Gazetarja Frosina Pandurska është shpërblyer me çmimin evropian të sivjetmë për gazetari Zhan Mone, ndërsa televizioni Alsat-M fitoi mirënjohje speciale për promovimin e dialogut interkulturor si dhe për promovimin e vlerave evropiane.
Në vitin evropian të dialogut ndër-kulturor, çmim i dyfishtë nga misioni i BE-së në Shkup për televizionin Alsat-M.
Gazetarja Frosina Pandurska është vlerësuar me çmimin evropian të sivjetmë për gazetari 'Zhan Mone', për kontributin e saj, dedikuar traditave fetare që përveç feve të ndryshme, kanë edhe diçka të përbashkët, ndërsa Alsat-M fitoi nga juria profesionale, mirënjohjen speciale për promovimin e dialogut ndërkulturor dhe vlerat evropiane e demokratike.
"Ju faleminderit për çmimin duhet të pranoj se ky reportazh për Bajram dhe Shën Nikolla ishte një ndër kontributet e mia të para në Alsat. Kuptohet me ndihmën e redaktorëve. Punuam që të jetë një kontribut ku do të shihej dialogu interkulturor. Në pika të shkurta do tiu them se teologu i krishterë fliste për traditat që bëhen gjatë festës së Kurban Bajramit, ndërsa teologu mysliman për traditat e Shën Nikollës', tha gazetarja Frosina Pandurska.
Kryetari i Jurisë ambasadori Jordan Plevnesh tha se mirënjohja është për shprehjen moderne mediatike dhe promovimin e vlerave evropiane.
"Juria që punonte në atë ekip që ju lexua më parë. Konstaton se nga të gjitha kontributet që arritën deri te ne, si komision i jurisë u ndanë kontributet e Alsatit si kontribut evropian në ndryshimin e peizazhit politik në mediat informative dhe ishim të gëzuar të konstatojmë se Alsati me një energji të veçantë kontribuon në evropianizimin e asaj hapësire mediatike. Dhe vendosëm që t'a shpërblejmë me këtë pllaketë", theksoi kryetar i jurisë, Jordan Plevnesh.
Konkursi për çmimin gazetaresk 'Zhan Mone' nuk është i rastësishëm, për shkak se pikërisht mediat janë shumë të rëndësishme gjatë procesit të eurointegrimit dhe në përgjithësi në një shoqëri demokratike',- tha euro ambasadori Ervan Fuere gjatë dhënies së çmimit. Pushteti duhet të mësoj nga kritikat dhe ta respektoj lirinë e të shprehurit.
"Kritika konstruktive është një lëvizje kryesore e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Pa marrë parasysh se ajo vjen nga shoqëria civile, apo mediat, përgjegjësi e qeverisë është që t'i dëgjoj kritikat e këtilla dhe ti pranoj.
Duhet të shihet si shprehje e fuqisë e jo si shprehje e paaftësisë. Në vend që t'i hedh ato kritika e cila mendon se janë kundër shtetit, duhet që ato ti pranoj dhe të tregoj se motivon mendimin e lirë. Duke e bërë këtë, qeveria promovon dialogun e hapur dhe ndërton frymën e konsensusit ndërmjet të gjitha partive politike dhe aktorve në shoqëri.", shtoi ambasdor Fuere.
Gjatë dhënies së çmimeve u promovua edhe libri "Evropa shtëpia ime", nga njëri prej themeluesve të BE-së, Zhan Mone.
Naim Vrenezi