Duke qenë se mungon tradita e festimit të kësaj dite dhe se vetëm disa javë pas saj vjen për sarandiotët Dita e Detit, koncerti shëtitës i orkestrës frymore, ka qenë organizimi i vetëm zyrtar për Ditën e Verës, sepse pas kësaj gjithçka ka qenë në zgjedhjen e qytetarëve.
Telnis Skuqi
Nën një diell që shkëlqente si rrallë ndonjëherë në muajt e parë të këtij viti, shetitorja tradicionale e Sarandës sot ishte më plot se çdo të diel që ka kaluar, pasi dukej qartazi se sarandiotët i kishte "nxjerrë" nga shtëpitë Dita e Verës, reflektuar në veshjen më të lehtësuar, por edhe në urimin "Gëzuar Ditën e Verës!"
Ky ishte një element më shumë që u shtonin përshëndetjeve, kur këmbeheshin apo takoheshin përgjatë bulevardit, i cili vetëm pak ditë më parë ka marrë emrin "Naim Frashëri", pasi buzë shëtitores ngrihet godina e doganës, ku poeti ynë kombëtar punoi për dy vite si doganier.
Ajo qe ka krijoi atmosferën e ditës së veçantë dhe ka dhënë sinjalin e Ditës së Verës, ka qenë banda muzikore e Bashkisë së Sarandës, që në orën 10.00 ka shpërndarë tingujt e repertorit të saj të gëzueshëm, duke kaluar nëpër rrugët kryesore të qytetit.
Duke qenë se mungon tradita e festimit të kësaj dite dhe se vetëm disa javë pas saj vjen për sarandiotët Dita e Detit, koncerti shëtitës i orkestrës frymore, ka qenë organizimi i vetëm zyrtar për Ditën e Verës, sepse pas kësaj gjithçka ka qenë në zgjedhjen e qytetarëve.
Mozaiku i këtyre preferencave ka qenë i plotë. Fillimisht të gjithë janë derdhur në shetitore, ndërkohë që kafet buzë saj "Limani", "Harqet", "Riviera" e Gjoni", kanë qenë nga më të frekuentuarat.
Më të rinjtë kanë nxituar të dëfrehen nën muzikën e diskotekës "La Luna", që e ka portën gati në shëtitore. Ata kanë qenë edhe klientët më të parë të njësive të tregtimit të akulloreve përgjatë shëtitores, shije së cilës gjatë muajve të dimrit përgjithësisht i kanë qëndruar "ftohtë".
Tregut të Sarandës në këtë Ditë Vere i është shtuar për herë të parë ballakumja. Jo e "imituar" në Sarandë, por e ardhur enkas nga Elbasani."I kam përgatitur në qytetin tim në Elbasan dhe erdha me autobusin e natës që t'i shes njime në Sarandë. Me 70 lekë copa i shes dhe më doli fryma nga njerëzit e shumtë që ranë në ballakume", thotë Dylberja, që dhe nga dialekti që flet "identifikohet" si elbasanllije.
Në një pikë tjetër përgjatë shëtitores një grua tjetër gjithashtu shet ballakumen e Elbasanit, të njohur si "kryeqytet" i Ditës së Verës. Ajo na tregon se është vendase në Sarandë, por kunata që ka në Elbasan ia dërgoi dhe po i shet duke u habitur se sa shpejt "ikën" 200 copat e para.
Edhe Saranda, që njihet si "kryeqyteti" i stinës verore në Shqipëri, bëri sot "gëzuar" me ëmbëlsirën simbol të Ditës së Verës