Sipas ministres Jankullovska janë arrestuar mbi 50 persona ndërsa për 38 prej tyre tanimë janë ngritur padi penale për pengimin e procesit zgjedhor
MPB ka vazhduar aksionet e saj për të arrestuar personat e dyshuar që kanë qenë pjesëmarrës të parregullsive zgjedhore.
Deri sot, sipas ministres Jankullovska janë arrestuar mbi 50 persona ndërsa për 38 prej tyre tanimë janë ngritur padi penale për pengimin e procesit zgjedhor. Në mesin e tyre edhe Agim Krasniqi dhe grupi i tij tetë anëtarësh të cilëve tanimë i është shqiptuar masa e paraburgimit 30 ditor. Për ish zv/ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi është ngritur padi penale. Ministria e Brendshme Jankullovska ka theksuar se do të ndiqen edhe të gjithë pjesëtarët e policisë për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë qenë pjesëmarrës në prishjen e procesit zgjedhor më 1 qershor.
Deri tani ndaj 3 pjesëtarë të MPB janë ngritur padi penale për përfshirje në incidentet zgjedhore. MPB sikur deri më tani insiston në përgjegjësi pa dallim a bëhet fjalë për pjesëtarë të policisë apo bëhet fjalë për pjesëtarë të MPB-së që kanë hyrë në polici për të plotësuar parimin e përfaqësimit adekuat të bashkësive etnike, trajtimi do të jetë i njëjtë për të gjithë, tha ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska.
Policia sot në dy aksione në fshatrat Bukoviç dhe Rahshçe të Shkupit ka arrestuar gjithsej 6 persona tek të cilët sipas MPB-së është zbuluar një sasi e konsiderueshme e armatimit . Këto pretendime të policisë i hedhin poshtë familjarët e personave të arrestuar shtëpitë e të cilëve janë bastisur në orët e hershme të mëngjesit.
"Kërkonin armatim, shtëpinë ma bastisën e unë fëmijë nuk kisha asnjë këtu. Unë nuk kam bukë të ha e do t'i kem ato gjëra që i kërkon shteti, sepse me pas diçka të fshehur nuk do t'ia hapja derën. Por çfarë të bëj, shteti i fortë dhe mund të bëjnë çfarë të duan", u ankua Rahman Shtreka, vëllai i Imerit të arrestuar.
"U bëj apel të gjithë shqiptarëve që të mos manipulojnë me kësi gjëra se policia aq janë të aftë saqë për këtë birë thonë se është bunker", deklaroi Halime Shreka, nëna e Imerit.
"Sigurisht armë kanë kërkuar se ata për tjetër nuk kanë ardhur, ata kanë bastisur nëpër shtëpinë e kushëririt tim dhe e kanë arrestuar Fatmirin", deklaroi Sali Hoxha, familjar i Fatmirit.
"Nuk doja të bastisin shtëpinë e thash se armatimin nuk e mbajmë në dhomë, por edhe nuk kemi armë", deklaroi babai i Evzalit, Enver Kovaçi.
Ministrja e Brendshme Jankullovska megjithatë thotë se në shtëpitë e personave të arrestuar është gjetur armatim.
"Unë u vërtetoj se se në të gjitha rastet është gjetur armatim të cilin e kanë poseduar pa leje. Specifikimi dhe analizat e mëtutjeshme do të tregojnë se për çfarë lloj të armës bëhet fjalë, ndërsa bëhet fjalë për një sasi më të madhe të armëve", nënvizoi Jankullovska.
Më 1 qershor në ditën e zgjedhjeve u shënuan incidente të shumta me çrast 1 person humbi jetën ndërsa 9 të tjerë u plagosën.