Bashkëpunimi i ulët midis pushtetit lokal dhe atij qendror me shoqërinë e biznesit ka ndikuar në nivelin e zhvillimit ekonomik të komunës së Tetovës në 15 vitet e kaluara.
Ky është rezultat i hulumtimit "Statusi dhe zhvillimi ekonomik i Tetovës" i realizuar nga profesorë të universitetit të Evropës Juglindore. Profesorët shprehen se nuk është normale që Tetova me dy universitete të ketë zhvillim ekonomik të nivelit të 7 në Maqedoni.
"Një qytetet me dy universitete, me më shumë se 15.000 student të ketë mungesë institucionale infrastrukturore, arsimore është vërtet gjynah", deklaroi Abdylmenaf Bexheti, profesor universitar.
"Në veçanti duhet të thuhet se, Tetova përkundër asaj që është jo vetëm arsimore, politike, ekonomike shqiptare, ajo ngec në raport me komunat e ngjashme në nivel të Maqedonisë", tha Rufi Osmani profesor universitar.
"Në këtë moment tani dalin shumë ide për dokumente ekonomike që janë të nevojshme për komunën e Tetovës", shtoi Alajdin Abazi, rektor i UEJL-së.
"Nga viti 1947 deri tash, zhvillimi ekonomik dhe struktura ekonomike e Tetovës nuk është e krahasueshme me komunat tjera sepse në Tetovë nuk janë zhvilluar të gjitha të cilat kanë qenë bartës të zhvillimit ekonomik", nënvizoi Izet Zeqiri, profesor universitar.
Sipas këtij hulumtimi qyteti i Tetovës ka forcë të re të punës e cila për çdo vit është në rritje, ndërsa arsyeja kryesore e ngecjes së zhvillimit ekonomik është mënyra jo adekuate e privatizimit dhe tranzicionit në Maqedoni.
Nevzat Mamuti
ALSAT-M