Drejtuesit e ekipit romak i kanë shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, ndërsa me kërkesë të presidentes së Romës, Rozela Sensi, futbollistët e skuadrës të shtunën mbrëma në ndeshje kundër Udineses janë paraqitur me shirita të zinj në krah, për të nderuar futbollistin kosovar.
Njëri prej futbollistëve më të suksesshëm kosovarë, Naim Kryeziu, ka ndërruar jetë të shtunën. Kryeziu vdiq në moshën 92-vjeçare në Romë të Italisë, kanë bërë të ditur mediumet italiane. Kryeziu është futbollisti i vetëm shqiptar që ka fituar "scudetton" italiane. Futbollisti i lindur në Gjakovë, kampion i Italisë doli me skuadrën e Romës në edicionin 1941-1942.
Drejtuesit e ekipit romak i kanë shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, ndërsa me kërkesë të presidentes së Romës, Rozela Sensi, futbollistët e skuadrës të shtunën mbrëma në ndeshje kundër Udineses janë paraqitur me shirita të zinj në krah, për të nderuar futbollistin kosovar.
Naim Kryeziu ka luajtur plot 330 ndeshje për 14 vjet karrierë në kampionatin italian. Për Romën ka luajtur nga viti 1939 deri në vitin 1947. Më pas u transferua te Napoli ku qëndroi deri në vitin 1953. Për Romën ka luajtur 122 ndeshje dhe ka shënuar 27 gola. Ishte ndër lojtarët kryesorë kur kjo skuadër fitoi titullin e parë të kampionit. Ai vdiq i fundit nga futbollistët e gjeneratës që i sollën titullin e parë Romës.
Kryeziu është edhe shqiptari i parë e i vetëm që ka drejtuar një skuadër italiane në cilësinë e trajnerit. Ai në vitin 1963 pati fatin të drejtonte Romën për disa javë.
Kryeziu ka lindur në Gjakovë më 4 janar të vitit 1918. Nga viti 1933 deri në vitin 1939 jetoi në Tiranë, ku edhe filloi të merrej me futboll. Ishte edhe reprezentues i Shqipërisë. Së bashku me të në kampionatin italian ka luajtur edhe Riza Lushta që ishte pjesë e Juventusit. Lushta që ishte nga Mitrovica me Juven ka fituar një kupë të Italisë.
Varrimi i Naim Kryeziut do të bëhet të hënën në Romë.