Drejtori i Muezut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj theksoi se Kongresi i I dhe II i Manastirit janë të rëndësishëm për hapjen e rrugës për pavarësimin e shqiptarëve. Ai njoftoi se javën e ardhshme muzeun do ta vizitojë një delegacion nga Shqipëria, të cilët janë pasardhësit e atyre delegatëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e atëhershëm të Manastirit.
Shënimi i 100 vjetorit të Kongresit të II-të të Manastirit, në Muzeun e Kongresit të Alfabetit, i cili shënohet në mënyrë institucionale është ngjarje që ka lënë gjurmë të rëndësishme për historinë shqiptare, por edhe për jetën politike të shqiptarëve në përgjithësi, deklaroi zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi në tribunën shkencore me rastin e 100 vjetorit të Kongresit së dytë të Manastirit, që u mbajt sot në qytetin e Manastirit.
Ai tha se Manastiri është i njohur në botën shqiptare me Kongresin e unifikimit të Alfabetit dhe me Kongresin e II-të, i cili i dha hov lëvizjes politike, arsimore, e kulturore të shqiptarëve.
"Për 100 vjet, Manastiri ishte në shenjestër për t'u deshqiptarizuar dhe ka bërë që ky qytet sipas projekteve mirë të hartuara dalëngadalë të humbë edhe nga kujtesa e shqiptarëve. Zyrtarizimi i Muzeut të Alfabetit bëri që të rikthehen shpresat për t'u vulosur shqiptarësia dhe për të vazhduar rrugën që na e lanë rilindasit në avancimin arsimor dhe ta kultivojmë trashëgiminë tonë kulturore. Shndërrimi i këtij objekti në institucion të ruajtjes së vlerave të gjuhës e kulturës shqiptare ka domethënie të madhe jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe për shqiptarët kudo që janë", deklaroi mëtej Ademi.
Historiani i parë në Universitetin e Prishtinës, dr. Shukri Rrahimi u shpreh se Kongresi është i rëndësishëm, sepse me të vërtetohet një gjë, popullarizohet një gjë dhe se për të do të angazhohen forcat progresive që krijoi të depërtojë në masa të popullit dhe ta gjejë vendin e vet, siç e ka gjetur te ne.
Historiani Skënder Hasani theksoi se Kongresi i Manastirit filloi punimet me 2 prill të vitit 1910 dhe ndër çështjet kryesore që u diskutuan në këtë kongres ishte edhe zhvillimi i mëtejmë i lëvizjes asrsimore dhe kulturore tek shqiptarët. Në Kongres morën pjesën 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit, Janinës, Stambollit, Selanikut, si dhe të qendrave të tjera.
Drejtori i Muezut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj theksoi se Kongresi i I dhe II i Manastirit janë të rëndësishëm për hapjen e rrugës për pavarësimin e shqiptarëve. Ai njoftoi se javën e ardhshme muzeun do ta vizitojë një delegacion nga Shqipëria, të cilët janë pasardhësit e atyre delegatëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e atëhershëm të Manastirit.
Në tribunën shkencore morën mirënjohje, historiani dr. Shukri Rrahimi, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, Muzeu i Kongresit të Alfabetit, historiani Reshat Mexhiti dhe Ali Vishko.
Në tubimin shkencor mes të tjerëve ishin të pranishëm, ambasadori i Republikës së Kosovës në vend, Skënder Durmishi, historianë, shkencëtarë dhe personalitete të tjera që kanë kontribuar rreth këtij evenimenti.