Shqiptarët nuk janë kundër mësimit të gjuhës maqedonase në sistemin arsimor, por që ajo të mësohet siç është projektuar me projektin për arsimin fillor nëntëvjeçar, përkatësisht, nga klasa e katërt. Nuk ekzistojnë aspekte pedagogjike, psikologjike dhe socio-linguistike që nxënësit shqiptarë, nga klasa e parë t'i nënshtrohen një projekti trilingual - të mësojnë shqip, anglisht dhe maqedonisht.
Gjuha shqipe në arsim, është tema në të cilën sot në Klubin e deputetëve, debatuan ekspertë shqiptarë dhe maqedonas në tribunën që e organizoi Shoqata e intelektualëve "Klubi demokratik".
Sipas Xheladin Muratit, ekzistojnë probleme në përdorimin e gjuhës. Ai mendon se është e panevojshme që evidenca pedagogjike të udhëhiqet në dygjuhësi në një shoqëri multikulturore, e cila angazhohet për barazi të të gjitha bashkësive, ndërkaq që nuk ekzistojnë edhe shkaqe pedagogjike, psikologjike dhe socio-linguistike që nxënësit shqiptarë të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë.
"Shqiptarët nuk janë kundër mësimit të gjuhës maqedonase në sistemin arsimor, por që ajo të mësohet siç është projektuar me projektin për arsimin fillor nëntëvjeçar, përkatësisht, nga klasa e katërt. Nuk ekzistojnë aspekte pedagogjike, psikologjike dhe socio-linguistike që nxënësit shqiptarë, nga klasa e parë t'i nënshtrohen një projekti trilingual - të mësojnë shqip, anglisht dhe maqedonisht. Kjo është e panevojshme dhe tej mase, dhe i tejkalon të gjitha kapacitetet dhe potencialin intelektual të nxënësve", tha Murati.
Bajram Pollozhani, ndërkaq, mendon se në Kushtetutën nuk është saktësuar qartë se cila është gjuha e dytë zyrtare në shtet, përkatësisht, ceket se gjuhë tjetër zyrtare është ajo që e flasin së paku 20 për qind të qytetarëve. Sipas tij, korniza kushtetuese-juridike në raport të arsimit ka depërtuar mjaft në praktikë dhe tani është mundësia që ajo të zgjerohet.
Vllado Popovski, profesor në Fakultetin juridik, tha se duhet realisht të shqyrtohen të gjitha problemet dhe ashtu të vendosen në dialogun në shoqëri. Sipas tij, duhet të ketë reformë themelore të arsimit, sepse nga marrëdhëniet ndëretnike, posaçërisht ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, varet qëndrueshmëria e shtetit, ndërkaq që duhet të valorizohet edhe çështja e reciprocitetit të të dy palëve në arsim.
Jovan Donev nga Instituti "Euro Ballkan", ndërkaq, mendon se kur flitet për gjuhën, duhet të dihet se cili është qëllimi përfundimtar të cilin dëshirojmë ta arrijmë.
"Kur flasim për gjuhën dhe përdorimin e gjuhës shqipe në arsim, duhet të dimë se cili është qëllimi përfundimtar. Nëse qëllimi përfundimtar është që Republika e Maqedonisë të jetë federale, në atë rast mund të kemi sisteme paralele dhe ajo nuk është kontestuese. Nëse ideja është që të kemi republikë unitare, në atë rast duhet të kemi përdorim të një gjuhe zyrtare, të cilën duhet ta dinë të gjithë qyettarët e atij shteti, në mënyrë që të mundet ai shtet të funksionojë, pa i nënvlerësuar, në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe rregullat ligjore, gjuhët e bashkësive të tjera të cilat jetojnë në Maqedoni", nënvizoi Donev.
Për Mersal Bilallin, më e keqja është, siç tha, të satanizohet një realitet.
"Duhet të shikohemi në pasqyrë. Nëse jemi përcaktuar për parime bashkëkohore evropiane, duhet t'i respektojmë ato parime. Duhet t'i respektojmë të gjitha kulturat, të gjitha gjuhët, ashtu që mësimi i gjuhës së njërit dhe të tjetrit, duhet të jetë kultura jonë. Çdo satanizim i kësaj çështjeje është satanizim i ardhmërisë së njerëzve", mendon Bilalli.