Që të kuptohet më drejtë gjendja e alarmit para të cilit janë vënë autoritetet belge duhen krahasuar shifrat e kërkesave për azil të muajve dhe viteve të kaluara. Kështu, në muajin janar nga Maqedonia janë regjistruar vetëm 60 kërkesa për azil, pra gjatë një muaji, 27 kërkesa më pak se vetëm gjatë ditës së sotme.
Që prej liberalizimit të vizave vitin e kaluar me Maqedoninë dhe Serbinë, Belgjika është një prej vendeve evropiane që po përballet me rritjen e frikshme të numrit të azil-kërkuesve nga këto dy vende.
Vetëm sot ka pasur 250 kërkesa për azil, 87 prej tyre nga Maqedonia dhe 51 nga Serbia, konfirmoi për Alsat-M një zëdhënëse e Komisariatit të Përgjithshëm për Refugjatët dhe Apatridët në Belgjikë. E njëjta konfirmoi se bëhet fjalë për qytetarë të etnisë shqiptare nga këto dy vende.
Që të kuptohet më drejtë gjendja e alarmit para të cilit janë vënë autoritetet belge duhen krahasuar shifrat e kërkesave për azil të muajve dhe viteve të kaluara. Kështu, në muajin janar nga Maqedonia janë regjistruar vetëm 60 kërkesa për azil, pra gjatë një muaji, 27 kërkesa më pak se vetëm gjatë ditës së sotme. Ndërsa në vite, në 2007 ka pasur 59 kërkesa, 122 aplikime janë regjistruar në vitin 2008, 201 gjatë gjithë vitit 2009, ndërsa rreth 168 gjithsej nga 1 janari deri në 17 shkurt të vitit 2010.
Autoritetet belge nuk kanë ditur të japin një spjegim për këtë rritje të beftë të kërkesave për azil nga shqiptarët e Maqedonisë dhe Serbisë dhe kjo situatë ka bërë që organizmat kryesorë në vend që merren me trajtimin e kërkesave të caktojnë një mbledhje urgjente këtë javë për vendosur se si do të veprojnë më tej.
Një ndër problemet që nuk njihet nga personat që aplikojnë për azil është se Belgjika që prej vitit 2009 është e tejmbytur nga kërkesat për azil dhe se qendrat pritëse në vend kanë kapërcyer nivelin e 109% duke u detyruar të strehojnë në hotele personat që presin përgjigje për kërkesën e tyre.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Komisariatit për refugjatët, nga kërkesat në fillim të vitit 2010, asnjë qytetar nga Maqedonia nuk ka marrë përgjigje pozitive për azil. Ndërsa vitin e kaluar, nga 201 aplikime, vetëm 2 kanë marrë përgjigje provizore pozitive, pra vetëm 1%.
Alsat-M, në Belgjikë dhe Maqedoni do të ndjekë nga afër këtë javë këtë situatë tepër të rëndë ekzodi, e cila përveç kushteve të këqia të jetesës që i detyron këta persona të marrin rrugët e mërgimit, mendohet të jenë dhe objekt i manipulimit për motive përfitimi, ku familjeve iu premtohet parajsa dhe në vendin ku shkojnë me gra, pleq e fëmijë, gjejnë vetëm ferrin.
ZGJOHU! për shpërnguljet: Të mos manipulohen qytetarët
Lëvizja Qytetare ZGJOHU! shprehet jashtëzakonisht e shqetësuar nga lajmet për shpërngulje të theksuar të qytetarëve shqiptar nga Maqedonia në drejtim të Evropës perëndimore në kërkim të jetës më të mirë, thuhet në një kumtesë të kësaj shoqate.
ZGJOHU! informon të gjithë qytetarët që liberalizimi i vizave për qytetarët e Maqedonisë paraqet vetëm një mundësi për udhëtime turistike dhe qëndrime të shkurtra deri në 90 dite në vendet e zonës Shengen pa asnjë mundësi për punë dhe studim në ato vende. Leja për punë në Evropën perëndimore mundësohet vetëm nëpërmjet marrjes së vizës të tipit D që kushtëzohet me lejen e punës në vendin përkatës. Maqedonia gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Evropian si dhe me çdo vend anëtar të zonës Shengen për rikthim të qytetarëve të saj dhe në këto shtete nuk është e mundur t'u jepet azil qytetarëve nga Maqedonia.
Lëvizja ZGJOHU! bashkë me Shoqatat e Historianëve, Arsimtarëve, Piktorëve, Intelektualëve, Artistëve dhe Shkrimtarëve shqiptarë si dhe shumë OJQ tjera apelojnë deri te të gjithë agjencitë turistike që mos t'i manipulojnë qytetarët shqiptarë duke i keqinformuar rreth mundësive për qëndrim dhe punë në vendet e Evropës perëndimore si rezultat i liberalizimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë. Mallkimi i kombit do të bie mbi ato që me gënjeshtra po krijojnë radhë të tëra të qytetarëve për të braktisur trojet e baballarëve dhe po shesin pasurinë e tyre familjare për një gënjeshtër turistike për përfitime mbi tragjedinë e popullit.
Vështirësitë ekonomike të qytetarëve tanë nuk do të zhdukën duke e shitur gjithë pasurinë e tyre dhe duke u shpërngulur për të hasur në një zhgënjim edhe më të madh sesa në vendin e tyre. Patriotizmi fillon ke pragu i derës dhe rruga jonë mund të jetë e gjatë, ngjitja jonë mund të jetë e vështirë, por ajo çka historia na ka mësuar është se në këto troje ne vuajmë dhe rimëkëmbemi si një, sepse jemi një, potencohet në kumtesë.
Një vend pa artefakte është vend pa kujtesë, një vend pa kujtesë është një vend pa histori, një vend pa njerëzit e vet, nuk është vend, theksohet në fund të kumtesës së Lëvizjes Qytetare "ZGJOHU!" nga Shkupi. /Ernest BUNGURI, Alsat-M/