E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Zgjidhja do të duhet të reflektojë realitetin e ri në Maqedoni dhe të reflektojë karakterin multietnik dhe multikulturor. Meqë ky problem ekziston qe 19 vjet, sigurisht që i njëjti nuk mund të zgjidhet për një periudhë të shkurtër. Përgjegjësia e udhëheqjes së vendit është e madhe në këtë periudhë, por edhe përgjegjësia e vendeve të Ballkanit të cilat janë anëtare të NATO-s dhe BE-së, është njëjtë sa i takon stabilitetit rajonal”, thotë Abdilaqim Ademi
Emri i ri me konsensus ndėretnik













Intervistoi: Fami BAJRAMI

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, në intervistën dhënë për “Koha e Re”, vlerëson se tani është momenti më i volitshëm për të arritur një kompromis rreth emrit, i cili është pengesa e fundit për anëtarësim në BE e NATO. Lidhur me zërat për braktisje të Qeverisë ai me konstatim se BDI është përfaqësues legjitim i shqiptarëve dhe si parti është votuar për të qenë pjesëmarrës në Qeveri e Parlament. Lidhur me projektin “Shkupi 2014” ai thotë se si parti kanë arritur të ndërpresin financimin nga buxheti të Kishës në qendër të Shkupit që kishte qenë marrëveshje ndërmjet PDSH-së e VMRO-së mandatin e kaluar. Sipas tij, nëse ndërtohet kishë në sheshin e Shkupit, atëherë duhet të ndërtohet edhe xhami. Ademi shpjegon se Sekretariati pranë MO-së ka plan strategjik për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve dhe ndjekjen e këtij procesi. Ai flet hapur edhe për çështjen e UÇK-së, regjistrimin dhe për shumë çështje të tjera.

Koha e Re: Zoti zv/kryeministër, ju jeni pjesëmarrës në bisedime nga pala shqiptare për emrin. Qëndrimet e partisë suaj dhe të liderit Ali Ahmeti gjithmonë kanë qenë në vijë të asaj që kjo çështje të zgjidhet. Sa ka gjasa që Maqedonia të zgjidhë çështjen e emrit deri në qershor?

Ademi:
Ne gjithmonë kemi kërkuar që shqiptarët të jenë pjesë e zgjidhjes së çështjes së emrit. Këtë nuk e kemi theksuar vetëm për të qenë aty, por qëllimi ka qenë që ne si qytetarë të Maqedonisë të japim kontributin tonë dhe të themi se gjatë zgjidhjes së këtij problemi të merren parasysh të gjitha aspektet, si karakteri multietnik i vendit, historia e të gjithë popujve që jetojnë këtu, trashëgimia kulturore e të ngjashme, dhe se vendimi për emrin e shtetit duhet të merret me konsensus etnik e politik. Ajo për të cilën ne angazhohemi, është që duke zgjidhur një problem bilateral ndërmjet dy vendeve fqinje, të mos prodhohet problem brenda vendit, që do të rrezikonte marrëdhëniet ndëretnike dhe do të bënte që ndonjë bashkësi etnike brenda në Maqedoni të ndjehet e diskriminuar ose anashkaluar. Pra, zgjidhja do të duhet të reflektojë realitetin e ri në Maqedoni dhe të reflektojë karakterin multietnik dhe multikulturor. Meqë ky problem ekziston qe 19 vjet, sigurisht që i njëjti nuk mund të zgjidhet për një periudhë të shkurtër. Me rëndësi është që të demonstrohet gatishmëri për ta zgjidhur këtë problem, i cili realisht është pengesa kryesore që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Mendoj që tani është momenti më i volitshëm për të arritur një kompromis, sepse ka një përkrahje të gjithanshme nga partnerët tanë. Kjo edhe për faktin që të gjithë miqtë tanë në vazhdimësi po e theksojnë se moszgjidhja e këtij problemi prodhon pasiguri dhe ndikon në stabilitetin e gjithë rajonit. Prandaj, përgjegjësia e udhëheqjes së vendit është e madhe në këtë periudhë, por edhe përgjegjësia e vendeve të Ballkanit, të cilat janë anëtare të NATO-s dhe BE-së është njëjtë sa i takon stabilitetit rajonal.

Koha e Re: A keni qenë në njohuri si partner shqiptar lidhur me projektin qeveritar ‘Shkupi 2014’ dhe nëse po, pse nuk e keni ndaluar një gjë të tillë? Madje, raporti i Departamentit të Shtetit ka qenë në vijë të asaj se kisha në sheshin e Shkupit ka acaruar relacionet ndëretnike?

Ademi:
Projekti i pagëzuar “Shkupi 2014” nuk ekziston si i tillë dhe nuk është projekt i cili është diskutuar ndonjëherë në Qeveri. Mirëpo, një pjesë e projekteve një nga një janë diskutuar dhe financuar nga Qeveria. Ajo që duhet sqaruar, është se të gjitha këto projekte janë diskutuar dhe vendosur në mandatin e Qeverisë së kaluar, përkatësisht koalicionit PDSH-VMRO. Këtë e dëshmojnë edhe faktet, siç janë procesverbalet dhe konkluzionet e asaj kohe të asaj Qeverie, por edhe fakti që një pjesë e këtyre objekteve është në fazën përfundimtare dhe disa janë në fazë të ndërtimit. Gjithashtu, në atë kohë i janë bartur edhe mjetet financiare komunës Qendër për skulpturat dhe objektet tjera kulturore. Dua të them që ne këto projekte i kemi trashëguar dhe i kemi gjetur në një fazë kur nuk mund të ndërpriten ose në fazën fillestare. Ato të cilat kemi mundur, i kemi ridisenjuar ose ndërprerë. Kështu ndodhi me marrëveshjen që kishin bërë VMRO-DPMNE dhe PDSH për financimin nga buxheti i shtetit për ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit. Ne arritëm që të ndërpresim financimin nga buxheti të kishës në qendër të Shkupit. Të mos keqkuptohemi, ne nuk jemi kundër objekteve fetare, por jemi që të respektohet Kushtetuta, sepse ajo e definon vendin si sekular, ku e ndanë fenë nga shteti. Kjo nuk është bërë rastësisht, në vendet multietnike dhe multikonfesionale çdo veprim duhet të jetë i matur dhe nëse shteti nuk ndahet nga feja, mund të ndodhë që një fe të jetë e favorizuar në dëm të të tjerave dhe e gjithë kjo pastaj të tensionojë marrëdhëniet ndërmjet tyre. Sigurisht, çdo projekt që promovohet dhe gjithçka tjetër që bëhet në Maqedoni, duhet të reflektojë karakterin multietnik të vendit me qëllim që mos të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare. Shembull më i mirë se si nuk duhet vepruar, është rasti me enciklopedinë e promovuar nga ASHAM-i, e cila në fund u detyrua ta tërheqë të njëjtën dhe të vendosë për redaksi të re dhe botim të ri.

Raportet në koalicion dhe UÇK-ja

Koha e Re: Për momentin zotëron një heshtje në BDI, lidhur me zhvillimet e fundit politike. Në fakt, si janë relacionet brenda koalicionit. Ka qëndrime të kundërta për çështje të caktuara?


Ademi: Nuk do të thosha se në BDI mbretëron heshtje lidhur me zhvillimet politike në vend. Sa u takon prononcimeve për zhvillimet politike, ne jo vetëm që jemi prononcuar, por jemi edhe pjesëmarrës në këto zhvillime. Ne jemi pjesë e pushtetit dhe qëllimi kryesor është që të ndikojmë në zhvillimet politike dhe jo të përqendrohemi në prononcimet rreth tyre. Marrëdhëniet brenda koalicionit janë korrekte. Ajo që duhet të gjithë ta dinë dhe ta kuptojnë, është që ne me partnerin aktual të koalicionit mund edhe të kemi qëndrime të kundërta dhe të ndryshme për çështje të ndryshme. Mendoj që kjo është normale, mirëpo nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve arrijmë t`i tejkalojmë ato.

Koha e Re: Çështja e UÇK-së ende nuk po gjen zgjidhje. Premtuat se do realizohet këtë apo atë vit. Mund të na jepni afat se kur mund të ndodhë kjo. Fundja, a keni marrëveshje me VMRO-në që kjo çështje të zgjidhet?

Ademi: Marrëveshja politike për koalicionim përmban edhe zgjidhjen e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Disa herë e kam thënë se kjo kategori e shoqërisë është më meritorja për statusin juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni. Por, edhe nëse doni edhe për statusin e Maqedonisë në përgjithësi. Prandaj, zgjidhja e statusit të tyre nuk duhet të shfrytëzohet për pikë politike dhe për politikë ditore. Ne e themi se statusin e tyre do ta zgjedhim në kuadër të ligjeve ekzistuese.

Koha e Re: Sa jeni të kënaqur me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e shtetit. Në disa dikastere ky përfaqësim vazhdon të jetë skandaloz. Ka apo jo ndonjë plan Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit lidhur me këtë problematikë?

Ademi:
Përfaqësimi i shqiptarëve dhe të tjerëve në institucionet e shtetit është obligim dhe detyrim kushtetues. Sigurisht që edhe pas nëntë viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ka institucione dhe sfera ku përfaqësimi është i ulët, por gjithashtu ka institucione ku përfaqësimi është i konsiderueshëm. Me rëndësi është të kuptohet rëndësia dhe filozofia e përfaqësimit të drejtë. Për mua përfaqësimi nuk është vetëm e dhënë statistikore, ai është shumë më tepër. Nëpërmjet përfaqësimit duhet të arrihen disa qëllime, si besimi ndaj institucioneve, pjesëmarrja në krijimin e politikave në institucione dhe rritja e lojalitetit ndaj shtetit. Ne në Sekretariat kemi plan strategjik me tetë programe kryesore, ku njëri ndër më kryesorët është programi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ky program ka për qëllim përmirësimin e përfaqësimit dhe ndjekjen e këtij procesi. Këtë vit Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është shfrytëzuese e mjeteve nga IPA fondet ku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të kontribuohet në përmirësimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Kur jemi te shfrytëzimi i këtyre fondeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, dua t’ju informoj që Sekretariati, gjithashtu është koordinator i projektit me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, i cili ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Projekt i cili do të implementohet tre vitet e ardhshme dhe është me vlerë prej 4 milionë dollarë i financuar nga Mbretëria Spanjolle. Gjithashtu, në buxhetin e Sekretariatit kemi siguruar mjete për financimin e organizatave joqeveritare për promovimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhënieve ndëretnike.

“Beteja” për sheshin e Shkupit

Koha e Re: Ambasada e Maqedonisë në Prishtinë u hap pa pjesëmarrjen e ndonjë zyrtari shqiptar, ndërsa ishte i pranishëm vetëm ministri Milloshoski. Keni qenë të njoftuar për këtë gjë?


Ademi: Mendoj që raportet ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë, nuk kanë nevojë për ndërmjetësim dhe për diplomaci. Thuajse çdo ministër shqiptar, i cilësdo qeveri në Maqedoni e ka vizituar Kosovën dhe Shqipërinë, dhe asnjëherë nuk e kanë bërë këtë me ndërmjetësues. Me rëndësi është që edhe ministrat maqedonas të bëjnë veprime që do t`i afrojnë vendet dhe popujt tanë. Ajo që ne duhet të vlerësojmë është fakti që nëse dikush në vitin 98 sulmonte ambasadën e SHBA-ve në Shkup, sepse NATO e sulmonte Serbinë, sot nga e njëjta gjeneratë hapet ambasada në shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo dëshmon që shqiptarët me punë dhe me vepra kanë arritur t`ua ndryshojnë bindjet dhe të bindin shumicën për realitetin e ri ballkanik. Kështu që komunikim ndërshqiptar nuk ka nevojë për diplomaci.

Koha e Re: Çfarë ndodh me ndërtimin e Burmali Xhamisë. Do të ketë apo jo xhami në Sheshin e Shkupit, kur kihet parasysh fakti se në projektin “Shkupi 2014” mungojnë personalitete shqiptare?

Ademi: E thashë më lart që çdo projekt në Maqedoni duhet të reflektojë karakterin multietnik dhe multikonfesional të vendit. Qëndrimi ynë është që, nëse në shesh ndërtohet kishë do të duhet të ndërtohet edhe xhamia. Tani më po debatohet që në qendër duhet të vendosen edhe figura të historisë shqiptare. Kjo vetëm se do të begatonte qendrën. Gjithashtu, duhet theksuar që me debatin që bëhet për këtë projekt, dëshmohet se nëse shqiptarët deri para disa viteve kanë “luftuar” për Tetovën dhe Gostivarin, sot “luftojnë” për qendrën e Shkupit si kryeqendër e të gjithëve.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi

Koha e Re: Si e komentoni politikën e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare lidhur me problemet në Maqedoni. Sa i kanë drejtuar sytë ata në zhvillimet dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoni?


AdemiMendoj që edhe Shqipëria edhe Kosova, krahas problemeve të tyre, vazhdimisht kujdesen edhe për situatën e shqiptarëve në Maqedoni Sigurisht, ata janë të vetëdijshëm se kjo duhet të bëhet në mënyrë të matur me qëllim që të mos kuptohet si përzierje në punët e brendshme të vendit fqinj. Ne kemi komunikim të rregullt. Por, edhe vizitat e personaliteteve nga Kosova dhe Shqipëria, japin kontribut të madh në marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona. Tanimë, të dy vendet janë të përfaqësuara me ambasada. Kjo e ndihmon edhe komunikimin edhe ndjekjen e situatës nga afër. Qëndrimi zyrtar i tyre është që të implementohet deri në fund Marrëveshja e Ohrit dhe të avancohet statusi juridik, politik, arsimor, kulturor i shqiptarëve. Shqipëria si anëtare e NATO-s, jep kontributin e saj në stabilitetin rajonal, Kosova si shtet i pavarur dëshmoi se pavarësia e saj prodhon stabilitet. Të dy vendet ndihmojnë në mënyra të ndryshme shqiptarët në të gjitha sferat. Vetëm të përkujtoj se me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit të pranishëm ishin dy kryeministrat, Berisha dhe Thaçi, që u vlerësua si hap pozitiv në raportet ndërmjet vendeve tona.

S’na brengosin anketat

Koha e Re: BDI vazhdon të realizojë takime me qytetarë. Është kjo një uverturë për zgjedhje të parakohshme? Sa është e gatshme BDI-ja për këtë sfidë?

Ademi:
Ne gjithmonë kemi mbajtur takime me qytetarët. Këtë e kemi bërë me qëllim që të japin raport para tyre, por edhe për të informuar dhe për të marrë sugjerime nga qytetarët për politikat tona. BDI nuk u ik zgjedhjeve, por vlerëson se në këtë moment energjia duhet harxhuar për plotësimin e kritereve dhe obligimeve që vendi të bëhet anëtare e NATO-s dhe të fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE. Këto janë prioritete të programit të BDI-së.

Koha e Re: Anketat e fundit flasin për rënie të rejtingut të partisë suaj. Kemi ngritje të rejtingut të PDSH-së. Është kjo rezultat i punës suaj të deritanishme apo opinioni nuk është i njohur aq sa duhet me të arriturat tuaja?

Ademi: Është normale që një parti kur është në pushtet, të ketë rënie të rejtingut. Gjithashtu, në periudhë kur nuk ka fushatë zgjedhore rritet numri i të papërcaktuarve. Mund të konstatoj se BDI gjithmonë është udhëhequr nga motoja ‘më shumë të punojmë dhe më pak të flasim’. Kjo ndoshta ka bërë që qytetarët të mos jenë të njoftuar edhe me të gjitha projektet e realizuar gjatë qeverisjes së BDI-së. Prandaj, njëri nga qëllimet e takimeve me qytetarët është që t`i njoftojmë qytetarët me të arriturat dhe planet për të ardhmen. Megjithatë, ne me vëmendje i ndjekim rezultatet e anketave dhe analizojmë brengosjet e qytetarëve.

Koha e Re: Lojëra të rrezikshme shfaqen rreth regjistrimit në vitin që vjen. Ka në plan BDI që të rrisë përfaqësimin e shqiptarëve në Entin Shtetëror të Statistikës që të mos ndodhin manipulime të mundshme dhe ndoshta të vijmë në situatë që të rrezikohet Marrëveshja e Ohrit?

Ademi: Unë edhe në prononcimet e mia, por edhe me rastin e 8-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, theksova rëndësinë e procesit të regjistrimit të popullatës dhe amvisërive. Për Maqedoninë të dhënat statistikore nuk janë të rëndësishme vetëm për planifikim e ardhshëm dhjetëvjeçar, por janë të rëndësishme edhe për fakti që të drejtat etnikë të garantuara në Marrëveshjen e Ohrit, janë të lidhura me përqindjen e popujve të ndryshëm që jetojnë në vend. Prandaj, që të mos paraqiten dilema dhe dyshime, i gjithë procesi duhet të jetë transparent dhe të inkuadrojë të gjitha bashkësitë etnike, veçanërisht shqiptarët. Në bazë të strategjisë për përfaqësim të drejtë edhe në Entin Shtetëror të Statistikës do të punësohen shqiptarë.

Zërat për “braktisje” të qeverisë

Shikoni, BDI është përfaqësues legjitim i shqiptarëve. Ata e votuan BDI-në për t’i përfaqësuar në Parlament dhe Qeveri. Përgjegjësia jonë është e madhe. Unë nuk dua të komentoj analistët dhe të tjerët që komentojnë dhe japin prononcimet e tyre rreth daljes së BDI-së nga Qeveria, sepse ata kanë të drejtë të japin vlerësime të tilla. Pa dashur të hy në motivet dhe arsyet e tyre, por ata nuk kanë përgjegjësi politike. Edhe sikur të ndodhë e kundërta e asaj që thonë ose të ndodhë ajo që ata deklarojnë, ata në fund nuk kanë përgjegjësi politike. Prandaj, veprimet tona si subjekt politik janë të matura dhe të koordinuara. Në veprimet tona, ne në radhë të parë e vëmë interesin e përgjithshëm dhe në këto momente të rëndësishme për vendin nuk duam të ndërmarrim ndonjë veprim që do të dëmtonin proceset integruese dhe stabilitetin e vendit.

Për “kërcënimet” e Teutës

Nënkryetarja e partisë, z. Teuta Arifi, është aktiviste shumë e madhe që Maqedonia të integrohet në NATO dhe BE. Ajo ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut shumë të madh që vendi ynë të anëtarësohet në strukturat euroatlantike. Kuptohet, që vendi të bëhet anëtar në këto struktura duhet të zgjidhet problemi i emrit dhe zonja Arifi dhe të gjithë ne jemi të vetëdijshëm edhe për vështirësitë. Mirëpo, ajo me këto deklarata dhe shkrimet e saja mundohet të japë kontributin e saj intelektual dhe politik për ta tejkaluar këtë barrierë. Këtë prononcim të saj unë nuk e kuptoj si kërcënim, por si shprehje e brengosjes për vonesën e integrimit të vendit në NATO si dhe pasojat negative për vendin. Gjithashtu, ajo kërkon edhe marrje të vendimeve të guximshme dhe demonstrim të lidershipit.

Politika e Tiranës e Prishtinës karshi Shkupit

Mendoj që edhe Shqipëria edhe Kosova, krahas problemeve të tyre, vazhdimisht kujdesen edhe për situatën e shqiptarëve në Maqedoni. Sigurisht ata janë të vetëdijshëm se kjo duhet të bëhet në mënyrë të matur me qëllim që të mos kuptohet si përzierje në punët e brendshme të vendit fqinj. Ne kemi komunikim të rregullt. Por, edhe vizitat e personaliteteve nga Kosova dhe Shqipëria japin kontribut të madh në marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona. Tanimë të dy vendet janë të përfaqësuara me ambasada. Kjo e ndihmon edhe komunikimin edhe ndjekjen e situatës nga afër. Qëndrimi zyrtar i tyre është që të implementohet deri në fund Marrëveshja e Ohrit dhe të avancohet statusi juridik, politik, arsimor, kulturor i shqiptarëve. Shqipëria si anëtare e NATO-s jep kontributin e saj në stabilitetin rajonal, Kosova si shtet i pavarur dëshmoi se pavarësia e saj prodhon stabilitet. Të dy vendet i ndihmojnë në mënyra të ndryshme shqiptarët në të gjitha sferat. Vetëm të përkujtoj se me rastin e kremtimit të 100 - vjetorit të Kongresit të Manastirit, të pranishëm ishin dy kryeministrat, Berisha dhe Thaçi, që u vlerësua si hap pozitiv në raportet ndërmjet vendeve tona.



Publikuar: 29.03.2010 | 09:09
Lexuar: 630 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
sedakum (30/03/2010 20:13:41) Ju inkurajojme qe te vazhdoni me pune edhe me tutje, dhashte Zoti te jete ashtu si thoni ju, sepse shpesh ndodh qe nga jashte nuk duket ajo qe ben nje subjekt politik kur eshte ne pushtet, jemi koshient per kete prandaj, do vazhdoni te keni perkrahjen tone edhe me tutje.

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime