E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Informimi është zanati më pak falënderues në shoqëritë e pareformuara plotësisht, si kjo në Maqedoni. Mirëpo, minimumi që mund të bëhet nga qeveria dhe politikanët është mos të mundohen ata vetë ta bëjnë këtë zanat përmes zgjatimeve të tyre, nëpër media të caktuara, sepse kësaj ndryshe i thonë karikaturë e një profesioni të shenjtë.
Informimi, si zgjatim karikaturesk i Qeverisė








Kritika nga Uashingtoni për gazetarinë në Maqedoni


Emin AZEMI


„Qeveria është një një nga reklamuesit më të mëdhenj në vend me çrast favorizon media dhe gazetarë, që i konsideron si miqësorë”, nënvizohet në raportin e Stejtdepartamentit Amerikan të Shtetit, duke shtuar se “Qeveria dhe biznesi indirekt bëjnë presion mbi mediet, që rezulton në autocenzurë”. Stejtdepartamenti Amerikan i Shtetit konstaton, se ekziston edhe një ndarje në linja etnike tek mediet, sidomos kjo vërehet në raportet mbi çështjet kontraverse politike.

Zakonisht është krijuar njëfarë tradite që disa tema, këtu të happen, pasi të paraqitet ndonjë raport ndërkombëtar, siç është edhe ky i fundit i Stejtdepartamentit Amerikan të Shtetit, i cili ngre shumë shqetësime të karakterit politik, të të drejtave të njeriut, raportet ndëretnike, fusha e medieve, religjioni etj.

Në fakt, jo se ne nuk i verëjmë të gjitha këto fenomene për të cilat flet raporti në fjalë, por problematizimi i tyre publik sikur merr legjitimitet, vetëm pasi të kemi marrë ndonjë “shuplakë” ndërkombëtare. Këtu qëndron edhe problemi i mosfunksionimit të të gjitha shtyllave të demokracisë në Maqedoni. Pra, demokraci nuk është gjithmonë ajo që fillimisht testohet përmes përceptimit ndërkombëtar të ndonjë çështjeje, e tek pastaj ajo ngrihet e elaborohet për publikun e brendshëm. Kjo do të vlente sidomos për fushën e medieve, e cila fatkeqësisht vazhdon të ngelë një xhungël e pakrasitur, ku turli rregullash zbatohen, por më së paku ato të funksionimit normal të një gazetarie të lirë e të pavarur.

Në Maqedoni ka kohë që nuk shkruhet gazetari e mirëfilltë hulumtuese dhe sa më pak të ketë gazetari hulumtuese në një vend, aq më komod do të ndjehen politikanët dhe bartësit e funksioneve të ndryshme publike. Jo vetëm që mungojnë fonde për të stimuluar këtë lloj gazetarie, por në Maqedoni nuk ekziston edhe fryma politike, ligjore e shoqërore për të hulumtuar praktikat korruptive të qeverisë dhe partive politike, si dhe të ndërmarrjeve të afërta me qeverinë.

Vlerësimi i drejtë në raportin e Stejtdepartamentit Amerikan të Shtetit se „Qeveria është një nga reklamuesit më të mëdhenj në vend me çrast favorizon medie dhe gazetarë, që i konsideron si miqësor” është thelbi i përgjigjes, se pse në Maqeoni nuk ka gazetari të mirëfilltë hulumtuese. “Hulumtimi” gazetaresk, këtu praktikohet me do floskula në formë të teksteve gjoja kritike, të porositura nga zyrtarë të caktuar qeveritarë, qëllimi i të cilëve është amortizimi i frustriumeve publike përmes të ashtuquajturit parim “i kontrollimit të konfuzionit”. Prandaj edhe derdhen miliona euro për shpallje qeveritare në kontot e medieve, të cilat “hulumtimin” gazetaresk e këmbejnë me lojalitet të gërditshëm gazetaresk dhe krejt kjo në dëm të xhepit të qytetarit, por edhe të shijes së tij, e cila jo rrallë “gatuhet” me mëlmesa të bajatshme gjoja-opinioniste.

Në raportin e Stejtdepartamentit Amerikan të Shtetit konsatohet ndarja në linja etnike tek mediet, por me gjasë ky vlerësim është dhënë para raportimit skandaloz të “TV Sitel”- it mbi kthimin e azilkërkuesve shqiptarë nga disa shtete të Perëndimit, të cilët i krahason, hiq më pak se me qenin “Lesi”. Nuk e dimë, se sa pak gazetarë duhesh të jesh që të bësh krahasime të tilla vulgare, por ajo që është për t’u shqetësuar është fakti se pikërisht ky medium është shumë i afërt me qeverinë dhe kjo mund të përkthehet ndryshe edhe si ofendim publik i shqiptarëve me paratë e qeverisë, që derdhen në konton e “TV Sitel”- it.

Sido që të jetë, vlerësimi që vjen nga Qeveria Amerikane, nuk ka pikur nga qielli dhe indikacionet e një ndarjeje etnike mund të vërehen tek mediet në Maqedoni. Ajo që është për t’u brengosur është joprofesionalizmi i disa medieve të shkruara dhe audio-vizive, të cilat raportimin gazetaresk e kamuflojnë me ngjyrim emocional etnik. Jo vetëm me rastin e raportimit për ngjarjet “sportive-banditeske” në Nerez të Shkupit, por edhe ato rreth (mos)ndërtimit të kishës dhe xhamisë në sheshin e Shkupit, mediet në Maqedoni kanë treguar, në disa kontribute gazetareske, një anim pa kriter dhe informim të pabalancuar.

Informimi është zanati më pak falënderues në shoqëritë e pareformuara plotësisht, si kjo në Maqedoni. Mirëpo, minimumi që mund të bëhet nga qeveria dhe politikanët është mos të mundohen ata vetë ta ushtrojnë këtë zanat përmes zgjatimeve të tyre, nëpër medie të caktuara, sepse kësaj ndryshe i thonë karikaturë e një profesioni të shenjtë.

Publikuar: 15.03.2010 | 18:40
Lexuar: 929 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime