E mėrkurė, 8.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kur ndërkombëtarët filluan të flasin përmes deklaratave, deklaratat e tyre u përshëndetën me aq entuziazëm sa edhe profetët kur kanë bërë shpallje nuk kanë gjetur kaq shumë mbështetje. Por këto deklaratat këtu lexohen nën rreshta, e prapa rreshtave. Fyerje më të madhe ja bën duke i përshëndetur. U thua se je në një mendje, por nuk je dakord se... në fillim duhet bërë kjo, pastaj kjo... se nuk jemi ne që... por ata që na bëjnë ne... etj. etj.
Tė hapen...31 rekomandimet!*







Lutfi Dervishi

Me afrimin e orëve të mbërritjes së reporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës rriten shpresat se më në fund zgjidhja do të vijë nga ndërkombëtarët. Me javë dhe muaj të tërë, pyetja torturuese që qarkullonte në eterin politik dhe mediatik ishte: Pse nuk flasin ndërkombëtarët?

Kur ndërkombëtarët filluan të flasin përmes deklaratave, deklaratat e tyre u përshëndetën me aq entuziazëm sa edhe profetët kur kanë bërë shpallje nuk kanë gjetur kaq shumë mbështetje. Por këto deklaratat këtu lexohen nën rreshta, e prapa rreshtave. Fyerje më të madhe ja bën duke i përshëndetur. U thua se je në një mendje, por nuk je dakord se... në fillim duhet bërë kjo, pastaj kjo... se nuk jemi ne që... por ata që na bëjnë ne... etj. etj.

Është kjo lloj “përshëndetje” që detyroi presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të dalë pak ditë më parë me një copë letër dhe të lexojë germë për germë qëndrimin e tij. Edhe pas kësaj daljeje krejt të pazakontë, përsëri i njëjti avaz: Jemi dakord pikë për pikë me çfarë thua, të përshëndesim për, por...

Ky qëndrim është vërtet revoltues dhe të kujton një batutë nga filmat e realizmit socialist: “Me leje? Ore mos na e vini re se, helbete, pa shkollë jemi ne. Po unë desha të di, ju për budallenj na merrni ne...?”.

Thembra e Akilit, sipas opozitës, është hapja e kutive. Sipas mazhorancës është herezi të merresh me vendimin e gjykatës! Emëruesi i përbashkët është që jemi dakord që të hetohen zgjedhjet. Mrekulli! Hetimi do të nxjerrë në shesh parregullsitë dhe zgjedhjet e tjera do t’i japim fund njëherë e mirë këtij tmerri pa fund.

E keqja, sipas opozitës, ka ndodhur tek numërimi. Aty janë shitur grupet e numërimit, komisionerët, madje aty duhet të jenë shitur edhe 140 kandidatët për deputetë të PS-së të pranishëm në qendrat e numërimit. Nëse votimi është bërë në 4750 qendra votimi, numërimi është bërë i përqendruar në 66 qendra. Në të gjitha qendrat pa përjashtim kanë qenë kandidatët për deputet. PS nuk ka prova për të paraqitur, por i kërkon ato aty "brenda në kuti” .

Numri total i ankimeve për parregullsi të çfarëdolloj natyre për zgjedhjet e 28 qershorit është 34, 10 herë më pak se në zgjedhjet e kaluara.

Me apo pa dashje, ecën dhe rrotullohesh dhe përballë ke togëfjalëshin: "t’i hapim apo të mos i hapim (kutitë)". "pse ju që jeni të qetë që keni fituar keni frikë nga hapja e kutive"? "Çfarë të keqe ka të hapim dhe të shohim aty brenda".

"Aty brenda janë të gjitha". Të hapen, qoftë edhe disa kuti për të thënë që ja “u hapën”. Opozita mjeshtërisht dhe mjerisht ngatërron Transparencën me Ligjshmërinë. Ka pasur një kohë për të hapur, për të numëruar dhe për të rinumëruar kutitë. Kjo kohë është mbyllur sa i përket ligjshmërisë së procesit. Dhe kjo është sipas Kodit Zgjedhor të shkruar me dorën e majtë të PS-së dhe dorën e djathtë të PD-së.

Kodi është shkruar, por nuk është lexuar. Komisionerët dhe Grupet e Numërimit për shkak të frikës së blerjes nga kundërshtari janë ndërruar në orët e fundit, e në shumë raste edhe përtej afatit ligjor. Të rinjtë që "zëvendësuan" të vjetrit në votim apo në numërim nuk kanë lexuar kodin, nuk kanë ditur asnjë procedurë ankimi apo regjistrimi të parregullsive. Për fat të keq, as "kandidatët për deputetë" nuk kanë dhënë prova se kanë lexuar kodin.

Nëse do të ndiqnim logjikën e ligjshmërisë, meqë opozita njeh rezultatin e zgjedhjeve, do të duhej të njohë edhe institucionet e dala prej saj. Opozita e ka gjithë të drejtën që i jep ligji, por edhe të drejtë si opozitë, për të kërkuar dhe ngritur komision hetimor në Kuvend për të hetuar zgjedhjet.

Nëse shumica do të kërkonte t’i kufizonte objektin e hetimit, siç është në të vërtetë qëndrimi i maxhorancës, atëherë një grup deputetësh të opozitës do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Shumica ka dalë pothuaj në të gjitha rastet e humbur në “betejën” me Gjykatën Kushtetuese. Dhe nëse do të kishte nisur këtë rrugë, opozita me shumë gjasë (duke ndjekur precedentët) do të kishte dalë aty ku dëshironte. Këtë rrugë mund ta nisë edhe tani, por ka një dallim se ndërkohë do të nisë edhe debati për rinovimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 6 anëtarëve iu mbaron mandati, 70% rinovim. Por kjo rrugë nuk do t'i jepte opozitës këtë kohë dhe lideri i saj nuk do të ishte i faktorizuar saç është sot.

Te legjitimi i rrugës ndahet debati me ata që sjellin si shembull hapjen e kutive në Florida, në Itali apo gjetkë.
Nëse shohim "problemin" nga ekstremi tjetër. Të mos hapen kutitë. Të mos ngrihet komision hetimor parlamentar. Nuk ka nevojë për hetim të zgjedhjeve.

Zgjedhjet janë hetuar. Madje është skanuar i gjithë procesi zgjedhor. "njollat" që kanë dalë nga ky skaner i lexon në raportin i OSBE-ODHIR-it. Ky raport është publik që më 14 shtator 2009. Raporti i ndërmjetëm është bërë publik më 10 korrik 2009. Dyshimet se ky raport nuk është lexuar bazohen në kërkesat publike të partisë kryesore të opozitës ndaj zgjedhjeve. Në fillim u paraqit me 7 kërkesa (ligji për hetimin, hapja e kutive, hetimi ... )

Ditët e fundit me gjashtë kërkesa. Edhe projekt-rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës u lexua me vonesë. Me shumë vonesë. Suksesin më të madh politik në lëvizjen e saj opozita quan “ndërkombëtarizimin e krizës”. Opozita e kishte në dorë “ndërkombëtarizimin” që më 17 dhjetor 2009, para festave të fundvitit dhe para përmbytjeve në zonën e Shkodrës dhe e mësoi një muaj më pas më 17 janar. Atë ditë u shfaqën disa titra në ekranet e televizorëve). Kjo vonesë ose është mungesë serioziteti ose shkon sërish në favor të kohës për bojkot institucional.

Le të rikthehemi tek dalja e djeshme publike, duke theksuar çdo fjalë të presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Joao Soares: “Së pari, ne i japim mbështetjen e plotë, pa asnjë hezitim, raportit të bërë nga misioni ynë vëzhgues”. Raporti është 40 faqe dhe ka 31 rekomandime. Në një studio televizive, njëri nga aktivistët më të mëdhej publikë të kauzës së hapjes kutive pranoi pa iu dridhur syri se “nuk e kishte lexuar këtë raport” dhe nuk kishte se pse ta lexonte.
Ta nisim nga kutia apo nga atmosfera dhe rruga që të çon tek kutia.

Para se të mbërrijmë te kutia ne mund të shohim se pse në listat për kandidatë për deputetë janë shtuar emrat e njerëzve që kanë para, ne mund të shohim dhe adresojmë problemet e ndarjes së qeverisë, shtetit dhe bashkisë nga partia, problemet e inaugurimeve, problemet e kohës televizive, problemet se si mbërritëm në ditën që nuk raportojnë gazetarët për fushatën, por raportojnë partitë, si ndodh që të nxirren fëmijët e shkollave në aktivitete politike, si kërcënohen njerëzit për të marrë pjesë në miting...

Si u bëhet presion për të humbur vendin e punës? Çfarë bëhet me transparencën e financimeve të fushatës elektorale? Si mund të ndodhë që të blihet vota? Pse partitë politike thyejnë ligjin me koshiencë dhe pa përgjegjësi gjatë fushatës, duke filluar me afatin e dorëzimit të listave të deputetëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri tek marifetet ligjore që thyen ligjin që parashikonte pjesëmarrje 30% të grave në Kuvend? Si ndodh që një kandidat publikisht në prani të kamerave televizive të nënshkruajë kontrata në këmbim të votës! Nëse lexohen 31 rekomandimet e misionit vëzhgues ndërkombëtar të zgjedhjeve, ka edhe më. Raporti është në shqip dhe anglisht.

Kërkohen politikanë që ta lexojnë. Këto rekomandime janë një bazë e mirë për tavolinën e bisedimeve (por më parë duhen lexuar). Rekomandimet të kthyer në amendamente do të ishin një kontribut real për të përmirësuar më tej procesin e zgjedhjeve.

Por meqë kemi rastin për një "zgjidhje të mirë dhe përfundimtare, pyetja është: A ekziston vullneti për t’u ndarë nga komisionerët, grupet e numërimit, KZAZ-të, vëzhguesit, kandidatët me muskuj të fortë dhe xhepa të thellë?

Këtu është thembra e Akilit! Në prag të zgjedhjeve merr peshë shumë të madhe KOMISIONERI. Ai që nesër do të jetë drejtor, doganier, sekser, afrohet dhe ka edhe guximin që të kërcënojë: Po nuk isha unë, dhashë dorëheqjen nga partia! Kur fiton vendin mund të afrohet dhe të thotë: Ata më kanë dhënë kaq, ti sa më jep? Në funksion të “blerjes” së komisionerëve zgjidhen në listë edhe njerëzit që kanë para. Hidhi një sy përbërjes së Kuvendit. Është rinovuar më shumë se 50%! Krasitje e rëndë politike! Me çfarë po shartohet? Po nesër?
Është koha për të menduar një zgjidhje radikale që zgjedhjet të mos shërbejnë si mekanizëm për të kaluar pushtetin nga njëra palë te tjetra, por pushteti të kalojë tek votuesit.

Së fundmi po flitet për votimin elektronik. Sot jemi në situatën kur votojmë një ditë dhe interpretojmë një nen të Kodit Zgjedhor nëse lejon që (teorikisht) të numërojmë edhe katër vjet.
Një votim elektronik do të rrëzonte piramidën elektorale, do të nxirrte pa punë ushtrinë 40 mijë anëtarëshe të komisionerëve, grupeve të numërmit, vëzhguesve, do të përmirësonte listat e kandidatëve për deputetë, do të fillonte realisht beteja për të fituar votues dhe jo numërues. Në këtë rast në momentin që mbarojnë zgjedhjet, mbaron dhe fushata. Deri më tani ditën që mendojmë se i dhamë fund gjithshka nis nga e para. Por, gjithsesi, votimi/numërimi elektronik është e fundit dhe më pak e diskutuara. Dilema është nga t'ia fillojmë?

Hendeku i mosbesimit i çimentuar në vite dhe i shfaqur dukshëm edhe tek kodi zgjedhor i miratuar me konsensus, është thelluar më tej. Në raportin përfundimtar të misionit ndërkombëtar të zgjedhjeve mëse njëherë theksohet nevoja e vullnetit politik për të respektuar ligjin dhe për të kontribuar në mbarëvatjen e zgjedhjeve.

Ne kërkojmë që ndërkombëtarët të flasin qartë. Ata kanë shkuar me kohë një hap më përpara. I kanë lënë gjërat me shkrim, disa herë. Duke nisur nga 14 shtatori. Plot 31 rekomandime. A janë lexuar? Deri më tani kemi shumë fjalë. Pak lexim. Shumë pak punë.
Edhe suksesi i tavolinës së Presidentit më shumë se çdo gjë tjetër është çështje e vullnetit politik.

Publikuar: 03.03.2010 | 15:43
Lexuar: 459 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime