Sipas gazetarit Viktor Buzhala, pavarësia ka krijuar premisat për afrimin e Kosovës me organizmat e fuqishëm ndërkombëtarë, të cilët mund të japin kredi me interersa të ulëta. Por gazetari kosovar thekson se e vetmja alternativë për zhvillimin e Kosovës, janë investimet e huaja.
Ndërkaq, Besim Beqaj, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë brenda muajit të parë që nga shpallja e pavarësisë, ka filluar ndërkaq interesimi i biznesmenëve të huaj për të kryer investime në Kosovë.
Ka një interesim shumë të madh për të vizituar Kosovën, si delegacione nga Gjermania, Austria, Turqia, Italia, nga vende të rajonit, të cilat vijnë me misione biznesi për të hulumtuar tregun në Kosovë dhe për të parë se ku mund të punohet..
Pritet që në muajin qershor të mbahet një konferencë e donatorëve për Kosovën, prej nga Prishtina shpreson se do të marrë një mbështetje shumë të madhe. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehet i bindur për këtë mbështetje.
Ne jemi të bindur që konferenca e donatorëve do të bëjë dy gjëra, do ta krijojë mundësinë e stabilitetit ekonomik në kuptimin e infrastrukturës kapitale, që ne do të tentojmë ta rritim shumën e donacioneve për Kosovën dhe e dyta që ato donacione të jenë në përputhje me prioritetet e vendit tonë, që nënkupton se edhe marrin donacione, por dhe zhvillojmë orientimet strategjike të Kosovës. Kemi formuar grupe pune, kemi filluar lobizimin, kemi krijuar projekte, kemi angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë; besoj se do të jemi konkurentë të mirë, do të jemi seriozë dhe do të kemi donacione të cilat do të na ndihmojnë që në fazën e ndërtimit të shtetit të bëjmë infrastrukturën e domosdoshme.
Pas zgjidhjes së statusit, zhvillimi ekonomik është, natyrisht sfida më e madhe për Kosovën, prej nga do të varet në masë të konsiderueshme mbijetesa e shtetit të ri. Këtu janë optimistë se kasandrat mosbesuese do të zhgënjehen. Dhe kjo duhet të ndodhë, në mos për gjë tjetër, të paktën për hir të popullsisë kosovare, që ka moshën mesatare më të re në Europë dhe mbart brenda vetes energji të mëdha që duhet të shpërthejnë në mënyrë krijuese.