Përkrah Besës, Burrërisë e Trimërisë, shqiptari, po, edhe fal! Të fal, po, edhe kur ia mbyt babën e djalin. Edhe kur ia vret vëllain a dajën. Edhe kur ia shkel fëmijën.
Ramiz Kelmendi
Shqiptari, përkrah gjithë asaj morie pa fund virtytesh e cenesh, bese e trimërie, vetëlavdi e rrahagjoksi, ka dhe ndonjë të metëzë a plagëzë, që as i bën nder dhe as mund të krenohet me të. Në mos e pastë, madje-madje, edhe për turp edhe për marre.
E kam fjalën, shkurt, për Smirën tonë ndjellakeqe e ndjellazezë. Me shkronjë të madhe! Për këtë jo aq dukuri a fenomen, sa lumoskëndoiançe - p l a g ë n tonë nga më të mëdhatë: Zilinë ndaj njëri-tjetrit. Thuaj urrejtjen, deri në armiqësi, përplot përçmim e poshtërim, përplot sharje e fyerje. Një sëmundje jona kjo, një patologji pothuajse mbarëkombëtare. Siç e shpjegon edhe Fjalori ynë: një ndjenjë e lakmisë dhe e keqdashjes, që na ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten.
E ne, siç, me gjasë, amanet na ka lënë i pari, pothuajse kurrë se duam tjetrin sa veten. Pothuajse gjithmonë e përdhosim çdokënd që na del mbi veten. Edhe në qoftë shqiptar.
Edhe ne paçim vëlla tbabs e tnans!
E kam fjalën, pra, për shqiptarin smirëkeq, për shqiptarin smirëzi, për shqiptarin resëtar dhe resëmadh, që se ka smirë - as ia bën ngat! shkjaut (të Fishtës), junanit a taljanit, sa vëllait të gjakut e të fisit.
Pikërisht para ndonjë jave u mbushën 20 vjet nga ajo Lëvizja e Madhe Gjithëpopullore e Madhore e Pajtimit të Gjaqeve, prirë nga Anton Çetta e Mark Krasniqi, Azem Shkreli e Bajram Kelmendi me shokë, po sidomos me të rinj dhe të reja, kur shqiptari i fali shqiptarit mbi një mijë gjaqe. Burrërisht. Shqiptarisht. Me lot në sy. Jam dëshmitar, ende i gjallë nga ata pak, kur nëna shqiptare fali në emër të lirisë e në emër të rinisë, në emër të Kosovës! deri katër gjaqe. Katër djem.
Përkrah Besës, Burrërisë e Trimërisë, shqiptari, po, edhe fal! Të fal, po, edhe kur ia mbyt babën e djalin. Edhe kur ia vret vëllain a dajën. Edhe kur ia shkel fëmijën.
Të fal shqiptari, sepse faljen, animë të gjaqeve, e ka për nder.
E konsideron, më shumë se akt burrërie, një akt trimërie. Se jo më kot e ka fjalën e vet të urtë: Veç trimi fal. Falja fryn njerinë, nakari fryn mërinë.
Gjithçka, po, fal shqiptari. Gjithçka, po, po.
Ja që, ka një Një, ka një diçka që nuk ta fal assesi!
Shqiptari, shkurt fjala, nuk ta fal suksesin.
Edhe po të pati vëlla. Se më, qoftë larg (!) , po e pati koleg mjeku mjekun, aktori aktorin, shkrimtari shkrimtarin, historiani historianin, kritiku kritikun, artisti artistin, politikani politikanin, ministri ministrin etj., etj., plas - plasja!
Një zonjë tiranase me emrin Ana Kodima futi gishtin në këtë plagë, që e quajti Smira jonë sociale (e unë do i shtoja edhe kombëtare!), tek tha se në çdo sektor të jetës sonë luftohet egërsisht dhe me ngulm - i suksesshmi, i guximshmi, ambiciozi. Vetëm e vetëm pse bie ndesh me mentalitetin barazitar-ist.
Po u dallove nga të tjerët, po u bëre i shquar, i njohur dhe i dashur publikisht, vaj halli! Se na shquan edhe një tjetër tipar ne shqiptarëve: me qiri e me pishë ta kërkosh, pale a e gjen një shqiptar ta lëvdojë një shqiptar të aftë dhe publik! Siç nuk e gjen asnjë ti bjerë në qafë dembelit a parazitit. Sdo mend, mbase edhe mund të kuptohen, në qoftë se nuk arsyetohen, të dështuarit e të dëshpëruarit, të pakënaqurit e të pazotët, hileqarët e ziliqarët.
Mirëpo, si shpjegohet dhe a arsyetohet egoja patologjike, vetëlavdërimi i skajmë dhe ulja, nënçmimi e përçmimi i tjetrit, i kolegut, deri edhe me broçkulla, tek i prin, e pushton dhe mbisundon zilia, smira, inati pse ai ka përparuar më shumë se unë? Pse, çështë ai? Mos është më i zoti se unë?
Flitet ndër shqiptarë një si anekdotë, kur dy vëllezër shpëtuan të birin e princit nga vdekja.
Për ti shpërblyer, e pyeti princi të parin çdëshiron. Disa dele, u gjegj ai, ti kullos dhe ti shtoj. Saora princi ia plotësoi dëshirën.
Po ti tjetri çdëshirë ke të ta plotësoj menjëherë?
Pa u hamendur, hazërxhevap, vëllai i dytë i tha: Dua tia marrësh vëllait delet që ia fale, që të mos ketë çtë kullotë!
Anekdota anekdotë, e kurdisur a e kotë, mbetet se mbetet anekdotë. Po kur unë i prek me dorë dhe bëj be në Kuran e në Bibël, sepse i njoh me farë e me fis, me emër e me mbiemër, jo një po plot shtatë palë, shtatë çifte vëllezër të një babe e të një nëne, që jo vetëm nuk flasin kurrë njëri me tjetrin me vite e vite, po nuk gjen turk as shkja ti përgojojë e ti shajë më keq e më zi se ata njëri-tjetrin. Përkrah amanetit dhe dëshirës së fundit të një fshatarit tonë plak para vdekjes: që ti cofë lopa e vetme fqinjit të vet më të parë!
Kam mbi 20 vjet që botova librin Fytyra dhe turinj me mbi 370 faqe. Në qe se këta 7 vëllezërit prishtinas edhe i kuptojmë dosido, si do kuptuar zilinë, zënkat, grindjet, rragatat, sharjet e fyerjet e kokave më të shtrenjta, më të merituara dhe më të njohura të kombit tonë ndër vite?
A mjafton të zë ngoje edhe vetëm majat: Fan Nolin me Faik Konicën dje! Ismail Kadarenë me Rexhep Qosjen sot?
Se më: Fishtën (Gabove, Hilë!) kundër Hilë Mosit; Nikollë Ivanajn kundër Faikut e Fishtës; Konicën kundër Naimit dhe një vargu xuxubocërish dhe doçërish; Hasan Prishtinën kundër Ismail Qemalit; Faikun kundër Asdrenit; Gramenon kundër Faikut; Luigj Gurakuqin kundër oponentëve; Çajupin kundër Dr. Adhamidhit; Branko Merxhanin kundër Lasgush Poradecit etj., etj., deri te Vehap Shita kundër Hasan Kaleshit (Medice, cura te ipsum).
Enish, siç e kish zakon të thoshte babai i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta, pa mëtuar të moralizoj, do mësuar të çmojmë, të nderojmë dhe të krenohemi me njerëzit e zot, me ata që janë më të mëdhenj dhe më të afirmuar se ne.
Pa Smirë!
Pa Zili!
Pa Inat!