Vlerat që mbart në vetvete me ujin dhe rërën e pastër, por edhe me ajrin e pastër, falë pyjeve me pisha që e rrethojnë, e bëjnë shumë të frekuentuar plazhin e Velipojës. Pjesë e territorit të plazhit janë dhe Laguna e Vilunit, Rezervati i Gjuetisë me shumëllojshmërinë e shpendëve, lumi i lundrueshëm Buna, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë.
G. Marku
Një turizëm ndryshe në 2010 ne Velipojë, kështu përcaktohet dhe konceptohet një nga plazhet më të spikatur në veri të Shqipërisë nga kreu i komunës së Velipojës, Nikollë Marku.
I vendosur në bregdetin e Adriatikut, vetëm pak kilometra larg Shkodrës, në kufi të afërt me Ulqinin në Malin e Zi, me të cilin vetëm ujrat e lumit Buna e ndajnë në mes, ky plazh prej vitesh është bërë ndër më të frekuentuarit e Shqipërisë. Një vijë bregdetare që nga rrjedhja e Bunës e deri tek Rana e Hedhun, pika kufizuese me Shëngjinin, ka shtrirje siperfaqesore prej 14 kilometra, ku vetëm 6 km shfrytëzohet, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të mbetet akoma e virgjër.
Vlerat që mbart në vetvete me ujin dhe rërën e pastër, por edhe me ajrin e pastër, falë pyjeve me pisha që e rrethojnë, e bëjnë shumë të frekuentuar plazhin e Velipojës. Pjesë e territorit të plazhit janë dhe Laguna e Vilunit, Rezervati i Gjuetisë me shumëllojshmërinë e shpendëve, lumi i lundrueshëm Buna, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë.
E krahas këtyre, një motiv më tepër për të pushuar në këtë plazh është rëra krejt e veçantë nga të gjitha plazhet e tjera të vendit dhe rajonit përrreth, e cila falë shfrytëzimit ende të pakët është mbushur me jod, shumë kurative për sëmundje të ndryshme.
Në sezonin e kaluar numri i pushueve në plazhin e Velipojës arriti deri në 60 mijë, mes të cilëve jo vetëm shqiptarë, por edhe nga shtetet fqinjë e disa vende të ndryshme europiane. Por sivjet për sezonin e ri turistik 2010 pritet të shkojë deri në 80 mijë", thotë kryetari i komunës së Velipojës, Marku. Sipas tij, dyndja më e madhe ndaj bregdetit të Velipojës konstatohet në ditët e fundjavës.
Investime dhe ndryshime në Velipojë
Kryekomunari shprehet entuziast për sezonin e ardhshem turistik që pritet të jetë shumë më lart në gjithë treguesit, pasi veç angazhimi total të strukturave të komunës për një shërbim cilësor gjatë periudhës së sezonit turistik, Marku ndalet tek investimet e qeverisë shqiptare. "Falë tyre Velipoja këtë sezon do të jetë krejt ndryshe nga vitet e tjera, duke i garantuar pushuesve shërbim komod në të gjithë aspektet", thotë ai.

Rrëfimin i kryekomunarit Nikoll Marku e nis nga shëtitorja e plazhit, ose siç quhet, qëndra e plazhit, vendi i parë ku përballen pushuesit dhe vizitorët vendas dhe të huaj deri në Velipojë. "Janë plot 90 milion lekë të akorduara nga qeveria shqiptare që do të bëjnë të mundur përfundimin e projektit për ndërtimin e shëtitores. Është një sipërfaqe prej 5 ha tokë, që do të shndërrohet në mjedis shlodhës për pushuesit, me trotuare, gjelbërim, ndriçim, lokale shërbimi, kënde lojrash për fëmijë dhe mjedise të tjera të rezervuara për një shërbim sa më të kulturuar", thotë ai.
Pjesë e ketij territori është edhe një qëndër informative turistike, që me një shërbim punonjësish të specializuar të fushës së turizmit, do të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve për informacion sa më të shumëllojshëm, sidosmos për ata që vijnë për herë të parë në Velipojë për të pushuar.
Higjiena dhe pastrimi, pajisje dhe mjete moderne
Higjena dhe pastërtia që do të mbizotërojë në mjediset e plazhit të Velipojës, ky është kujdesi i veçante nga strukturat e komunës në përgatitjet për sezonin e ri turistik, që do të hapet në 15 qershor.
Kryetari i komunës Nikoll Marku tregon se për këtë sezon turistik janë marrë masat e nevojshme për të vënë në dispozicion pajisje dhe mjete moderne për pastrimin e territorit të plazhit, rërës pranë detit, godinave, shtëpive, vilave dhe pallateve të shumta, që shtrihen përgjatë bregut të detit.
"Janë vënë në dispozicion 120 milion lekë nga të ardhurat e komunës nga sezoni i mëparshëm, me të cilat do të blejmë 2 makina teknologjike me kontinier në dispozicion të pastrimit të plazhit, 100 kazanë dhe kosha për hedhjen e mbeturinave në vendet përkatëse", thotë Marku. Për këtë sektor do të angazhohen 45 punonjës, që do të punojnë deri në mbyllje të sezonit, në 15 tetor.
- Pika vrojtimi dhe motore uji shpetues-
Në ndryshim nga sezoni i kaluar, këtë verë do të jenë në funksion 10 pika vrojtuese në vende të ndryshne të bregut të rërës, rreth 500 metra larg njëra tjetrës me qëllim, orientimin dhe informimin sa më të saktë të pushuesve për terrenin ku do të pushojnë, sidomos për turistët e huaj. Për t'i ardhur në ndihmë pushuesve, gjatë brezit të ujit në plazh do të patrullojnë non-stop 4 motorë uji të pajisur me radio marrëse e dhënëse në komunikim të vazhdueshëm me pikat e vrojtimit për çdo rast të jashtëzakonshme.
Në shërbim të pushuesve do të jenë 2 qëndra shëndetësore në të dy krahët e territorit të plazhit, lindje dhe perëndim, dy autoambulanca, mjekë dhe infermierë në shërbim 24 orësh. Rajoni Policor në Velipojë me efektiv të zgjeruar do të sigurojë qetësinë publike brenda territorit të plazhit, ndërsa efektivët rrugorë do të kenë nën kujdesje të gjitha akset rrugore që lidhin plazhin me Shkodrën dhe akset e tjera nacionale.
Infrastruktura, gjithnje e ne permiresim
Falë investimeve madhore që ka bërë qeveria, infrastruktura rrugore që të çon drejt plazhit të Velipojës çdo ditë e më tepër po bëhet më komode për automjetet. Krahas akseve rrugore nacionale Tiranë-Shkodër dhe superstradës Morinë-Milot, në gjendje mjaft të mirë është dhe aksi rrugor Shkodër-Velipojë, për të vijuar edhe me rrugët e tjera dytësore brenda territorit të plazhit.
Për t'i ardhur në ndihmë pushuesve, komuna e Velipojës me vendim të këshillit ka vendosur që nga qëndra e komunës dhe deri në zonën e plazhit të ndërtohet një rrugë dytësore vetëm për këmbesorë. Vemendje është treguar dhe për kanalizimet e ujrave të bardha dhe të zeza, ku me fondin 9 milion euro, financuar nga Komuniteti Europian po ndërhyhet në sistemimin e tyre. Me ndërtimin vitin e kaluar të stacionit të ri të pompave, furnizimi i zonës së plazhit me ujë të pijshëm është krejtësisht i garantuar, ashtu si dhe furnizimi i plotë pa ndërprerje me energji elektrike.