Pas takimit, Papandreu deklaroi se është jashtëzakonisht i kënaqur nga biseda me Obamën, të cilin e ka informuar për gjendjen e ekonomisë greke dhe për planet e Qeverisë së tij për zbatimin e "masave të vështira" për kursim, theksoi se me rëndësi të veçantë do të jetë të kthehet "imazhi i vjetër i Greqisë në tregun ndërkombëtar".
Kriza ekonomike në Greqi, integrimi evropian i vendeve të rajonit në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet Athinë-Ankara, ishin temat kryesore në takimin e mbrëmshëm të presidentit amerikan Barak Obama me kryeministrin grek Jorgos Papandreu.
Pas takimit, Papandreu deklaroi se është jashtëzakonisht i kënaqur nga biseda me Obamën, të cilin e ka informuar për gjendjen e ekonomisë greke dhe për planet e Qeverisë së tij për zbatimin e "masave të vështira" për kursim, theksoi se me rëndësi të veçantë do të jetë të kthehet "imazhi i vjetër i Greqisë në tregun ndërkombëtar".
Sipas tij, Obama është angazhuar që problemi i Greqisë të jetë në rend dite në Samitin e G-20 që do të mbahet në qershor në Kanada.
Papandreu potencoi edhe se nga Obama ka marrë mbështetje për kritikat në llogari të spekulantëve të bursës, të cilët sipas tij, kanë kontribuar për përkeqësimin e gjendjes financiare në Greqi.
Në takim është bërë fjalë edhe për nismën greke që të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2014.
"Kjo do të kontribuojë për stabilizimin e paqes në rajonin më të gjerë dhe për zgjidhjen e problemeve specifike dypalëshe", potencoi Papandreu.
Obama dhe Papandreu kanë biseduar edhe për raportet mes Athinës dhe Ankarasë, me ç'rast kryeministri grek e ka theksuar gatishmërinë e Greqisë për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë dhe për zgjidhjen e kontesteve disavjeçare.