Gruevski tha se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kërkesat e tyre do të refuzohen dhe se të gjithë do të kthehen në Maqedoni.
Kryeministri Nikolla Gruevski i ka bërë thirrje banorëve të rajonit të Kumanovës, por edhe të vendbanimeve të tjera në Maqedoni që të mos manipulohen nga persona apo agjensi turistike që u premtojnë atyre përfitimin e azilit politik në vendet europiane. Gruevski tha se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kërkesat e tyre do të refuzohen dhe se të gjithë do të kthehen në Maqedoni.
Njerëzit duhet të dinë të mos bien pre e manipulimeve të ndryshme, kur dikush ju thotë që të shkojnë dhe i tërë autobusi të këtkojnë azil dhe do e fitojnë menjëherë, përkundrazi për fat të keq këta njerëz janë të manipuluar nga dikush dhe ata do të kthehen dhe nuk do fitojnë azil, dhe ju apeloj edhe tjerëve mos bien pre e dizinformatave, tha krye,inistri Nikolla Gruevski.
Përsa i përket akuzave se fajtore për largimin e tyre është qeveria, për shkak të mos investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës në ato zona, kryeministri Gruevski tha se qeveria do të bëjë gjithçka të mundur për të përmirësuar gjendjen në të gjitha komunat, por sipas tij për realizimin e kësaj nevojitet kohë pasi investimet janë cështje dekadash dhe jo vitesh.
Ne mundohemi të investojmë kudo, është e mundur diku më shumë e diku më pak nuk them që ka qenë e barabartë kudo, por flas për dekadat e fundit jo për një apo dy vite. Investimet janë punë dekadash. Sidoqoftë në të ardhmen do mundohemi me aq sa mundemi që cdo kund ku ka nevojë për investime t'i realizojmë sa duhet, shtoi kryeministri Gruevski.
Komentet e Gruevskit u bënë pas alarmit se qindra shtetas të Maqedonisë, në mënyrë masive kanë kërkuar azil në Belgikë dhe vendet e BE-së me shpresën për një jetë më të mirë. Gjatë periudhës së fundit në dyert e zyrës së të huajve në Bruksel shqiptarët nga Maqedonia dhe nga Serbia kanë mbajtur rradhën për të aplikuar për azil. Autoritetet belge ndërkohë kanë thënë se të gjitha kërkesat do të refuzohen.
Belgjika kërkon veprim evropian për azilkërkuesit nga Ballkani
Kryeministri belg Yves Leterme i ka tërhequr vëmendjen Komisioneres evropiane Cecilia Malmstrom mbi fenomenin e azil-kërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia. Siç raporton e përditshmja frankofone Le Soir, në një letër që kryeministri belg i ka dërguar komisioneres për çështjet e brendshme dhe të drejtësisë ai shpreh shqetësimin e tij në lidhje me problemet që kanë lindur në Belgjikë nga rritja e kërkesave për azil nga këto dy vende më te cilat ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave.
Ky fluks përbën vështirësi të stërmëdha materiale në lidhje me pritjen e refugjatëve. Rjeti i pritjes së azil-kërkuesve në Belgjikë është tashmë i tejmbytur, sqaron Leterme në letrën e tij.
Autoritetet tona dyshojnë se pas këtij fluksi të papritur mund të fshihen rrjete të vërteta të organizuara, vazhdon më tej kryeministri belg, i cili i kërkon Komisionit të ndërmarrë vendime ose veprime konkrete për të kufizuar pasojat shkatërruese siç i cilëson ai të liberalizimit të regjimit evropian të vizave me këto dy vende.
Në lidhje me këtë, siç ka njoftuar më parë edhe Alsat M, Yves Leterme do të zhvillojë një vizitë në Maqedoni, vizitë e cila ishte paracaktuar në kuadër të udhëtimeve të tij në vendet e Ballkanit. Por në ndryshim nga vendet e tjera, kryeministri belg do të marrë me vete edhe sekretarin e shtetit për çështjet e azilit dhe emigracionit, Melchior Whatelet. Ky i fundit ka shpjeguar për të përditshmen belge se në Shkup do të shkojë me idenë për të propozuar zhvillimin e fushatave të sensibilizimit në vendet të cilat braktisen nga banorët, për tju shpjeguar atyre se informacionet që kanë për mundësitë e përfitimit të azilit në Belgjikë janë të pavërteta.
/alsat-m/