Ministria e Transportit dhe Post Telekomunikacionit në Prishtinë thotë se hyrja e një treni nga Serbia në Kosovë, pa një marrëveshje paraprake mes dy vendeve, cënon sovranitetin e Kosovës. Në fundjavë një tren i shpejtë ka arritur nga Beogradi në Zveçan pa njoftuar autoritetet e Prishtinës.
UNMUK-u thotë se nuk ka dhënë leje për trenin
Në fundjavë një tren i shpejtë ka arritur nga Beogradi në Zveçan, një komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përshkruar rreth 40 kilometra rrugë hekurudhore të Kosovës pa njoftuar autoritetet e Prishtinës.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, tha se Beogradi nuk ka kërkuar lejen e Misionit të OKB-së për hyrjen e trenit në Kosovë.
"Për këtë çështje Beogradi nuk ka diskutuar me UNMIK-un dhe neve ne vjen keq për këtë. Ne nuk kemi qenë të informuar që ky tren do të vinte në Kosovë", tha për BBC-së zoti Ivanko.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka propozuar bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e transportit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.
Por, sipas zëdhënësit Ivanko, bisedime të tilla nuk janë zhvilluar ende dhe, rrjedhimisht, nuk ka një marrëveshje që do të lejonte hyrjen e lirshëm të trenave të Serbisë në Kosovë.
Institucionet vendore nuk kanë qasje në veri të Kosovës, ndërsa hekurudhat në atë pjesë deri së voni kanë qenë përgjegjësi e UNMIK-ut.
Por, pas kalimit të kompetencave në fushën e sundimit të ligjit nga UNMIK-u te EULEX-i, nuk është e qartë se kush është përgjegjës për transportin hekurudhor në Kosovën Veriore.
Shefi i misionit evropian, Yves de Kermabon, ka thënë se lidhur me hyrjen e trenit nga Serbia në Kosovë duhet të pyetet UNMIK-u.
Ndërsa zëdhënësi i misionit të OKB-së, Aleksander Ivanko, i pyetur nëse UNMIK-u vazhdon të ketë përgjegjësi për hekurudhat në veri, u përgjigj:
"Meqenëse ne nuk e administrojmë më Kosovën, nuk kemi funksione ekzekutive dhe nuk do të kemi policë të UNMIK-ut në terren, kjo është çështje që duhet të diskutohet. Nuk mund t'ju përgjigjem me 'po' ose 'jo'", tha zëdhënësi Ivanko.
Reagimi i Prishtinës
Ministri kosovar i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i ka thënë BBC-së se ndërhyrjet e fundit të hekurudhave të Serbisë në ato të Kosovës janë vazhdimësi e reagimit të serbëve ndaj shpalljes së pavarësisë.
"Me ligjin mbi hekurudhat e Kosovës dhe me të gjitha ligjet në fuqi të këtij vendi, si në çdo vend tjetër, për lëvizjen e trenit apo ndonjë operatori tjetër duhet të ketë leje përkatëse. Në qoftë se nuk e kanë lejen e tillë, praktikisht nënkuptohet që është cenim i sovranitetit të vendit", theksoi ai.
Ministri Limaj tha se përmes një letre do të kërkojë nga autoritetet e EULEX-it dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të mos lejojnë ndërhyrje të tilla të hekurudhave të Serbisë pa lejen e autoriteteve kosovare.
"Ne tani kemi njoftuar EULEX-in dhe presim që shtrirja e EULEX-it dhe policisë së Kosovës do të bëhet në ato pika doganore, kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të mos lejojë futjen e asnjë treni apo operatori pa pasur paraprakisht lejen e Prishtinës", tha ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj.
Lideri opozitar, Nexhat Daci, ndërkaq e ka quajtur një lajm të keq ndërhyrjen e hekurudhave të Serbisë në hekurudhat e Kosovës.
"Po humb autoriteti i Kosovës në vend që të forcohet. Me hyrjen e Kushtetutës në fuqi, vazhdimisht po rëndohet pozita jonë edhe kombëtare edhe ndërkombëtare dhe siç ngjante përpara në kohën e UNMIK-ut, vinte çdokush (nga Serbia) dhe bënte çdo lloj fushate", tha zoti Daci.
Qëndrimi i Beogradit
Ndërkohë, Sekretari Shtetëror për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq i ka thënë BBC-së se nuk ka asnjë pengesë ligjore që do të mund ta ndalonte qarkullimin e trenave nga Serbia në territorin e Kosovës.
"Kjo, në parim, nuk do të duhej të paraqiste problem, është njësoj si edhe qarkullimi i makinave apo kamionëve të Serbisë. Në këtë aspekt nuk ka kufizime, por është e qartë se në një moment treni do të jetë pjesë e kontrolleve që do të bëhen dhe unë mendoj se duhet të kontrollohet çdo makinë që kalon nëpër një linjë të paramenduar burokratike administrative. Tani për tani unë nuk mendoj se kjo shkel ndonjë dokument zyrtar, sepse deri tani treni ka ardhur deri në Leposaviç, ndërsa tani e ka zgjatur qarkullimin deri në Zveçan", u shpreh zoti Ivanoviq.
Ai thotë se Serbia nuk ka nevojë të kërkojë leje për qarkullimin e trenave të saj në Kosovë, të cilën e konsideron pjesë të territorit serb.
"Shqiptarët e Kosovës e kanë shpallur pavarësinë të cilën Serbia nuk e njeh. Kjo është pjesë e territorit të Serbisë sipas kushtetutës sonë. Hekurudhat e UNMIK-ut kanë pasur marrëveshje me hekurudhat e Serbisë, prandaj në aspektin e së drejtës kjo ka mbulesë", deklaroi Sekretari Shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.
Pas shpalljes së pavarësisë, punëtorët serbë të hekurudhave të Kosovës e kanë braktisur këtë ndërmarrje dhe iu kanë bashkuar hekurudhave të Serbisë.
Prej atëherë, kohë pas kohe trenat që vinin nga Serbia kanë hyrë deri në Leposaviç, që është qyteti më i afërt i Kosovës në kufirin verior me Serbinë.
Violeta Hyseni
BBC - Prishtinë