Një klip i ri që do të jetë pjesë e albumit të tij më të fundit e që do të publikohet shumë shpejt. Kastro Zizo ka ftuar në duet kësaj here Zanfina Ismajlin, për këngën më të re bazuar në një fabul dashurie.
Është një bashkëpunim shumë ndryshe i këngëtarit, që do të vijë nëpërmjet një klipi shumë të ngrohtë dhe të veçantë. Ky do të jetë dueti i tij i fundit me një këngëtare kosovare, që do të pasohet me një bashkëpunim tjetër me Arbëreshe Hajdarin, një këngëtare tjetër nga Gjilani. Nuk dihet se kush ia ka bërë ftesën i pari, gjithsesi bashkëpunimi me këngëtaret femra është një nga gjërat që Kastro e bën gjithmonë. Së fundi ai ka realizuar klipin me Ingrid Gjonin dhe këngëtarin që njihet me emrin OG.
Ndërkohë po punon për realizimin e një filmi aksion. Kastro e provoi aktorin në filmin me metrazh të gjatë Farmakon të regjisorit Joni Shanaj, në një rol kryesor me Olta Gixharin. Pak muaj më parë ai ishte në Çeki për filmin Serbo-Maqedonas-Çek me titull Pilivesa, ku kishte rolin e një vrasësi serial.Kjo ishte prova e dytë që Klevis Bega të shijonte eksperiencën e kinemasë.
Ishte një sugjerim që iu bë regjisorit Dejan Gologic nga miku i Kastros, regjisori i njohur i klipeve muzikore të momentit, Aleksandër i Maqedonisë. Ndërkohë që përsa i përket muzikës, kënga e tij më e fundit ishte I penduar me të cilën konkurroi në Kënga Magjike, dhe ku fabula e shkruar nga Pirro Çako bazohej në jetën e tij personale, drejtuar bashkëshortes së tij me të cilën është në një proces divorci.