"Të jeni të bindur se çdo investim i juaji do të jetë i mbrojtur me ligjet e Kosovës, të cilat bazohen plotësisht në kornizën legjislative të Bashkimit Evropian", siguroi investitorët kryeministri Hashim Thaçi.
Kosova ka potenciale të mëdha dhe siguri të plotë për investime, u theksua sot në Prishtinë në Konferencën Ndërkombëtare të Investitorëve për Postë-Telekomin e Kosovës (PTK).
"Të jeni të bindur se çdo investim i juaji do të jetë i mbrojtur me ligjet e Kosovës, të cilat bazohen plotësisht në kornizën legjislative të Bashkimit Evropian", siguroi investitorët kryeministri Hashim Thaçi.
Sipas tij, Kosova është shtet i ri, me një stabilitet të sistemit financiar dhe bankar, që ofron siguri të lartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime etnike apo fetare.
"Ne jemi anëtarë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar e së shpejti do të jemi edhe anëtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", tha Thaçi.
Duke prezantuar hapat për privatizimin e aseteve publike, kryeministri Thaçi tha se "qeveria e Kosovës, si aksioner i vetëm i ndërmarrjeve publike ka vendosur t'i hapë rrugë përfshirjes dhe pjesëmarrjes së sektorit privat në kompanitë publike, duke qenë të bindur se kjo i shërben zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit".
Duke pohuar se Kosova ka potenciale të mëdha, Thaçi garantoi në emrë të qeverisë se "do të ofrojmë një proces plotësisht transparent dhe në pajtueshmëri me standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla".
"Sfidat në Kosovë janë reale si në çdo vend tjetër. Megjithatë, mundësitë janë të jashtëzakonshme. Ju ftoj që t'i shfrytëzoni këto mundësi për investime, pasi përfitimet si për ne po, edhe për ju janë të mëdha", u tha kryeministri Thaçi investitorëve.